KSC-BC-2020-04
Pjetër Shala pretendohet se ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’) i stacionuar në Kukës, Shqipëri. Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së. Më 21 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I. Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023. Më 6 korrik 2023, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet. Më 21 gusht 2023, Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat. Konferenca Përgatitore e Mbrojtjes u mbajt më 24 dhe 25 gusht 2023. Më 15 shtator 2023, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme (pika 4), në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së. Paraqitja e provave prej Mbrojtjes nisi më 20 shtator 2023. Më 15 janar 2024, Mbrojtja e Pjetër Shalës njoftoi për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave të saj. Procedura e paraqitjes së provave në këtë çështje u mbyll më 9 shkurt 2024 dhe argumentet përmbyllëse janë planifikuar për 15 deri 19 prill 2024. Në këtë çështje janë 8 viktima pjesëmarrëse.
KSC-BC-2020-06
Çështja përfshin katër ish-zyrtarë të lartë të pretenduar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar. Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt. Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023. Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.