Më 4 dhe 5 korrik 2019, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) pritën në selinë e tyre të përhershme në Hagë 15 organizata joqeveritare (OJQ) nga Kosova dhe Serbia, për seminarin e dytë me Rrjetin për Informim të Gjykatës. Ky rrjet i OJQ-ve u krijua në qershor të vitit 2018, pas disa muaj konsultimesh me një numër palësh të ndryshme të interesuara. Qëllimi i Rrjetit është që të ndërtojë marrëdhënie me njerëzit dhe OJQ-të në rajon, në kuadër të objektivit të DHSK-së për sigurimin e dhënies dhe përhapjes së informacionit të saktë dhe transparent për mandatin dhe punën e Dhomave.

Objektivat e seminarit të këtij viti ishin vlerësimi i përparimit të bërë nga DHSK-ja në veprimtaritë e saj të komunikimit dhe ndërgjegjësimit pas marrjes së mendimeve dhe rekomandimeve nga Rrjeti gjatë seminarit të vitit të kaluar, diskutimi i mënyrave se si mund të përmirësohet më tej programi i DHSK-së për komunikim dhe ndërgjegjësim, si dhe marrja e sugjerimeve për veprimtari të mundshme të komunikimit dhe ndërgjegjësimit në të ardhmen.

Në fjalën e saj, Kryetarja Ekaterina Trendafilova i uroi grupit mirëseardhjen dhe theksoi përsëri se DHSK-ja i vlerëson së tepërmi mendimet e anëtarëve të Rrjetit dhe “ndihmën që i japin ata DHSK-së për të komunikuar me popullatat në Kosovë dhe në rajon që ndikohen më së shumti nga puna e gjykatës, ndër të tjera, përmes përhapjes së informacionit të saktë për mandatin dhe funksionimin e gjykatës”. Kryetarja nënvizoi rëndësinë shumë të madhe që ka suksesi i punës komunikuese dhe ndërgjegjësuese për suksesin e DHSK-së, si dhe u shprehu mirënjohjen e saj të pranishmëve për pjesëmarrjen e tyre në seminarin e këtij viti.

OJQ-të që morën pjesë në seminar këtë vit ishin Fondi për të Drejtën Humanitare, Kosovë; Fondi për të Drejtën Humanitare, Serbi; Qendra Evropiane për Çështje të Pakicave, Kosovë; Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Kosovë; Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Serbi; YUCOM; AKTIV; Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike; Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim; Integra; Qendra për Paqe dhe Tolerancë; ForumZFD, Serbi; ForumZFD, Kosovë, Romët në Veprim (Roma in Action) dhe Komiteti për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Që prej takimit të mëparshëm të Rrjetit në qershor të 2018-ës, DHSK-ja ka zhvilluar mbi 30 takime komunikimi dhe ndërgjegjësimi me shoqërinë civile në pjesë të ndryshme të Kosovës, si në Prishtinë, Obiliq, Graçanicë, Gjilan, Ferizaj, Shtërpcë, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë të Veriut, Hoçë të Madhe dhe Graboc, si dhe është takuar me shoqata të viktimave në Beograd, Nish dhe Kraljevë. Gjithashtu, DHSK-ja organizoi edhe një tryezë të rrumbullakët me gazetarët në Kosovë lidhur me raportimin e seancave gjyqësore në DHSK në të ardhmen, si edhe një seminar mbi raportimin e seancave gjyqësore në Nuremberg, në bashkëpunim me Akademinë Ndërkombëtare të Parimeve të Nurembergut.

Veprimtaritë e komunikimit dhe ndërgjegjësimit në Kosovë financohen me mbështetjen bujare të qeverisë zvicerane.

Burimi: 
Dhomat e specializuara