Që prej themelimit, Dhomat e Specializuara kanë qenë objekt i informacionit të rremë lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e institucionit.  Gjithashtu janë ndërmarrë orvatje për pengim të drejtësisë të cilat kanë rezultuar në dënime dhe pranime fajësie në Gjykatë, për frikësim të dëshmitarëve.

Dhomat e Specializuara janë institucion gjyqësor me mandat të përcaktuar në Shkëmbimin e Letrave, Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykata është e fokusuar në garantimin e proceseve penale të sigurt, të pavarur, të paanshëm, të drejtë dhe efikasë e njëkohësisht në mbrojtjen e fuqishme të dëshmitarëve dhe viktimave. 

Në kundërshtim me informacionin e rremë në lidhje me Gjykatën që shpërndahet vazhdimisht, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë për të akuzuarit në pajtim me standardet e njohura ndërkombëtare.

Gjykatësit e emëruar në Dhomat e Specializuara janë nga shtete anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet kontribuese. Për emërimin si gjykatës në DHSK, ata duhet të jenë persona me karakter moral të lartë, të paanshëm dhe me integritet të cilët plotësojnë kriteret në shtetet përkatëse të tyre për emërim në postet më të larta gjyqësore. Në pajtim me betimin e tyre gjyqësor, gjykatësit i kryejnë detyrat e tyre gjyqësore në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme, në shërbim të drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

Gjykatësit zbatojnë në mënyrë përputhëse konventat ndërkombëtare të përmendura në Kushtetutën e Kosovës, ndër të cilat Konventën Evropiane për Të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën përkatëse. Gjykatësit i kryejnë proceset në një mënyrë që mbron këto të drejta në ҫdo fazë të procesit gjyqësor. 

Rishikimi i vendimeve gjyqësore kryhet përmes procesit të apelit, ku përfshihen panelet e apelit dhe Paneli i Gjykatës Supreme të DHSK-së. Të akuzuarit gjithashtu mund t’i paraqesin referime Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në rast se mendojnë se janë shkelur të drejtat e tyre. Vlen të theksohet se të akuzuarit i kanë shfrytëzuar këto mjete juridike dhe e kanë bërë këtë në një numër aktvendimesh. 

Megjithëse në një shoqëri demokratike kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime, parimi i sundimit të ligjit do të thotë se askush nuk mund t’u diktojë gjykatësve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin. Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara ushtrojnë mandatin e tyre pa konsiderata, preferenca, ndikim ose ndërhyrje politike. 

Dhomat e Specializuara i përmbahen me vendosmëri angazhimit për ruajtjen e standardeve ndërkombëtare më të larta gjatë kryerjes së mandatit që u është besuar me pritshmërinë se të gjithë palët e angazhuara do të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse për të garantuar sundimin e ligjit.
 

Burimi
Dhomat e specializuara