Në urdhrin e lëshuar më 21 nëntor 2025, Trupi Gjykues lëshoi një numër të afateve dhe urdhrave në lidhje me përmbylljen e paraqitjes së argumenteve prej Mbrojtjes dhe fazat e mbetura të procesit.

Krahas aspekteve të tjera, Trupi Gjykues udhëzoi ekipet e Mbrojtjes së Thaçit dhe Krasniqit që të përmbyllin zyrtarisht paraqitjen e argumenteve prej tyre deri më 2 dhjetor 2025, ose më ditën e parë të punës pas lëshimit të vendimit të fundit prej Trupit Gjykues mbi kërkesat e mbetura për pranimin e provave, cilado data jetë më e hershme.

Sa i përket dosjeve gjyqësore përfundimtare dhe deklaratës për pasojat e krimeve të pretenduara në viktimat pjesëmarrëse, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e palëve për zgjatje afati dhe urdhëroi që këto parashtrime të dorëzohen deri më 19 janar 2026, vijuar nga deklaratat përmbyllëse, që janë planifikuar për t’u paraqitur nga 9 deri 13 shkurt 2026.

Trupi Gjykues shtyu për një fazë më të vonshme vendimin mbi modalitetet e procesit të mundshëm të zhdëmtimit. Ai gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes për procedurë të veçantë të përcaktimit të dënimit, duke konfirmuar se çdo përcaktim i dënimit, në rast se është i zbatueshëm, do të shqyrtohet me Aktgjykimin, dhe duke urdhëruar palët që të përfshijnë çdo parashtrim lidhur me përcaktimin e dënimit në dosjet gjyqësore përfundimtare të tyre.

E premte 21 Nëntor, 2025 17:45