• Numri i çështjes
    KSC-BC-2023-12
    Faza e çështjes
    Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me Hashim Thaçin, Bashkim Smakaj, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Pas konfirmimit të Aktakuzës, të pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm. Dosja e çështjes iu kalua Gjykatësit të Vetëm për gjykim më 12 nëntor 2025 dhe gjykimi filloi më 27 shkurt 2026. ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave të saj më 13 mars 2026. Gjatë fazës së paraqitjes së provave të Mbrojtjes, vetëm ekipet e Mbrojtjes së Thaçit dhe të Kilajt paraqitën prova, ndërsa një dëshmitare e thirrur nga Mbrojtja e Thaçit dëshmoi në sallë të gjyqit më 11 dhe 12 maj 2026. Të gjitha ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave të tyre midis 14 dhe 18 majit 2026.
  • Numri i çështjes
    KSC-BC-2023-10
    Faza e çështjes
    Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me Sabit Januzin, Ismet Bahtijarin dhe Haxhi Shalën në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Çështja gjyqësore kundër Januzit dhe Bahtijarit u bashkua me çështjen gjyqësore kundër Haxhi Shalës më 8 shkurt 2024. Pas marrëveshjeve për pranimin e fajësisë me ZPS-në, të tre të akuzuarit u vetëdeklaruan fajtorë në lidhje me pikat 2 dhe 3 të Aktakuzës së konfirmuar në dhjetor 2024. Më 4 shkurt 2025, Trupi Gjykues miratoi marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe shqiptoi dënimet me tre vjet burgim për Haxhi Shalën dhe me nga dy vjet burgim për Januzin dhe Bahtijarin. Të akuzuarit gjithashtu pranuan të paguajnë 500 euro si zhdëmtim për viktimën pjesëmarrëse në proces. Januzi dhe Bahtijari u liruan me kusht më 21 shkurt 2025 dhe përfunduan vuajtjen e dënimeve më 4 tetor 2025. Haxhi Shala u lirua me kusht më 10 shkurt 2026 pas modifikimit të dënimit të tij.
  • Numri i çështjes
    KSC-BC-2020-04/KSC-CA-2024-03
    Faza e çështjes
    Çështja gjyqësore e Pjetër Shalës ka të bëjë me ngjarje të cilat ndodhën midis majit dhe qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, në Shqipëri. Dosja e çështjes iu kalua Trupit Gjykues I më 21 shtator 2022. Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 dhe përfundoi më 17 prill 2024. Më 16 korrik 2024, Trupi Gjykues e shpalli Shalën fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 18 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim. Më 29 nëntor 2024, Trupi Gjykues urdhëroi Shalën të paguajë 208.000 euro si zhdëmtim për viktimat. Më 14 korrik 2025, Paneli i Apelit la në fuqi verdiktet e fajësisë së Shalës për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme. Duke qenë se miratoi, pjesërisht, tri pika që Mbrojtja paraqiti në apel, Paneli i Apelit uli dënimin e tij nga 18 në 13 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim. Në këtë çështje gjyqësore marrin pjesë tetë viktima.
  • Numri i çështjes
    KSC-BC-2020-06
    Faza e çështjes
    Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin në lidhje me ngjarje që ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë veriore. Dosja e çështjes iu kalua Trupit Gjykues II më 15 dhjetor 2022. Gjykimi filloi më 3 prill 2023. Më 15 prill 2025, ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave të saj. Më 16 dhe 17 korrik 2025, Mbrojtja e Viktimave paraqiti prova. Paraqitja e provave nga Mbrojtja filloi më 15 shtator 2025, ku vetëm ekipet e Mbrojtjes së Thaçit dhe Krasniqit paraqitën prova. Më 2 dhjetor 2025, të dy ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave të tyre, dhe më 18 dhjetor 2025 procedura e paraqitjes së provave u shpall e mbyllur. Deklaratat përmbyllëse u bënë nga 9 deri më 18 shkurt 2026. Në këtë çështje gjyqësore marrin pjesë 156 viktima.
  • Numri i çështjes
    KSC-BC-2020-07/KSC-CA-2022-01
    Faza e çështjes
    Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj shërbyen si kryetar dhe si nënkryetar të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çështja gjyqësore e tyre ka të bëjë me vepra penale të pengimit të drejtësisë. Gjykimi u zhvillua nga 7 tetori 2021 deri më 17 mars 2022. Më 18 maj 2022, Trupi Gjykues i shpalli të dy të akuzuarit fajtorë dhe i dënoi me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Më 2 shkurt 2023, Paneli i Apelit uli dënimin e tyre në katër vjet e tre muaj burgim dhe la në fuqi dënimet me gjobë. Pas vendimeve të Kryetares për modifikimin e dënimeve të tyre, Gucati u lirua me kusht më 17 tetor 2023 dhe Haradinaj më 14 dhjetor 2023. Që të dy përfunduan vuajtjen e dënimeve më 24 dhjetor 2024.
  • Numri i çështjes
    KSC-BC-2020-05/KSC-CA-2023-02
    Faza e çështjes
    Procesi gjyqësor kundër Salih Mustafës ka të bëjë me ngjarje në Zonën Operative të Llapit të UÇK-së gjatë periudhës së paraqitur në Aktakuzë. Gjykimi u zhvillua nga 15 shtatori 2021 deri më 15 shtator 2022. Më 16 dhjetor 2022, Trupi Gjykues e shpalli Mustafën fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim. Më 6 prill 2023, Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë 207.000 euro si zhdëmtim për viktimat. Më 14 dhjetor 2023, Paneli i Apelit uli dënimin e tij në 22 vjet burgim. Pas vendimit të Gjykatës Supreme më 29 korrik 2024, çështja iu kthye Panelit të Apelit për rishikimin e dënimit. Më 10 shtator 2024, Paneli i Apelit shqiptoi një dënim të ri me 15 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim. Në këtë çështje gjyqësore marrin pjesë tetë viktima.