Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët në lidhje me akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, Gjykatësi i Vetëm lëshoi një seri vendimesh të bëra publike së fundmi mbi disa aspekte që kanë të bëjnë me provat.
Gjykatësi refuzoi të pranonte dëshminë si ekspert të dëshmitarit të ZPS-së Koen Herlaar, i cili dha dëshminë e tij në gjykatë në mars, dhe konstatoi se ajo nuk mund të vlerësohej siç duhet për shkak të aspekteve të lidhura me metodologjinë dhe dëshminë e dëshmitarit. Në mënyrë të ngjashme, Gjykatësi refuzoi pranimin si provë të një raporti të përgatitur nga dëshmitari DHT-02 i Mbrojtjes së Thaçit, me konstatimin se asaj i mungonte vlera provuese.
Gjykatësi pranoi si provë deklaratën e dëshmitarit (DHT-01) të paraqitur prej Mbrojtjes së Thaçit sipas rregullës 153, lidhur me vlerësimin e audioincizimeve dhe transkripteve përkatëse, dhe vuri në dukje se vlera përfundimtare e saj do të vlerësohej në një fazë të mëvonshme.
Në një vendim të ndërmjetëm të veçantë në lidhje me dëshmitarin DHT-03 të Mbrojtjes së Thaçit, Gjykatësi konstatoi se raporti i propozuar, në lidhje me fonetikën, mund të vlerësohet vetëm pas dëshmisë së dëshmitarit. Rrjedhimisht, afati i fazës së paraqitjes së provave u zgjat, përfshirë lejimin e dhënies së dëshmisë së këtij dëshmitari gjatë javës së 11 majit 2026, pas së cilës do të merret vendimi mbi pranimin ose jo të saj.