Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë marrë disa pyetje këto ditët e fundit për kushtet në objektin e paraburgimit në Hagë dhe dëshirojnë t’i japin publikut disa informacione të rëndësishme për këtë aspekt.
Objekti i paraburgimit i DHSK-së funksionon në përputhje të plotë me kriteret e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të njeriut. Të gjitha kushtet përmbushin ose tejkalojnë standardet evropiane dhe ndërkombëtare, ndër të cilat Rregullat Standarde Bazë të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve dhe Rregullorja Evropiane e Burgimit. Në objektin e paraburgimit ndalohen të gjitha format e diskriminimit.
Rregullorja e Paraburgimit u hartua në këshillim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili kryen inspektime dhe mbikëqyrje të pavarur të kushteve të paraburgimit. Kjo do të thotë se KNKK-ja mund të kryejë inspektime të rregullta, të palajmëruara dhe të pavarura për të këqyrur kushtet e paraburgimit dhe për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut, të të drejtës ndërkombëtare dhe të standardeve të pranuara të trajtimit.
Të paraburgosurit në Hagë kanë çdo ditë mundësinë të dalin në ajër të pastër dhe të bëjnë ushtrime fizike. Ata mund të marrin pjesë në sporte, si tenis dhe futboll; të merren me aktivitete të kohës së lirë dhe aktivitete zbavitëse, si kopshtari dhe pikturë; dhe mund të gatuajnë dhe të hanë së bashku dhe të kalojnë kohë së bashku. Të paraburgosurit mund të ndjekin edhe shërbesa fetare. Ata kanë qasje në materiale shkrimi dhe u ofrohen mësime gjuhe. Po kështu, ata mund të ndjekin programe në radio dhe programe televizive në gjuhën shqipe, si edhe kanë libra, revista dhe gazeta. Standardet e kujdesit mjekësor në objektin e paraburgimit përmbushin ose tejkalojnë ato që janë të disponueshme në përgjithësi për qytetarët në Holandë.
Sa i përket ushqimit, të paraburgosurve u shërbehen tri shujta në ditë. Ushqimi është i shumëllojshëm, i përgatitur mirë dhe me cilësi dhe sasi të kënaqshme në përputhje me standardet e ushqyeshmërisë. Krahas kësaj, të paraburgosurit që dëshirojnë ta përgatisin vetë ushqimin e tyre mund të përdorin pajisjet dhe mjediset e disponueshme për gatim, si dhe mund të blejnë, me shpenzimet e tyre, artikuj ushqimorë nga një furnizues i jashtëm.
Të paraburgosurit nuk mund të mbajnë para të gatshme, por në objektin e paraburgimit funksionon një sistem transparent kredie ku në llogarinë e të paraburgosurit mund të shtohen para të cilat mund të përdoren për të paguar për artikujt e blerë nga furnizues të jashtëm.
Sa i përket jetës familjare, sistemi në objektin e paraburgimit i ofron çdo të paraburgosuri mundësi të arsyeshme për të ruajtur marrëdhëniet familjare dhe marrëdhënie të tjera personale, si kontakte të rregullta me familjen dhe miqtë përmes thirrjeve telefonike dhe letërkëmbimit, krahas vizitave personale dhe me videolidhje që organizohen çdo muaj. Çdo i paraburgosur ka dhjetë ditë në muaj për vizita me familjen dhe miqtë. Të paraburgosurit kanë vizita të rregullta private me bashkëshortet dhe fëmijët jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të oficerëve të paraburgimit.
Krahas mbikëqyrjes nga KNKK-ja, kushtet e paraburgimit mbikëqyren në mënyrë të pavarur edhe nga Avokati i Popullit i DHSK-së, i cili ka kryer 12 vizita mbikëqyrëse, e fundit nga të cilat ishte në tetor 2026.
Të paraburgosurit mund t’i paraqesin në çdo kohë ankesë shefit të paraburgimit, Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, ose KNKK-së. Në qoftë mendojnë se zëri i tyre nuk është dëgjuar, procedura e ankesave u lejon t’ia paraqesin ankesën Administratores dhe, në qoftë se nuk janë të kënaqur me përgjigjen e Administratores, mund t’i drejtohen një paneli gjykatësish.