Prishtinë, 07 nëntor 2016 – Z. David Schwendiman, i cili u emërua tashmë si Kryeprokuror i Zyrës së sapoformuar të Prokurorit të Specializuar, është në vizitë në Prishtinë, ku ai po takohet me përfaqësues të lartë të qeverisë së Kosovës, zyrtarë të gjyqësorit, si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.
 
Sot Z. Schwendiman u takua me Kryeministrin Isa Mustafa, Ministren e Drejtësisë Dhurata Hoxha, dhe Kryeprokurorin e Shtetit Aleksandër Lumezi. Ai do të takohet gjithashtu me Shefen e EULEX Kosova, Ambasadorja Alexandra Papadopoulou, Shefen e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së në Kosovë, Ambasadorja Nataliya Apostolova, Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm, Dr. Zahir Tanin, dhe anëtarë të tjerë të bashkësisë diplomatike.
 
Prokurori i Specializuar i falënderoi bashkëfolësit e tij për mbështetjen e tyre të vazhdueshëm në ngritjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe rikonfirmoi zotimin e tyre për ta çuar procesin deri në fund. Ai nuk diskutoi detaje në lidhje me përmbajtjet e hetimeve.
 
Z. Schwendiman nënvizoi pavarësinë e tij, e cila qartazi shprehet në Ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili u votua në Kuvendin e Kosovës më gusht 2015. Z. Schwendiman theksoi që ai do të udhëhiqet në përmbushjen e mandatit të tij vetëm nga faktet dhe ligji, që ai do të kryejë punën e tij pa frikë e pa hatër, dhe që ai është i zotuar të udhëheqë një proces i cili është legjitim dhe që perceptohet si i tillë nga të gjithë ata të cilët preken nga puna e prokurorisë.

Burimi: 
Zyra e Prokurorit tё specializuar