Dhomat e Specializuara sjellin në vëmendje se neni 162(11) i Kushtetutës së Republikës së Kosovës i jep qartësisht Zyrës së Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara “përgjegjësi ekskluzive për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”. 

Dhomat e Specializuara i referohen ftesës së marrë për pjesëmarrje në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Avokati i Popullit i Kosovës, z. Naim Qelaj,  rreth  “konstatimeve dhe rekomandimeve ex officio të institucionit të tij mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.  

Dhomat e Specializuara dëshirojnë të komunikojnë se pranimi i ftesës do të ishte i papërshtatshëm. Së pari, në bazë të nenit 162 (11) të Kushtetutës dhe nenit 34 (9) të Ligjit mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara, z. Pietro Spera, ka autoritetin ekskluziv për të  monitoruar, mbrojtur dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të personave që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Krahas kësaj, Komiteti Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq mbikëqyr dhe inspekton objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara për të garantuar respektimin e standardeve më të larta ndërkombëtare. Mungesa e kompetencës së z. Qelaj në lidhje me Dhomat e Specializuara i është komunikuar më parë atij dhe i është shpjeguar publikut në deklaratën “Dhomat e Specializuara Japin Sqarime Korrigjuese në lidhje me Pasqyrimin e Konstatimeve të Raportit të Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe të Uellsit”. 

Së dyti, kujtojmë se vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e lëshuara nga gjykatësit e pavarur dhe të paanshëm të Dhomave të Specializuara lëshohen në përputhje me standardet më të larta të së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane të të drejtave të njeriut.  Kur palët nuk janë pajtuar  me vendimet gjyqësore, ato kanë pasur në dispozicion – dhe kanë shfrytëzuar – mjetet juridike të ndryshme të përcaktuara në kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara, përfshirë apelet para Panelit të Apelit, Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara.   

DHSK-ja vazhdon të përqendrohet në mandatin e saj për të garantuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të mishëruara në Kushtetutën dhe për të mundësuar procese penale të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase.    
 

Burimi
Dhomat e specializuara