Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes ka caktuar datën për shqiptimin e Aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurorja e Specializuar k. Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, për më 17 nëntor 2026, në orën 10:00 paradite. 

Seanca do të jetë publike dhe mund të përcillet në shqipe, anglishte dhe serbishte përmes faqes së internetit të DHSK-së, ose nga galeria për publikun në mjediset e gjykatës.

Për të ndjekur seancën nga galeria për publikun nevojitet regjistrim paraprak.

Gazetarët që dëshirojnë të incizojnë seancën nga qendra për mediat, janë gjithashtu të lutur të regjistrohen paraprakisht. 

Për t’u regjistruar paraprakisht, ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik (email) në adresën [email protected] me emrin dhe mbiemrin tuaj, shtetësinë, datën e lindjes dhe numrin e pasaportës ose të letërnjoftimit, dhe në rreshtin e lëndës shënoni “Aktgjykimi”. 

U lutemi përfaqësuesve të medias të dërgojnë të skanuar kartelën e shtypit dhe të bëjnë me dije nëse dëshirojnë ta përcjellin seancën nga galeria për publikun apo nga qendra për mediat.   

Afati i fundit për regjistrimin paraprak është data 27 tetor 2026, në orën 16:00. 

Ju lutem kini parasysh se vendi juaj konsiderohet i konfirmuar vetëm pasi të keni marrë konfirmimin me postë elektronike. Konfirmimet me postë elektronike do të dërgohen dy javë para shpalljes së aktgjykimit.

Incizimi audiovizual i shpalljes së Aktgjykimit do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të DHSK-së dhe në YouTube Channel.

Gazetarët që kanë pyetje mund të kontaktojnë Zyrën e Shtypit në adresën [email protected]. Gjithashtu, çdo të enjte në orën 14:30, zëdhënësit e DHSK-së mbajnë informime të rregullta javore për shtypin përmes internetit, ku gazetarët mund të bëjnë pyetje. 

Gazetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në informimin për shtyp përmes internetit duhet të dërgojnë mesazh në adresën [email protected] dhe ne do t’u dërgojmë lidhjen.

Historiku i çështjes dhe përmbledhje e akuzave

Aktakuza kundër pesë të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u bë publike më 6 dhjetor 2024. Aktakuza e konfirmuar e ndryshuar u dorëzua më 16 prill 2025.

Sipas Aktakuzës, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave më vete dhe të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi u dha Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut informacion konfidencial për dëshmitarë të Prokurorisë, dhe, së bashku me ta, si dhe me individë të tjerë të paakuzuar, tentoi të ndikonte në dëshmitë e disa dëshmitarëve me qëllim që të pengonte zyrtarët e DHSK-së në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare. Në Aktakuzë gjithashtu pretendohet se z. Thaçi ra në marrëveshje me z. Kuçi që ky i fundit të kontaktonte dëshmitarë të Prokurorisë në gjykimin për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, në kundërshtim me një urdhër që e ndalontë një veprim të tillë, përveçse në përputhje me disa procedura të caktuara. Gjithashtu pretendohet se z. Kuçi ka kontaktuar edhe një dëshmitar tjetër të Prokurorisë me iniciativën e vet.

Kundër Hashim Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu janë akuzuar secili me nga një akuzë për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe me një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara. Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit, ndërsa Hajredin Kuçi u thirr për paraqitjen e parë të tij në gjykatë. Më 3 dhjetor 2025, Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes urdhëroi lirimin me kusht të Isni Kilajt, që u pasua nga urdhri për lirimin me kusht të Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut më 3 shkurt 2026.

Gjykimi filloi më 27 shkurt 2026, dhe paraqitja e provave u bë nga 27 shkurti deri më 5 gusht 2026. Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes e deklaroi çështjen gjyqësore të mbyllur më 14 shtator 2026, pas deklaratave përmbyllëse. 

Më shumë informacion për çështjen gjyqësore gjendet në faqen e çështjes gjyqësore Thaçi dhe të tjerët. 

 

 

Burimi
Dhomat e specializuara