Më 15 shtator 2025, Mbrojtja në gjykimin e z. Thaçi dhe të bashkakuzuarve të tij do të fillojë paraqitjen e provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me dëshmitarin e parë të thirrur nga Mbrojtja e z. Thaçi. Seanca pritet të jetë kryesisht publike. Seanca do të fillojë në orën 9:00 dhe mund të përcillet në shqip, serbisht dhe anglisht përmes faqes së internetit të DHSK-së, me 45 minuta vonesë.
Për shkak të interesit të lartë për seancën, për ta ndjekur seancën nga galeria për publikun në mjediset e gjykatës në Hagë kërkohet regjistrim paraprak. Për t’u regjistruar paraprakisht dërgoni një mesazh elektronik (email) në adresën [email protected]. Ju lutem mbani parasysh se vendi juaj konfirmohet vetëm pasi të keni marrë konfirmimin me mesazh elektronik (email). Mesazhet elektronike të konfirmimit do të dërgohen jo më vonë se 11 shtatori 2025. Organet e interesuara të medias duhet të njoftojnë nëse kanë nevojë t’u rezervohet një vend në qendrën për median.
Ju lutemi personave që do të ndjekin seancën nga galeria për publikun të mbajnë parasysh Rregullat e sjelljes në mjediset e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Historiku i çështjes gjyqësore
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është dhe Aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut. Pretendohet se krimet u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në Aktakuzë pretendohet se z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale, në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.
Pas arrestimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 4 dhe 5 nëntor 2020.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). ZPS-ja mbylli paraqitjen e provave më 15 prill 2025. Mbrojtja e Viktimave, që përfaqëson 155 viktima pjesëmarrëse, paraqiti provat e veta në korrik 2025. Deri tani, në këtë çështje gjyqësore kanë dhënë dëshmi në sallën e gjyqit 127 dëshmitarë – 125 të thirrur nga Prokuroria dhe dy nga Mbrojtja e Viktimave. Gjithashtu janë pranuar 137 deklarata dëshmitarësh vetëm me shkrim.
Në një urdhër të kohëve të fundit, Trupi Gjykues caktoi ditën e premte, 14 nëntor, si datën e synuar për përfundimin e provave të Mbrojtjes, ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit, cilado të jetë më herët. Trupi Gjykues theksoi se kjo datë është thjesht vlerësim i përafërt i Trupit Gjykues për kohëzgjatjen e provave të Mbrojtjes dhe mund të afrohet apo shtyhet, sipas nevojës.
Trupi Gjykues informoi palët dhe pjesëmarrësit se duhet të përgatiten të dorëzojnë dosjet përfundimtare dhe deklaratën mbi pasojat e veprave penale të pretenduara ndaj viktimave pjesëmarrëse në proces para të hënës, 22 dhjetor 2025.
Data dhe ora e seancave publike të planifikuara mund të shihen në kalendarin e gjykatës në faqen e internetit të DHSK-së. Gjithashtu, në kanalin e DHSK-së në YouTube do të jen edhe incizimet e seancave publike.