Sjellja brenda ndërtesave të DHSK-së:

  • Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion gjyqësor dhe vizitorët në ndërtesë duhet t’u përmbahen rregullave të sjelljes. Vizitorët janë të obliguar që t’u përmbahen të gjitha udhëzimeve që u jepen nga punonjësit e sigurisë.

  • Në ndërtesat e Dhomave të Specializuara të Kosovës nuk lejohen filmimet, incizimet me zë dhe fotografimet. Demonstrimet, përfshirë me anë të mbajtjes së tabelave, shenjave, posterave dhe/ose flamurëve, ndalohen rreptësisht në të gjithë ndërtesën. Nuk lejohet sjellja e ushqimeve dhe e pijeve në ndërtesë.

  • Ndonëse për vizitorët nuk ka një kod të caktuar veshjeje, u lutemi vizitorëve të veshin tesha të përshtatshme. Personat e veshur me tesha provokuese ose mbi të cilat ka shenja ose figura që mund të shkaktojnë prishjen e rregullit dhe të qetësisë ose që janë fyese, nuk do të lejohen të hyjnë në ndërtesë.

  • Vizitorët që nuk u përmbahen rregullave, që nuk zbatojnë udhëzimet e punonjësve të sigurisë ose që kryejnë sjellje të tjera të papërshtatshme dhe prishje të rregullit dhe të qetësisë mund të nxirren jashtë mjediseve nga oficerët e sigurisë dhe të mos u lejohet më qasje në to.

Sjellja në galerinë për publikun

  • Të gjithë të pranishmëve në sallën e gjyqit dhe në galerinë për publikun do t’u kërkohet të ngrihen në këmbë kur ftuesi i gjyqit lajmëron hyrjen e gjykatësve, dhe prej tyre pritet të qëndrojnë në këmbë deri sa të jenë ulur gjykatësit. Kjo procedurë përsëritet edhe kur mbyllet seanca. Në çdo kohë tjetër, vizitorët duhet të rrinë të ulur.

  • Në galerinë për publikun nuk lejohen ushqime dhe pije.

  • Nuk lejohen aparatet audio, video, për përpunimin e informacionit ose me të cilat mund të bëhen incizime. Këto përfshijnë, ndër të tjera, telefonat celularë, aparatet fotografike ose video, kompjuterët portabël (laptops) dhe orët e dorës inteligjente (smart watches). Të gjitha pajisjet elektronike duhet të lihen në dollapët në zonën e pritjes së publikut.

  • Ndalohet rreptësisht mbajtja e tabelave, posterave dhe/ose flamurëve të çdo lloji.

  • Nuk lejohet të tregohet me gisht ose të bëhen gjeste në drejtim të ndokujt në sallën e gjyqit.

  • Nuk lejohen sjelljet që mund të prishin rregullin dhe qetësinë e seancave gjyqësore ose të personave të tjerë të pranishëm në mjediset publike.

  • Vizitorët nuk lejohen të lexojnë gazeta, libra, revista, dhe ata duhet të ulen në karriget e galerisë. Nuk lejohet ulja nëpër shkallë dhe korridoret midis karrigeve.

  • Në qoftë se gjykimi hyn në seancë private ose të mbyllur, vizitorët në galerinë për publikun duhet të mbajnë qetësi, sepse seanca në sallën e gjyqit vazhdon. Punonjësi i sigurisë mund ta zbrazë galerinë për publikun në rast të një seance private ose të mbyllur që vazhdon gjatë.

  • Vizitorët janë të obliguar që t’u përmbahen të gjitha udhëzimeve që u jepen nga punonjësit e sigurisë.

 

Ju lutemi vini re se kryetari i panelit të gjykatësve mund të kërkojë largimin e cilitdo personi nga galeria për publikun në rast të prishjes së rregullit dhe qetësisë. Kryegjykatësi mund të urdhërojë kontrollimin e cilitdo personi të pranishëm në sallën e gjyqit dhe në galerinë për publikun, në qoftë se është e nevojshme për arsye sigurie, si edhe për administrimin e duhur të drejtësisë.