Raporti vjetor i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vitin 2024 tani mund të gjendet në faqen e internetit të DHSK-në në tri gjuhët zyrtare të Gjykatës: shqipe, serbishte dhe anglishte. Raporti ofron informacion për arritjet e rëndësishme gjatë vitit 2024, si dhe për detyrat dhe punën e Zyrës së pavarur të Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Gjatë vitit 2024, përfundoi një çështje gjyqësore për krime të luftës, u shqiptua aktgjykimi në një çështje të dytë gjyqësore për krime të luftës dhe një çështje gjyqësore në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë iu transferua trupit gjykues. Pas konfirmimit të aktakuzës kundër pesë të akuzuarve për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, u kryen arrestime dhe filloi procedura paraprake. Procesi gjyqësor në çështjen për krime të luftës Thaçi dhe të tjerët po përparon në mënyrë efikase dhe dy personat e parë të dënuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, i kanë kryer dënimet.
Në tetor 2024, Kryetarja Ekaterina Trendafilova shkoi në Kosovë për t’u takuar me përfaqësues të palëve të interesuara dhe të Ministrisë së Drejtësisë, për t’u dhënë informacionin më të fundit publik në lidhje me mandatin, administrimin dhe ecurinë e proceseve në Dhomat e Specializuara. Në nëntor, gjykatëse Trendafilova organizoi takime në internet me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave të Kosovës për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre në lidhje me veprimtarinë publike të Gjykatës.
Më shumë informacion për aktivitetet e DHSK-së dhe ZPS-së gjatë vitit 2024 gjeni në Raportin e Vitit 2024.
