Dejvid Shvendimanit (David Schwendiman) shërbeu si Prokuror i Specializuar nga 1 shtatori 2016 deri në 31 mars 2018.

David Schwendiman
 Dejvid Shvendiman (klikoni për të shkarkuar)

Z. Shvendiman ishte më parë Prokuror Federal i SHBA-së dhe një herë Zëvendës Kryeprokuror dhe Shef i Departamentit Special për Krime Lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ai u emërua Prokuror i Specializuar kur Task Forca Hetimore Speciale (TFHS) u shndërrua në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), pasi kishte qenë Prokuror Udhëheqës i TFHS-së nga qershori i vitit 2015.

Përpara se t’i bashkohej TFHS-së, ai kishte punuar në Kabul, Afganistan, si Ndihmës Inspektor i Përgjithshëm Special/Drejtor i Planifikimit Paraprak nën Inspektorin e Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit dhe, para kësaj, si Atashe i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së në ambasadën amerikane.

Nga viti 2006 deri në 2009, z. Shvendiman shërbeu si prokuror ndërkombëtar në Departamentin Special për Krime Lufte në Zyrën e Prokurorit në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku hetoi dhe ndoqi penalisht krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë luftës së Bosnjës 1992-1995. Nga nëntori i vitit 2007 deri në fund të vitit 2009 ishte Zëvendës Kryeprokuror dhe Shef i Departamentit Special për Krime Lufte.

Z. Shvendiman përfaqësoi Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së në planifikimin, përgatitjen dhe zbatimin e masave të sigurisë në tri Lojëra Olimpike – në Sidni 2000, Solt Lejk Siti 2002 dhe Athinë 2004. Ai kreu gjithashtu detyra të shumta për Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së në Bahrein, Bangladesh, Tajlandë dhe Vietnam.

Z. Shvendiman e filloi karrierën e tij si prokuror në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit Utah në vitin 1976.  Ai u kthye në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit Utah në vitin 1984 pasi shërbeu për shtatë vjet si këshilltar juridik në Marinën Ushtarake të SHBA-së, ku mori gradën nënkomandant. Ai iu bashkua Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së si Ndihmës Prokuror Federal i SHBA-së në Rajonin e shtetit Utah në vitin 1986, ku kreu funksione të ndryshme, ndër të tjera edhe si Jurist i lartë për Procedimet, Ndihmësprokuror i Parë Federal i SHBA-së, dhe Prokuror i Përkohshëm Federal i SHBA-së në Rajonin e shtetit Utah, para se të pensionohej nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në vitin 2014.

Z. Shvendiman u diplomua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Utahut (sot Fakulteti Juridik S.J. Quinney) në vitin 1976, ku ka punuar si profesor i jashtëm i së drejtës që prej vitit 1994.