Trupi Gjykues ka caktuar datën për shqiptimin e Aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k. Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për më 16 shtator, në orën 10:00.
Seanca do të jetë publike dhe mund të përcillet në shqipe, anglishte dhe serbishte përmes faqes së internetit të DHSK-së ose nga galeria për publikun në mjediset e gjykatës.
Në urdhrin për caktimin e datës, Trupi Gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me Rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor, dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes.
Për të ndjekur seancën nga galeria për publikun nevojitet regjistrim paraprak.
Janë të lutur të regjistrohen paraprakisht edhe gazetarët që dëshirojnë të incizojnë seancën nga qendra e medias.
Për t’u regjistruar paraprakisht, dërgoni një mesazh elektronik (email) në adresën [email protected] me emrin dhe mbiemrin tuaj, shtetësinë, datën e lindjes dhe numrin e pasaportës ose të letërnjoftimit, dhe në rreshtin e lëndës shënoni “Aktgjykimi”.
U lutemi përfaqësuesve të medias të dërgojnë të skanuar kartelën e shtypit dhe të bëjnë me dije nëse do ta përcjellin seancën nga galeria për publikun apo nga qendra e medias.
Afati i fundit për regjistrimin paraprak është të premten, 24 korrik 2026, në orën 18:00.
Ju lutem kini parasysh se vendi juaj konsiderohet i konfirmuar vetëm pasi të keni marrë konfirmimin me postë elektronike. Konfirmimet me postë elektronike do të dërgohen dy javë para shpalljes së aktgjykimit.
Incizimi audiovizual i shpalljes së Aktgjykimit do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të DHSK-së dhe në YouTube Channel.
Gazetarët që kanë pyetje mund të kontaktojnë Zyrën e Shtypit në adresën [email protected]. Gjithashtu, çdo të enjte në orën 14:30, zëdhënësit e DHSK-së mbajnë informime të rregullta javore për shtypin përmes internetit, ku gazetarët mund të bëjnë pyetje.
Gazetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në informimin për shtyp përmes internetit duhet të dërgojnë mesazh në adresën [email protected] dhe ne do t’ju dërgojmë lidhjen.
Historiku i çështjes dhe përmbledhje e akuzave
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022 dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është dhe Aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.
Ndaj secilit të akuzuar janë ngritur, mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale, gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Ndaj secilit të akuzuar janë paraqitur gjithashtu katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen së paku që prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në Aktakuzë pretendohet se z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale, sipas formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.
Pas arrestimit nga Prokurori i Specializuar, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor 2020.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave më 15 prill 2025. Mbrojtja e Viktimave, që përfaqëson 156 viktima pjesëmarrëse, filloi paraqitjen e provave të saj në korrik 2025, ndërsa ekipet e Mbrojtjes së Thaçit dhe Krasniqit paraqitën provat e tyre midis shtatorit dhe dhjetorit 2025.
Trupi Gjykues mbylli fazën e paraqitjes së provave më 18 dhjetor 2025. Në këtë çështje gjyqësore kanë dhënë dëshmi 134 dëshmitarë, 125 të thirrur nga Prokuroria, dy të thirrur nga Mbrojtja e Viktimave dhe shtatë të thirrur nga ekipet e Mbrojtjes. Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga data 9 deri në 18 shkurt 2026.
Më shumë informacion për çështjen gjyqësore gjendet në faqen e çështjes gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.