• E martë 6 Tetor, 2026 11:10

    Thaçi dhe të tjerët: Trupi Gjykues konfirmon vendimin mbi procesin e zhdëmtimit

    Më 2 tetor 2026, pasi shqyrtoi kundërshtimet e paraqitura nga Mbrojtja, Trupi Gjykues II konfirmoi vendimin e mëparshëm të tij për zhvillimin e procesit të zhdëmtimit dhe lëshimin e urdhrit për zhdëmtim në çështjen Thaçi dhe të tjerët, si dhe vendimin për të mos i referuar viktimat për padi civile në Kosovë. Trupi Gjykues gjithashtu konfirmoi të njëjtat afate që kishte caktuar në Urdhrin e 16 shtatorit 2026.
    Trupi Gjykues caktoi afate shtesë për paraqitjen e provave në lidhje me procesin e zhdëmtimit. Më shumë hollësi do të gjeni në Vendim.

  • E martë 29 Shtator, 2026 17:31

    Thaçi dhe të tjerët: Zgjatet afati për dorëzimin e njoftimeve për apel; përcaktohen modalitetet për pjesëmarrjen e viktimave

    Më 29 shtator 2026, Paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht kërkesën e Mbrojtjes për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër Aktgjykimit. Paneli miratoi të njëjtën zgjatje afati edhe për ZPS-në dhe caktoi datën 27 nëntor 2026 për dorëzimin e njoftimeve për apel nga ekipet e Mbrojtjes dhe nga ZPS-ja. Më shumë hollësi gjeni në Vendim. 

    Në një vendim tjetër të lëshuar sot, Paneli i Apelit miratoi modalitetet për pjesëmarrjen e viktimave në procesin e apelit, në të cilin vendosi që të zbatohet një praktikë e ngjashme me atë që u zbatua gjatë gjykimit në shkallë të parë, me përshtatjet e nevojshme.

  • E martë 29 Shtator, 2026 14:40

    Thaçi dhe të tjerët: Caktohet Paneli i Apelit

    Pas kërkesës konfidenciale nga ekipet e Mbrojtjes së Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit për zgjatjen e afatit për njoftimet për apel, më 22 shtator 2026, Kryetarja e Dhomave të Specializuara caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit, të përbërë nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, për të vendosur mbi këtë kërkesë dhe mbi të gjitha parashtrimet e tjera në kuadër të njoftimit për apel në lidhje me Aktgjykimin në këtë çështje. 

  • E enjte 17 Shtator, 2026 10:30

    Thaçi dhe të tjerët: Vendimi i Trupit Gjykues në lidhje me zhdëmtimet

    Pas shpalljes së Aktgjykimit, Trupi Gjykues II vendosi që të zhvillojë procesin në lidhje me zhdëmtimet dhe të lëshojë urdhër për zhdëmtim në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët sipas nenit 22(8) të Ligjit dhe rregullës 168 të Rregullores dhe nuk do t’i referojë viktimat për padi civile në Kosovë, në qoftë se nuk do të paraqiten kundërshtime nga Mbrojtja. Këto kundërshtime duhet të paraqiten deri më 22 shtator, ndërsa përgjigjet e Mbrojtjes së Viktimave dhe të ZPS-së duhet të dorëzohen deri më 25 shtator.
    Trupi Gjykues gjithashtu urdhëroi Mbrojtjen e Viktimave të dorëzojë kërkesën për zhdëmtime deri më 14 tetor, ndërsa ZPS-ja dhe ekipet e Mbrojtjes duhet t’i dorëzojnë përgjigjet ndaj saj deri më 4 nëntor 2026.
    Më shumë hollësi, përfshirë edhe lidhur me afatet e tjera të caktuara nga Trupi Gjykues, mund të gjeni në urdhër.

  • E mërkurë 16 Shtator, 2026 12:35

    Ҫështja Thaҫi dhe të tjerët: shpallet aktgjykimi

    Trupi Gjykues sot shqiptoi aktgjykimin në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit ishin penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar kundër 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.

    Trupi Gjykues i shpalli të akuzuarit të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi Prokurori i Specializuar nuk arriti të vërtetonte jashtë dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer sulm i përhapur gjerësisht ose sistematik kundër një popullate civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.

    Trupi Gjykues dënoi Hashim Thaҫin me 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet burgim, Rexhep Selimin me 13 vjet burgim dhe Jakup Krasniqin me 25 vjet burgim, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.

    Më shumë hollësi në Komunikatën për shtyp.

  • E martë 11 Gusht, 2026 10:36

    Thaçi dhe të tjerët: vazhdohet paraburgimi i Hashim Thaçit (gusht 2026)

    Në vendimin e fundit për rishikimin e paraburgimit të datës 10 gusht 2026, Trupi Gjykues në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit. Trupi Gjykues konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që i akuzuari të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra penale të tjera.

    Mbani parasysh se ky është vendim tjetër nga vendimi për rishikimin e paraburgimit që u lëshua më 31 korrik 2026 në ҫështjen gjyqësore mbi administrimin e drejtësisë, për të cilin informuam javën e shkuar.

  • E hënë 10 Gusht, 2026 12:00

    Ҫështja Thaҫi dhe të tjerët: Vendim i ri në lidhje me pjesëmarrjen e viktimave (korrik 2026)

    Më 29 korrik 2026, Trupi Gjykues në Thaҫi dhe të tjerët miratoi kërkesën e Mbrojtjes së Viktimave për të lejuar një të afërm të ngushtë të një viktime të vdekur, për të marrë pjesë sërish në këtë proces.
    Si rezultat, numri I gjithsejtë i viktimave pjesëmarrëse në këtë ҫështje mbetet 156.

  • E enjte 16 Korrik, 2026 10:26

    Thaçi dhe të tjerët.: Vazhdimi i paraburgimit për Veselin dhe Krasniqin; rrëzohet kërkesa për lirim të përkohshëm

    Në vendimet e fundit lidhur me rishikimin e paraburgimit të 15 korrikut 2026, Trupi Gjykues II urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit dhe rrëzoi kërkesat e tyre për lirim të përkohshëm. Trupi Gjykues konstatoi se ekzistojnë ende rreziqet se të akuzuarit mund të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë krime të tjera.
    Më shumë hollësi mund të gjenden në vendimet në dokumentacionin gjyqësor publik të DHSK-së.

  • E enjte 2 Korrik, 2026 13:10

    Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: Trupi Gjykues i rikujton Thaçit të respektojë kushtet e modifikuara të paraburgimit

    Më 1 korrik 2026, Trupi Gjykues II nxori versionin e redaktuar publik të një urdhri ku i rikujtonte Hashim Thaçit të  respektonte kushtet e modifikuara të paraburgimit të vendosura më 1 dhjetor 2023, i ndryshuar më pas, si dhe rregullat dhe rregulloret përkatëse të paraburgimit. Trupi Gjykues udhëzoi gjithashtu Mbrojtjen e Thaçit t’i rikujtonin atij këto detyrime.
     
    Urdhri doli pas raporteve më të fundit të Administratores lidhur me disa ngjarje që rezultuan se janë në shkelje të kushtet e modifikuara të paraburgimit dhe rregulloreve përkatëse të paraburgimit. Trupi Gjykues konstatoi se, Thaçi kishte shfaqur në mënyrë të përsëritur shenja mosrespektimi dhe bëri me dije se do të shqyrtonte mundësinë e masave edhe më të rrepta nëse do të ndodhnin shkelje të tjera.
     
    Më shumë hollësi gjenden në urdhin e plotë në dokumentacionin gjyqësor publik të DHSK-së.