• E mërkurë 16 Korrik, 2025 10:15

    Thaçi dhe të tjerët: rrëzohet mocioni sipas rregullës 130

    Gjatë seancës së sotme gjyqësore, Trupi Gjykues II rrëzoi mocionin e përbashkët të Mbrojtjes për hedhjen poshtë të akuzave në bazë të rregullës 130 të Rregullores. Sipas Trupit Gjykues, mocioni i Mbrojtjes kundërshton vetëm një aspekt të provave të ZPS-së – konkretisht, nëse ka ekzistuar konflikt i armatosur në Kosovë para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999. Trupi Gjykues arriti në përfundimin se, sipas Rregullores, nuk ka kompetenca për të rrëzuar aspekte të tilla në këtë fazë të procesit dhe shtoi se aspektet në lidhje me kuadrin kohor të konfliktit të armatosur do të trajtohen në aktgjykimin e formës së prerë.

    DHSK-ja do të ofrojë videon dhe/ose transkriptin e plotë të seancës së sotme gjyqësore, përfshirë vendimin gojor të Trupit Gjykues, sa më shpejt që të jetë e mundshme.

  • E shtunë 12 Korrik, 2025 14:15

    Thaҫi dhe të tjerët: vendimi sipas rregullës 130 do të lëshohet gojarisht më 16 korrik

    Në vendimin e tij të datës 11 korrik, Trupi Gjykues në çështjen Thaҫi dhe të tjerët informoi palët se më 16 korrik, në orën 09:00, do të lëshojë gojarisht vendimin e tij mbi mocionet e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave, në bazë të rregullës 130 të Rregullores. Po kështu, Trupi Gjykues theksoi se Mbrojtësi i Viktimave duhet të jetë gati të fillojë çështjen e tij në të njëjtën ditë. 

  • E hënë 7 Korrik, 2025 15:00

    Thaçi dhe të tjerët.: informacion lidhur me çështjen e Mbrojtësit të Viktimave

    Më 3 korrik, Trupi Gjykues në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit miratoi kërkesën e Mbrojtësit të Viktimave që, varësisht nga vendimi i Trupit Gjykues mbi mocionin sipas Rregullës 130, dy dëshmitarë ekspertë të dëshmojnë së bashku më 16 korrik. Trupi Gjykues gjithashtu e shtyu vendimin e tij mbi disa raporte të ekspertëve, të propozuara nga Mbrojtësi i Viktimave, ndërsa hodhi poshtë të tjerat. Hollësi të mëtejshme mund të gjenden në vendimin e Trupit Gjykues.

    Në një parashtrim më 4 korrik, Mbrojtësi i Viktimave njoftoi Trupin Gjykues se çështja e tij në gjykatë do të përfshijë vetëm këta dy dëshmitarë ekspertë, dëshmia e përbashkët e të cilëve planifikohet të zgjasë 9 orë, duke përfshirë edhe marrjen në pyetje nga palët e tjera.

  • E mërkurë 2 Korrik, 2025 16:38

    Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: publikohet kalendari i gjykatës për periudhën korrik-shtator 2025

    Pas vendimit më të fundit mbi caktimin e orarit, të lëshuar sot nga Trupi Gjykues, orari i gjykatës në gjykimin Thaçi dhe të tjerët, që mbulon periudhën nga korriku deri në shtator 2025, është i disponueshëm në kalendarin tonë në internet. Ju lutemi vini re se, përveç konferencës për ecurinë e çështjes, e cila është planifikuar për 22 korrik, të gjitha seancat  tjera duhet të konsiderohen si paraprake, në pritje të vendimit të Trupit Gjykues mbi mocionin në bazë të rregullës 130 dhe njoftimeve nga ekipet e Mbrojtjes se a synojnë të dorëzojnë provat e tyre.

  • E mërkurë 2 Korrik, 2025 14:00

    Thaçi dhe të tjerët: ndryshon pjesërisht orari i gjykimit

    Më 2 korrik 2025, Trupi Gjykues II miratoi pjesërisht kërkesën e përbashkët të Mbrojtjes për të ndryshuar orarin e rishikuar të gjykimit të vendosur më 5 qershor. Trupi Gjykues miratoi një shtyrje të shkurtër të Konferencës Përgatitore të Mbrojtjes për datën 19 gusht 2025, por hodhi poshtë kërkesën për të zgjatur afatin për dorëzimin e listave të dëshmitarëve dhe të provave të Mbrojtjes. Trupi Gjykues theksoi se  Mbrojtja duhet të njoftojë Trupin Gjykues deri më 16 korrik 2025 nëse synon të dorëzojë provat e veta dhe informoi palët se çështja e parë e Mbrojtjes duhet të jetë gati të fillojë një javë pas Konferencës Përgatitore të Mbrojtjes.

    Trupi Gjykues gjithashtu caktoi konferencën për ecurinë e çështjes, të martën më 22 korrik 2025, në orën 14:00.

  • E enjte 12 Qershor, 2025 11:05

    Thaçi dhe të tjerët: Refuzohen kërkesat e Veselit, Selimit dhe Krasniqit për lirim të përkohshëm

    Më 13 maj 2025, Gjykatësi i Procedurës Paraprake në çështjen Thaçi dhe të tjerët i refuzoi kërkesat për lirimin e përkohshëm të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Versionet e redaktuara publike të vendimeve mund t’i gjeni në dokumentacionin gjyqësor publik të DHSK-së.

  • E enjte 5 Qershor, 2025 18:30

    Thaçi dhe të tjerët.: urdhri i ri i trupit gjykues për caktimin lidhur me hapat e ardhshëm

    Më 5 qershor 2025, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët lëshoi ​​një urdhër të rishikuar lidhur me caktimin e hapave të ardhshëm në këtë procedurë. Në vendimin e tij më të fundit mbi pranimin e provave të ZPS-së, të dorëzuar në mënyrë konfidenciale më 29 maj të këtij viti, Trupi Gjykues urdhëroi ekipet e Mbrojtjes të dorëzojnë mocionin e përbashkët në përputhje me rregullën 130, deri më 12 qershor, ndërsa ZPS-ja u urdhërua të dorëzojë përgjigjen e saj deri më 14 korrik. Megjithatë, në vendimin e sotëm, Trupi Gjykues e gjeti të përshtatshme, proprio motu (me iniciativën e vet), të zvogëlojë afatin kohor për përgjigjen e ZPS-së më 7 korrik. Trupi Gjykues theksoi se aktualisht synon të nxjerrë vendimin e tij sipas rregullës 130 në javën që fillon më 14 korrik. Nëse Trupi Gjykues e refuzon mocionin e Mbrojtjes sipas rregullës 130 tërësisht ose pjesërisht, Mbrojtësi i Viktimave urdhërohet të përgatitet për të thirrur dëshmitarët e tij më 16 korrik, ndërsa ekipet e Mbrojtjes duhet të njoftojnë nëse synojnë të dorëzojnë provat e tyre deri më 16 korrik. Për më tepër, Trupi Gjykues aktualisht synon të mbajë Konferencën Përgatitore të Mbrojtjes në javën që fillon më 21 korrik.

    Më shumë detaje mund të lexohen në vendimin e Trupit Gjykues, ndërsa publikimi ynë i mëparshëm lidhur me urdhrin e Trupit Gjykues në prill është i disponueshëm këtu.

     

  • E enjte 5 Qershor, 2025 14:55

    Çështja Thaçi dhe të tjerët: një viktimë tjetër pranohet për të marrë pjesë në proces gjyqësor

    Më 4 qershor 2025, Trupi Gjykues II nxori vendimin më të fundit mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Një parashtrues i kërkesës që u pranua si viktimë pjesëmarrëse në proces gjyqësor do t’i shtohet grupit ekzistues të viktimave në këtë çështje dhe do të përfaqësohet nga i njëjti mbrojtës i viktimave. Në vendimin e tij Trupi Gjykues theksoi se afati për paraqitjen e kërkesave për pranimin e viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje ka skaduar më 15 shkurt 2023, por, meqenëse ekziston një arsye e vlefshme, e pranoi këtë kërkesë.

    Bashkë me të, numri i gjithsejtë i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore arrin në 157. Më shumë detaje në versionin e redaktuar publik të vendimit.

  • E hënë 26 May, 2025 09:30

    Çështja Thaçi dhe të tjerët: 4 viktima të tjera pranohen për të marrë pjesë në proces gjyqësor

    Më 15 maj 2025, Trupi Gjykues II nxori vendimin më të fundit mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Katër parashtrues të tjerë kërkesash u pranuan si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor, të cilët do t’i shtohen grupit ekzistues të viktimave në këtë çështje dhe do të përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës viktimash. Në vendimin e tij Trupi Gjykues theksoi se afati për paraqitjen e kërkesave për pranimin e viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje ka skaduar më 15 shkurt 2023, por, meqenëse ekziston një arsye e vlefshme ka vendosur ti pranojë këto kërkesa ndërsa ka refuzuar një kërkesë ngase nuk ekziston një arsye e vlefshme.

    Bashkë me këta, numri i gjithsejtë i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore arrin në 156. Më shumë detaje në versionin e redaktuar publik të vendimit.

  • E premte 25 Prill, 2025 12:00

    Çështja Thaçi dhe të tjerët: ndryshim në numrin e viktimave pjesëmarrëse

    Më 23 prill 2025, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët vendosi në lidhje me kërkesën e një personi për tërheqjen nga statusi si viktimë pjesëmarrëse në proces për arsye të sigurisë. Pas konstatimit se kërkesa ishte nënshkruar si duhej dhe se nuk kishte asnjë tregues se kërkesa nuk ishte bërë me vullnet të lirë dhe në mënyrë plotësisht të vetëdijshme, Trupi Gjykues e miratoi kërkesën duke e përfunduar statusin e personit si viktimë pjesëmarrëse në proces.

    Më herët më 14 prill, Mbrojtësi i Viktimave informoi Trupin Gjykues për ndarjen nga jeta të një viktime në këtë çështje gjyqësore. Si rezultat, aktualisht numri i gjithsejtë i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore është 152.

    Informacion i mëtejshëm për pjesëmarrjen e viktimave në këtë çështje gjyqësore mund të gjendet në rubrikën  çështje gjyqësore dhe në një faqe tjetër në faqen tonë në internet specifikisht për viktimat pjesëmarrësve në të gjitha çështjet gjyqësore.