KSC-BC-2020-05/KSC-CA-2023-02-KSC-SC-2024-02
Salih Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’). Aktakuza e ngarkon atë për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në fshatin Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës. Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022 dhe deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13-15 shtator 2022. Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022: Trupi Gjykues e shpalli të akuzuarin fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim. Në këtë çështje ishin 8 viktima pjesëmarrëse. Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023: Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor. Më 2 shkurt 2023, Mbrojtja e Mustafës e dorëzoi njoftimin (konfidencial) për apel kundër Aktgjykimit. Aktgjykimi i apelit u shpall më 14 dhjetor 2023. Paneli i Apelit zvogëloi dënimin e njësuar të Mustafës nga 26 në 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.