Më 9 deri më 13 dhe më 16 dhe 18 shkurt, do të paraqiten para Dhomave të Specializuara në Hagë deklaratat përmbyllëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seancat janë planifikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në orën 16:30. Ato mund të përcillen përmes transmetimit në faqen së internetit të DHSK-së me 45 minuta vonesë, në tri gjuhët e gjykatës, shqipe, serbishte dhe anglishte, ose nga galeria publike.

Për shkak të interesit të madh për të marrë pjesë në këto seanca, regjistrimi paraprak është i domosdoshëm për të përcjellë seancat nga galeria publike në ndërtesën e gjykatës në Hagë.  Për regjistrim paraprak, luteni të dërgoni një mesazh elektronik në adresën [email protected] me emrin tuaj dhe datat për të cilat dëshironi të regjistroheni. Gazetarët duhet të tregojnë organin e median që ata përfaqësojnë dhe nëse kanë nevojë për ulëse në qendrën për median.  

Ju lutem mbani parasysh se ulësja juaj në galerinë publike dhe në qendrën për median konsiderohen të konfirmuara vetëm pasi të keni marrë konfirmimin me postë elektronike. Konfirmimi me postë elektronike do të dërgohet jo më vonë se të enjten, 5 shkurt. 

Ju lutem mbani parasysh se afati për regjistrim paraprak është deri të premten 30 janar në orën 17:30 (CET).

Për personat që përcjellin seancën nga galeria publike, ju lutem të mbani parasysh rregullat e sjelljes në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Rendi i ditës për deklaratat përmbyllëse 

Rendi i ditës më poshtë buron nga Njoftimi i Trupit Gjykues në lidhje me Mbylljen e Procedurës së Paraqitjes së Provave i datës 18 dhjetor 2025. Ky rend dite bazohet në vlerësimet aktuale dhe mund të ndryshojë, për shembull nëse një palë ka nevojë për më pak kohë seç mendohej.

E hënë, 9 shkurt

Deklarata Përmbyllëse e Prokurorisë

E martë, 10 shkurt

Deklarata Përmbyllëse e Prokurorisë; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Viktimave

E mërkurë, 11 shkurt

Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Thaçit; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Veselit

E enjte, 12 shkurt

Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Veselit; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Selimit

E premte: 13 shkurt

Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Selimit; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Krasniqit

E hënë, 16 shkurt

Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Krasniqit; pyetje të mundshme nga Trupi Gjykues

E mërkurë, 18 shkurt

Përgjigje nga palët dhe deklarata nga të akuzuarit

Historiku i çështjes

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është aktakuza në fuqi në këtë çështje. 

Secili prej të akuzuarve akuzohet mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale për gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave. Gjithashtu, secili prej të akuzuarve akuzohet për katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë, dhe vrasje e paligjshme.

Në aktakuzë thuhet se krimet për të cilat janë ngritur akuza janë kryer nga të paktën marsi deri në shtator 1999 dhe kanë ndodhur në disa vende në Kosovë dhe në Kukës dhe Cahan, në veri të Shqipërisë. Këto krime pretendohet të jenë kryer nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë pretendohet se z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale, sipas formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për krime që janë kryer në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe se ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundërshtarë të UCK-së.

Pas arrestimit të tyre nga Prokurori i Specializuar, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave të saj më 15 prill 2025. Mbrojtja e Viktimave që përfaqëson 155 viktima pjesëmarrëse, paraqiti provat e saj në korrik 2025, dhe Mbrojtja e Thaçit dhe Mbrojtja e Krasniqit paraqitën provat e tyre nga shtatori deri në dhjetor 2025. Trupi Gjykues mbylli procedurën e paraqitjes së provave më 19 dhjetor 2025. Në këtë çështje,  134 dëshmitarë kanë dhanë dëshmi në gjykatë, 125 të thirrur nga Prokuroria, dy të thirrur nga Mbrojtja e Viktimave dhe shtatë të thirrur nga Mbrojtja. Gjithashtu, 164 deklarata dëshmitarësh u pranuan vetëm në formë të shkruar.   

Pas deklaratave përmbyllëse, Trupi Gjykues do të vijojë me kuvendimet për nxjerrjen e aktgjykimit. Aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditësh nga mbyllja e paraqitjes së provave. Në rast se për shkak të rrethanave kërkohet kohë shtesë, ky afat mund të zgjatet me 60 ditë të tjera.

Data dhe ora e gjithë seancave publike të planifikuara mund të gjendet në kalendarin e gjykatës në faqen e internetit të DHSK-së. Ndryshimet e mundshme të seancave të planifikuara të përshkruara në këtë informim do të pasqyrohen në kalendar. Incizimet e seancave publike mund të gjenden në kanalin YouTube të DHSK-së.

Burimi
Dhomat e specializuara