Më 17 prill 2025, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese lëshoi aktvendimin në lidhje me kërkesën referuese të Salih Mustafës, ku konstatoi se nuk kishte shkelje të Kushtetutës së Kosovës apo të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e Të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.
Z. Mustafa kishte paraqitur pretendime për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij në lidhje me procesin penal kundër të tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në aktvendim, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese i shpalli të papranueshme një numër ankesash të tij, kurse të tjera i rrëzoi.
Z. Mustafa u ankua për shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë si pasojë e mungesës së arsyetimit prej Trupit Gjykues dhe Panelit të Apelit në lidhje me verdiktin e fajësisë së tij për vrasje të paligjshme. Në lidhje me këtë, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese nuk konstatoi gabime faktike ose ligjore në arsyetimin e dhomave penale që do të vinin në pikëpyetje konstatimet e tyre. Gjithashtu u theksua se procesi ballafaques kishte qenë në të mirë të z. Mustafa në këtë aspekt. Rrjedhimisht ankesa u shpall e papranueshme.
Z. Mustafa gjithashtu u ankua se Paneli i Gjykatës Supreme nuk kishte identifikuar me saktësi dispozitën ligjore më të butë për dënimin e tij kur përjashtoi që ligjin që kishte qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprave penale. Në lidhje me këtë, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese kujtoi se mbi bazën e nenit 162(1) të Kushtetutës së Kosovës, Dhomat e Specializuara funksionojnë në pajtim me kornizën e tyre ligjore brenda sistemit juridik të Kosovës. Rrjedhimisht të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kapitullin II të Kushtetutës vlejnë në kontekst të kësaj kornize autonome. Gjithashtu u konstatua se i vetmi ligj detyrues në fuqi lidhur me dënimin në Dhomat e Specializuara është Ligji nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që nuk u kërkon trupave gjykues të zbatojnë ligje të tjera të Kosovës në dhënien e dënimeve për krime ndërkombëtare, por vetëm t’i mbajnë parasysh ato ligje. Për këtë arsye u konstatua se pretendimi i z. Mustafa për shkelje të Kushtetutës së Kosovës ose të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e Të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, nuk qëndronte.
Së fundi, z. Mustafa u ankua se vendimi i Panelit të Gjykatës Supreme për të lejuar Mbrojtësin e Viktimave që të paraqiste përgjigje me shkrim ndaj kërkesës së tij për mbrojtje të ligjshmërisë kishte shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë. Dhoma e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se asgjë në ankesën e Mustafës nuk krijonte perceptimin e shkeljes së një të drejte kushtetuese. Dhoma gjithashtu theksoi se z. Mustafa nuk e kishte ngritur këtë problem para Panelit të Gjykatës Supreme dhe rrjedhimisht nuk kishte shfrytëzuar të gjitha mjetet e efektshme sipas ligjit në lidhje me këtë. Si pasojë, ankesa u shpall e papranueshme.
Aktvendimi mund të gjendet në faqen e DHSK-së në internet.