Më 18 dhe 19 tetor 2022, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHS) pritën organizata joqeveritare nga Kosova dhe Serbia në selinë e tyre në Hagë, për një seminar në kuadër të programit për komunikim dhe ndërgjegjësim të gjykatës.

Në qendër të vëmendjes së këtij seminari ishte trajtimi i perceptimeve për DHS-në dhe marrja e mendimeve dhe rekomandimeve lidhur me mënyrën se si gjykata mund të informojë sa më shumë njerëz duke dhënë informacion të saktë dhe në një formë lehtësisht të kuptueshme, që u jep përgjigje pyetjeve që qytetarët e Kosovës në veçanti mund të kenë lidhur me fazën aktuale në të cilën ndodhet procesi.

Kryetarja Ekaterina Trendafilova dhe Administratorja Fidelma Donlon u uruan mirëseardhjen pjesëmarrësve. Ato folën për rëndësinë e punës komunikuese dhe ndërgjegjësuese të DHS-së gjatë viteve dhe për rëndësinë e këshillave dhe komenteve të marra nga OJQ-të që punojnë në Kosovë dhe rajon mbi përpjekjet që bën gjykata në fushën e komunikimit dhe ndërgjegjësimit.  

“Me rritjen e veprimtarisë gjyqësore dhe realizimin e një varg arritjesh të rëndësishme në proceset gjyqësore gjatë vitit të kaluar, është gjithnjë dhe më e rëndësishme të sigurohet që njerëzit në Kosovë dhe gjetkë jo vetëm të mund të ndjekin, por edhe të kuptojnë, atë çfarë bëjmë ne. Bazuar në mendimet shumë të vyera që kemi marrë nga OJQ-të, ne e kemi hartuar dhe përshtatur programin tonë për komunikim dhe ndërgjegjësim për t’ia bërë të lehtë publikut qasjen në informacion, ndër të tjera përmes vënies në dispozicion të videoincizimeve të seancave në platformën YouTube dhe mbajtjes së informimeve javore për median për të shpjeguar veprimtaritë e gjykatës gjatë asaj jave. Për këtë , u jemi shumë mirënjohës OJQ-ve për kontributin e tyre të sinqertë dhe shumë të dobishëm,” tha Kryetarja.

“Komunikimi dhe ndërgjegjësimi kanë qenë përparësi kyçe të DHS-së që nga koha kur gjykata u bë funksionale në aspektin gjyqësor dhe, deri më tani, ne kemi organizuar rreth 130 aktivitete ndërvepruese me rreth 2800 pjesëmarrës. Në fillim, u përqendruam në informimin e njerëzve për mandatin dhe funksionimin e gjykatës. Ndonëse këto vijojnë të jenë të rëndësishme, është gjithashtu thelbësore që komunikimi dhe ndërgjegjësimi t’i përshtaten fazës së re të procesit dhe që ne të jemi vazhdimisht në kërkim të mënyrave të reja për ta sjellë procesin gjyqësor më afër njerëzve,” tha Kryetarja.

Që nga viti 2018, janë organizuar aktivitete komunikimi dhe ndërgjegjësimi me të rinj, studentë të drejtësisë, gazetarë, drejtues komunitetesh dhe qytetarë të tjerë, duke u dhënë të gjithë pjesëmarrësve mundësinë për t’u drejtuar pyetje përfaqësuesve të DHS-së dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre.

Programi për komunikim dhe ndërgjegjësim i DHS-së në Kosovë financohet me mbështetjen bujare të Zvicrës.

Burimi: 
Dhomat e specializuara