Më 14 korrik 2025, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k. Pjetër Shalës, i përbërë nga gjykatëse Mishelë Pikar, gjykatës Kai Ambos dhe gjykatëse Nina Jorgensen, shpalli aktgjykimin.
Paneli i Apelit la në fuqi verdiktin e fajësisë së z. Shala për krimet e luftës të ndalimit arbitrar (pika 1), torturës (pika 3), dhe vrasjes së paligjshme (pika 4).
Megjithatë, Paneli i Apelit miratoi, pjesërisht, tri prej 14 pikave që z. Shala paraqiti në apel, hodhi poshtë pikat e tjera të apelit të z. Shala, dhe uli dënimin e tij nga 18 në 13 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.
Në lidhje me pikën 7 të apelit të z. Shala, Paneli i Apelit konstatoi se lidhur me pesë persona për të cilët Trupi Gjykues konstatoi se u keqtrajtuan në Fabrikën e Metalit në Kukës, në gjyq nuk ishin paraqitur dëshmi gojore për keqtrajtimin e tyre, apo për vetë ndalimin e tyre gjatë periudhës kur u kryen keqtrajtimet e rënda. Kjo ishte me rëndësi sepse, sipas Rregullores së DHSK-së, verdikti i fajësisë nuk mund të bazohet vetëm, ose në një masë vendimtare në deklaratën e një dëshmitari të cilin Mbrojtja nuk ka pasur mundësi ta marrë në pyetje.
Për këtë arsye, Paneli i Apelit prapësoi verdiktin e fajësisë për torturë në lidhje me këta pesë persona dhe la në fuqi verdiktin e fajësisë së z. Shala për torturë në lidhje me së paku trembëdhjetë persona të tjerë.
Po kështu, në lidhje me vendimin e fajësisë së z. Shala për ndalim arbitrar, Paneli i Apelit konstatoi se, lidhur me dy persona, Prokuroria nuk kishte paraqitur prova të ndalimit të tyre përmes dëshmitarëve që Mbrojtja mund t’i ballafaqonte në gjyq. Paneli i Apelit rrjedhimisht prapësoi verdiktin e fajësisë për ndalim arbitrar në lidhje me këta dy persona, dhe la në fuqi verdiktin e fajësisë së z. Shala për ndalim arbitrar në lidhje me së paku gjashtëmbëdhjetë persona të tjerë.
Paneli gjithashtu miratoi, pjesërisht, pikën 12 të apelit të z. Shala, dhe prapësoi disa konstatime, përfshirë se të ndaluarve iu hoq liria pa bazë ligjore, por konstatoi se prapësimi i këtyre konstatimeve nuk kishte asnjë ndikim në verdiktin e fajësisë së z. Shala për ndalim arbitrar.
Në fund, në lidhje me pikën 14 të apelit, Paneli i Apelit konstatoi se kur shqyrtoi dënimin e z. Shala, Trupi Gjykues nuk i dha peshë të mjaftueshme faktit që ai nuk pati rol komandues në lidhje me kontributin personal të tij në krimin e vrasjes së paligjshme. Paneli i Apelit gjithashtu konstatoi se dënimi që dha Trupi Gjykues ishte jashtë proporcionit të arsyeshëm krahasuar me çështje gjyqësore të ngjashme.
Mbi bazën e këtyre konstatimeve, Paneli i Apelit uli dënimin e z. Shala.
Në fund, Paneli i Apelit theksoi se ka konfirmuar verdiktet e fajësisë së z. Shala për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes, dhe se ulja e dënimit të tij nuk sugjeron aspak se krimet për të cilat është shpallur fajtor dhe dënuar, nuk janë të rënda.
Paneli i Apelit gjithashtu theksoi se Dhomat e Specializuara kanë juridiksion vetëm mbi individë, e jo grupe apo organizata, dhe se “as UÇK-ja, as populli i Kosovës nuk ishin objekt i këtij procesi dhe nuk u shpallën përgjegjës dhe fajtorë për këto krime”.
Përmbledhjen e Aktgjykimit të Apelit mund ta gjeni në faqen e internetit të DHSK-së.
Informacion i përgjithshëm
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, në Belgjikë, dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021. Vendimi i gjykimit u shqiptua më 16 korrik 2024.
Trupi Gjykues e shpalli z. Shala fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes.
Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me krime lufte të kryera midis afërsisht 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, në Fabrikën e Metalit në Kukës (FMK), një fabrikë e dikurshme e përpunimit të metaleve në qytezën e Kukësit, në Shqipërinë veriore. Gjatë gjithë kësaj periudhe, FMK-ja shërbeu si shtab i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Kukës dhe përdorej për qëllime të ndryshme, përfshirë për rekrutim, mobilizim dhe logjistikë.
Disa anëtarë të UÇK-së e përdorën atë gjithashtu edhe për ndalimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e personave që konsideroheshin se bashkëpunonin, ishin të lidhur me, ose simpatizonin autoritetet serbe, apo që konsideroheshin se nuk mbështesnin mjaftueshëm luftën e UÇK-së. Viktimat ishin kryesisht shqiptarë të Kosovës, të cilët pësuan vuajtje nga shqiptarë të tjerë të Kosovës.
Trupi Gjykues konstatoi se të ndaluarit u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese, u morën në pyetje ashpërsisht dhe u detyruan të jepnin deklarata dhe deklarata pranuese. Të ndaluarit u keqtrajtuan psikologjikisht dhe fizikisht dhe keqtrajtimi brutal u shkaktoi atyre lëndime fizike dhe mendore afatgjata. Një i ndaluar u qëllua me armë zjarri nga një anëtar i UÇK-së pasi ishte keqtrajtuar rëndë nga një grup anëtarësh të UÇK-së. Ai vdiq si pasojë e plagëve të shkaktuara me armë zjarri dhe refuzimit të trajtimit të duhur mjekësor.
Në maj/qershor 1999, z. Shala ishte anëtar i UÇK-së. Ai ishte fizikisht i pranishëm në FMK në disa raste dhe mori pjesë - bashkë me anëtarë të tjerë të UÇK-së - në marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin brutal të disa të ndaluarve. Ai gjithashtu mori pjesë në keqtrajtimin brutal të të ndaluarit që vdiq pasi u qëllua me armë zjarri.
Trupi Gjykues lëshoi Urdhrin për Zhdëmtim në lidhje me viktimat më 29 nëntor 2024. Trupi Gjykues u akordoi zhdëmtime tetë viktimave pjesëmarrëse në proces dhe urdhëroi z. Shala që të paguante shumën prej 208.000 eurosh si kompensim për dëmin fizik, mendor dhe material që pësuan.
Z. Shala ka apeluar gjithashtu edhe Urdhrin për Zhdëmtim dhe aktgjykimi në lidhje me këtë do të lëshohet më vete, më vonë.
Më shumë informacion në lidhje me çështjen gjyqësore mund të gjeni në rubrikën Çështjet Gjyqësore - Pjetër Shala.