DHOMAT E SPECIALIZUARA TË THEMELUARA – KRIJIMI I KAPACITETEVE PËR VEPRIMTARI GJYQËSORE

Gjatë konferencës së parë për shtyp të Dhomave të Specializuara të Kosovës që u mbajt sot në Hagë, Administratorja e Dhomave të Specializuara, dr. Fidelma Donlon, shpjegoi strukturën e institucionit të ri, progresin e konsiderueshëm gjatë krijimit të Dhomave të Specializuara dhe etapat e mëtejshme. Ajo prezantoi faqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Internet dhe shpjegoi shkurtimisht parimet e politikës së komunikimit dhe informimit të Dhomave.

Dr. Donlon theksoi se emërimi i saj si Administratore e Zyrës Administrative të Dhomave të Specializuara në prill 2016 shënon jetësimin zyrtar të institucionit të Dhomave të Specializuara. 

"Kam nderin dhe privilegjin tё shërbej si Administratore e Dhomave tё Specializuara tё Kosovёs. Njё Zyrë Administrative funksionale ёshtё njё ndёr elementet kyҫe tё njё gjykate efikase. Jam e përkushtuar pёr realizimin e mandatit tё Dhomave dhe mundёsimin e gjykimeve tё sigurta, tё paanshme, tё drejta dhe të efektshme para Dhomave”, deklaroi ajo.

Dr. Donlon falënderoi të gjithë ata që kanë mbështetur krijimin e Dhomave të Specializuara gjatë periudhës përgatitore, veçanërisht autoritetet e Kosovës, Bashkimin Evropian, EULEX-in, shtetet e treta kontribuuese dhe shtetin pritës - Mbretërinë e Vendeve të Ulëta (Holandës).  

Zyra Administrative është përgjegjëse për administrimin dhe shërbimet për Dhomat e Specializuara si dhe për kryerjen e tё gjitha funksioneve të tjera tё nevojshme dhe të bashkëngjitura. Duke qenë e pavarur dhe e paanshme nga natyra, kjo zyrë u ofron shërbime të gjitha organeve dhe pjesëmarrësve në procedurat gjyqësore. Zyra Administrative përfshin, ndër të tjera, Njësinë për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve, Njësinë e Mbrojtjes, Njësinë e Pjesëmarrjes së Viktimave, Njësinë e Administrimit Gjyqësor, Njësinë e Paraburgimit, Avokatin e Popullit dhe njësi të tjera për mbështetje administrative dhe gjyqësore.

“Ligji parashtron kuadrin për masa të forta për mbrojtjen e dëshmitarëve, duke respektuar plotësisht të drejtat e të akuzuarve. Ne synojmë të zbatojmë standardet më të larta të mbrojtjes së individëve të cilët mund të jenë të rrezikuar për shkak të pjesëmarrjes  së tyre në procedurat gjyqësore. Kësaj çështjeje ne i kushtojmë rëndësi shumë të madhe,” theksoi dr. Donlon.

Zyra Administrative gjithashtu luan rol kyç në garantimin e të drejtave të çdo të dyshuari apo të akuzuari. Njësia e Mbrojtjes në kuadër të Zyrës Administrative, administron listën e avokatëve të të akuzuarve, të cilët kanë të drejtën e ushtrimit të profesionit para Dhomave të Specializuara dhe një sistem përfaqësimi për të akuzuarit që nuk kanë mjete financiare të mjaftueshme. Të drejtat që u garantohen të akuzuarve janë në përputhje me standardet e përcaktuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.     

Dhomat e Specializuara mundësojnë pjesëmarrjen në procedura gjyqësore të viktimave që kanë pësuar dëm të drejtpërdrejtë nga një krim brenda juridiksionit të tyre. Njësia e Pjesëmarrjes së Viktimave do të fillojë administrimin e procesit të kërkesave të viktimave për pjesëmarrje në proceset gjyqësore dhe të këshillimit të tyre.

Procesi i përzgjedhjes së Kryetarit të Dhomave të Specializuara dhe gjykatësve në Listën e Gjykatësve Ndërkombëtarë sapo ka filluar dhe kryhet nga një komision përzgjedhës i pavarur, në përputhje me dispozitat e Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Pas emërimit të Kryetarit të Dhomave dhe gjykatësve, do të punohet për miratimin e një dokumenti ligjor thelbësor, Rregullores së Procedurës dhe Provave, e nevojshme për kryerjen e procedurave gjyqësore.

Një proces tjetër i rëndësishëm është rekrutimi i punonjësve të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i hapur për shtetas tё shteteve anëtare tё BE-sё dhe tё shteteve tё treta kontribuuese. Në dy Ftesat për Aplikime të kohëve të fundit u shpallën pothuajse 100 vende pune dhe është në vijim e sipër një proces i gjerë rekrutimi.

Deri në ratifikimin e Marrëveshjes me Shtetin Pritës nga Mbretëria e Vendeve të Ulëta (Holandës) që do të mundësojë fillimin e veprimtarisë gjyqësore, Marrëveshja e Përkohshme me Shtetin Pritës aktualisht mundëson bazën ligjore për një sërë hapash operativë dhe administrativë të nevojshëm në këtë fazë.

Në fund dr. Donlon theksoi përkushtimin e saj për një komunikim transparent me mediat dhe publikun. “Përurimi i sotëm i faqes tregjuhëshe të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Internet shënon fillimin e komunikimit tonë të drejtpërdrejtë me mediat dhe publikun”, përfundoi ajo.  

Burimi: 
Dhomat e specializuara