Më XX janar 2026, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k. Pjetër Shalës, i përbërë nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, lëshoi vendimin e parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) mbi apelin kundër urdhrit për zhdëmtim. 

Paneli i Apelit la në fuqi urdhrin për zhdëmtim të Trupit Gjykues kundër z. Shala pas shpalljes së tij fajtor për krimet e luftës të ndalimit të arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme. Në tërësi, tetë viktima morën pjesë në proces dhe kërkuan zhdëmtim. Më 29 nëntor 2024, Trupi Gjykues urdhëroi z. Shala të paguajë shumën prej 208,000 euro si kompensim për dëmin fizik, mendor dhe material që pësuan viktimat pjesëmarrëse. 

Apeli i z. Shala përmbante pesë pika, duke pretenduar gabime në (i) interpretimin prej Trupit Gjykues të ligjit të shkakësisë në kontekstin e procesit të zhdëmtimit (Pika 1); (ii) vlerësimin e provave që mbështesin dëmin material të pretenduar që kanë pësuar viktimat pjesëmarrëse (Pika 2 dhe 3); dhe (iii) vlerësimin e përgjegjësisë së tij për zhdëmtime, duke pretenduar se kjo rezultoi në një shumë zhdëmtimi që pretendohet të jetë shproporcionale me rolin e tij në kryerjen e krimeve dhe e tepruar duke pasur parasysh mungesën e mjeteve financiare të tij (Pika 4). Z. Shala pretendoi gjithashtu se Trupi Gjykues gaboi me kryerjen procesit së zhdëmtimit përpara marrjes së vendimit mbi apelin e tij kundër verdiktit të fajësisë dhe dënimit, dhe i kërkoi Panelit të Gjykatës së Apelit të pezullonte shqyrtimin e apelit kundër Urdhrit për Zhdëmtim deri në përfundimin e shqyrtimit të apelit kundër verdiktit të fajësisë ndaj tij dhe vendimin e formës të prerë në lidhje me konstatimet faktike (Pika 5). 

Paneli i Apelit i rrëzoi të pesë pikat duke mos konstatuar gabime në interpretimin e ligjit apo në vlerësimin e provave prej Trupit Gjykues. Gjithashtu Paneli i Apelit konstatoi se, për shkak të përfundimit të aktgjykimit të apelit në lidhje me themelësinë, i lëshuar më 14 korrik 2025 (Aktgjykimi i Apelit), kërkesa e z. Shala për pezullimin e shqyrtimit të apelit kundër Urdhrit për Zhdëmtim ishte e tejkaluar. Trupi Gjykues vuri në dukje se z. Shala pati mundësi të apelonte Urdhrin për Zhdëmtim dhe se shqyrtimi i apelit të tij prej Panelit u bë pas lëshimit të Aktgjykimit të Apelit, dhe gjykoi se procesi i zhdëmtimit nuk e dëmtoi z. Shala, as nuk shkeli të drejtën e tij për procedim të drejtë dhe të shpejtë.

Për më shumë informacion mund të vizitoni faqen e çështjes së Pjetër Shalës

Burimi
Dhomat e specializuara