“Dokumentacioni Gjyqësor Publik” është i vetmi arkiv zyrtar publik i dokumenteve në lidhje me çështjet gjyqësore para Dhomave të Specializuara të Kosovës. Arkivi përmban të gjitha parashtrimet e protokolluara, si mocione, aktakuza ose vendime, dhe, sipas rastit, shtojcat e atyre dokumenteve që mbajnë klasifikimin PUBLIK. Gjithashtu, arkivi përmban edhe versionet publike të transkripteve të proceseve gjyqësore. Adresa në internet e Dokumentacionit Gjyqësor Publik është: https://repository.scp-ks.org Kini parasysh se dokumentet themeluese juridike, si Ligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Rregullorja e Procedurës dhe e Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK)* dhe dokumentet e tjera themeluese, si për shembull rregulloret apo udhëzuesit e punës, gjenden në këtë rubrikë të faqes së internetit të DHSK-së. * Rregullorja e Punës e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese gjendet në Dokumentacionin Gjyqësor Publik nën numrat e çështjes KSC-CC-PR-2017-03 dhe KSC-CC-PR-20-09. |
Përdoruesit mund të ndryshojnë lehtësisht gjuhën e ndërfaqes së kërkimit duke zgjedhur njërën nga tri gjuhët zyrtare të DHSK-së, lart në këndin e djathtë të faqes. Kini parasysh se gjuha e ndërfaqes së kërkimit është gjuha që shfaqet në faqen e internetit, dhe jo automatikisht gjuha e dokumentit që kërkohet. Gjuha e dokumentit që kërkohet përzgjidhet te fusha “Gjuha” në “KRITERET E KËRKIMIT”, sikurse përshkruhet hollësisht më poshtë. |
---|
Ligji parashikon që gjykatësit vendosin se cila do të jetë gjuha e punës gjatë procedimit të një çështjeje gjyqësore. Në të gjitha proceset gjyqësore aktuale para DHSK-së, Prokurori i Specializuar (Prokuroria) dhe Mbrojtësi i Specializuar (Mbrojtja) janë pajtuar që gjuha e punës të jetë anglishtja. Për këtë arsye, dokumentet gjyqësore publike të secilës çështje gjyqësore publikohen sapo të jenë të disponueshme në gjuhën origjinale, e cila është zakonisht anglishtja. Versionet në gjuhët e tjera zyrtare publikohen kur Zyra Administrative të ketë përfunduar përkthimet. |
---|
"Kërkim teksti": kriteri i kërkimit të tekstit i mundëson përdoruesit të bëjë kërkim të lirë në cilëndo nga tri gjuhët zyrtare të DHSK-së. Për të marrë rezultate që përmbajnë dy ose më shumë fjalë kërkimi, përdoruesi mund: të vendosë frazën në thonjëza, për shembull "konferenca mbi ecurinë e çështjes", ose të vendosë "dhe" midis fjalëve të kërkimit, për shembull: "konferenca” DHE “ecurinë". Për të marrë rezultate që përmbajnë të paktën një nga fjalët e kërkimit, përdoruesi duhet të vendos "ose" midis fjalëve të kërkimit, për shembull: "konferenca” OSE “ecurinë". |
---|
Kërkimi ose rezultatet mund të saktësohen më tej duke përdorur kriteret e ndryshme, si për shembull “Emri dhe mbiemri i të akuzuarit/dyshuarit”, “Numri i çështjes”, dhe/ose “Gjuha”. Në qoftë se përdoruesi dëshiron t’i shohë dokumentet vetëm në një gjuhë, atëherë përzgjedh gjuhën përkatëse (për shembull “Anglishte”) dhe klikon në “Kërko”. |
Rezultatet mund të kërkohen edhe sipas kriterit “Lloji i Dokumentit”. Kjo do të thotë se përdoruesi mund të kërkojë lloje konkrete dokumentesh, si për shembull fletarrestime, mocione, vendime ose aktakuza. Për këtë lloj kërkimi, nga lista nën kategorinë “Lloji i Dokumentit”, përdoruesi përzgjedh “Parashtrim i Protokolluar”, dhe më poshtë, nga lista e nënkategorisë “Lloji i Parashtrimit” përdoruesi përzgjedh llojin e parashtrimit që dëshiron. |
Përdoruesi mund të saktësojë llojin e parashtrimit edhe sipas kriterit “Niveli i Gjykatës” ose “Rregulla/Neni” i Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së, Rregullores së Punës të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese ose Ligjit, sipas të cilave është dorëzuar parashtrimi përkatës. Nëse i intereson të kërkojnë vetëm transkriptet e seancave të DHSK-së, nga lista nën kategorinë “Lloji i Dokumentit” përdoruesi përzgjedh “Transkript” dhe më pas klikon në “Kërko”. Kini parasysh se versionet publike të transkripteve të proceseve ose seancave gjyqësore të DHSK-së përfshihen në arkivin e Dokumentacionit Gjyqësor Publik sa më shpejt të jetë e mundur pas seancës përkatëse. Rezultatet e kërkimit mund të klasifikohen edhe sipas datës ose numrit të çështjes. |