• E premte 15 Gusht, 2025 11:15

    Thaçi dhe të tjerët: Paneli i Apelit rrëzon apelet në lidhje me lirimin e përkohshëm

    Sikurse ju kemi informuar më parë, pas refuzimit nga Trupi Gjykues të kërkesave të tyre për lirim të përkohshëm, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi i paraqitën apele Panelit të Gjykatës së Apelit. Më 13 gusht 2025, Paneli i Gjykatës së Apelit i rrëzoi të tre apelet. Vendimet janë të disponueshme në këtë lidhje.  

  • E hënë 11 Gusht, 2025 14:00

    P. Shala: Gjykata Supreme rrëzon kërkesën për zgjatje të afatit dhe shtim të numrit të lejuar të fjalëve

    Më 8 gusht 2025, Paneli i Gjykatës Supreme rrëzoi mocionin e Pjetër Shalës për zgjatjen e afatit dhe shtimin e numrit të lejuar të fjalëve në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë. Sikurse përcaktohet në vendim, Paneli konstatoi se afati ligjor në Ligjin e DHSK-së për dorëzimin e një kërkese të tillë nuk mund të ndryshojë dhe Shala nuk ka treguar se ekzistojnë arsye të vlefshme apo rrethana të veçanta që përligjin shtimin e numrit të lejuar të fjalëve. 
     
    Sipas Ligjit, afati për dorëzimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë është brenda tre muajsh nga dalja e Aktgjykimit, i cili në këtë çështje gjyqësore u shqiptua më 14 korrik 2025.

  • E hënë 28 Korrik, 2025 13:53

    Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: publikohet kalendari i gjykatës për periudhën gusht-tetor 2025

    Pas vendimit më të fundit të Trupit Gjykues, orari i përditësuar në gjykimin Thaçi dhe të tjerët, që mbulon periudhën nga gushti deri në tetor 2025, është i disponueshëm në kalendarin tonë në internet. Aktualisht, përveç konferencës përgatitore të Mbrojtjes, nuk janë planifikuar seanca të tjera në muajin gusht, ndërsa seancat gjyqësore janë planifikuar për gjysmën e dytë të shtatorit, si dhe më 1 dhe 2 tetor.

  • E hënë 28 Korrik, 2025 09:39

    Pushimi veror i gjykatës zgjat deri më 15 gusht 2025

    Siç është njoftuar në kalendarin tonë, pushimi veror në DHSK fillon të hënën, më 28 korrik, dhe përfundon më 15 gusht 2025. Gjatë kësaj periudhe nuk mbahen seanca dhe disa nga shërbimet jothelbësore do të jenë në minimum. Megjithatë, gjykata mbetet plotësisht funksionale dhe puna vazhdon në të gjitha seksionet e DHSK-së. Gjatë pushimit mund të paraqiten parashtrime dhe përveç nëse gjykatësit kanë urdhëruar ndryshe, afatet gjyqësore vazhdojnë të jenë në fuqi.

     

    summer recess
  • E premte 25 Korrik, 2025 17:45

    Çështja Thaçi dhe të tjerët: Paraqitja e provave nga Mbrojtja fillon më 15 shtator

    Më 25 korrik 2025, Trupi Gjykues II lëshoi urdhër me të cilin caktoi 15 shtatorin 2025 si datë të synuar për fillimin e paraqitjes së provave nga Mbrojtja. Data do të konfirmohet në konferencën përgatitore për Mbrojtjen që do të mbahet më 19 gusht 2025.

    Paneli lëshoi gjithashtu edhe urdhra të mëtejshëm në lidhje me aspekte si listat e rishikuara të provave materiale dhe afatet për nxjerrjen e provave. Hollësitë përfshihen në vendimin e plotë, të cilin mund ta gjeni këtu

  • E premte 25 Korrik, 2025 17:00

    Thaçi dhe te tjerë (Administrimi i Drejtësisë): ZPS-ja do të dorëzojë Dosjen Paraprake më 19 shtator

    Më 25 korrik 2025, Gjykatësja Marzhori Maselo, Gjykatësja e Procedurës Paraprake në çështjen kundër Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut, dhe Kuçit, urdhëroi ZPS-në që deri më 19 shtator 2025 të dorëzojë dosjen e vet paraprake, bashkë me listën e dëshmitarëve dhe të provave materiale të propozuara. Gjithashtu, Gjykatësja informoi Mbrojtjen se ajo synon të caktojë afatin për dorëzimin e dosjeve paraprake të Mbrojtjes më 20 tetor 2025.
    Gjithashtu, ZPS-ja dhe Mbrojtja u urdhëruan të bëjnë parashtrime në lidhje me disa aspekte procedurale. Këto hollësi janë përshkruar në vendimin që mund të gjendet këtu.

  • E premte 25 Korrik, 2025 16:30

    P. Shala: Paneli i Gjykatës Supreme i caktuar në lidhje me Kërkesën për Mbrojtje të Ligjshmërisë

    Më 25 korrik 2025, Kryetarja Ekaterina Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Supreme për të vendosur mbi mocionin e Pjetër Shalës për zgjatje të afatit dhe shtimit të numrit të fjalëve për kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë. Gjykatësit, Ekaterina Trendafilova (kryetare), Kristinë van den Vajngart, dhe Daniel Fransen do të vendosin në lidhje me këtë mocion dhe, kur të dorëzohet, mbi vetë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë dhe çështje të lidhura më të.

  • E premte 18 Korrik, 2025 11:15

    Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: publikohet transkripti i seancës së 16 korrikut

    Ju informojmë se transkripti i plotë në anglisht i seancës gjyqësore të mbajtur më 16 korrik, i cili përmban vendimin gojor lidhur me mocionin e Mbrojtjes sipas rregullës 130, është i disponueshëm në Dokumentacionin Gjyqësor Publik.

    *Përditësim (23/07/2025): ndërkohë, u publikua transkripti në gjuhën shqipe, i cili mund të shihet këtu.