Gjykatësi i Vetëm ka caktuar mbajtjen e deklaratave përmbyllëse në çështjen Prokurorja e Specializuar k.
Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për më 10, 11 dhe 14 shtator
2026, duke filluar në orën 9:30, me orën e Evropës Qendrore.
Seancat do të jenë publike dhe mund të përcillen në shqipe, serbishte dhe anglishte përmes faqes së
internetit të DHSK-së, ose nga galeria për publikun në mjediset e gjykatës.
Për të përcjellë seancat nga galeria për publikun, nevojitet regjistrim paraprak.
Janë të lutur të regjistrohen paraprakisht edhe gazetarët që dëshirojnë të incizojnë seancën nga qendra e
medias.
Për t’u regjistruar paraprakisht, dërgoni mesazh elektronik (email) në adresën [email protected] me emrin
dhe mbiemrin tuaj, shtetësinë, datën e lindjes dhe numrin e pasaportës ose të letërnjoftimit, dhe në rreshtin
e lëndës shënoni “Deklaratat Përmbyllëse”.
U lutemi përfaqësuesve të medias të dërgojnë të skanuar kartelën e shtypit dhe të bëjnë me dije nëse do t’i
përcjellin seancat nga galeria për publikun apo qendra e medias.
Afati i fundit për regjistrimin paraprak është të premten, 14 gusht 2026, në orën 18:00.
Ju lutemi kini parasysh se vendi juaj konsiderohet i konfirmuar vetëm pasi të keni marrë konfirmimin me
postë elektronike. Konfirmimet me postë elektronike do të dërgohen dy javë para fillimit të deklaratave
përmbyllëse.
Incizimi audiovizual i deklaratave përmbyllëse do të jetë i disponueshëm në Kanalin YouTube të DHSK-së.
Gazetarët që kanë pyetje mund të kontaktojnë Zyrën e Shtypit në adresën [email protected]. Gjithashtu,
zëdhënësit e DHSK-sëmbajnë informime të rregullta për shtypin përmes internetit çdo të enjte në orën 14:30,
ku gazetarët mund të bëjnë pyetje.
Gazetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në informimin për shtyp përmes internetit duhet të dërgojnë mesazh
në adresën [email protected] dhe ne do t’ju dërgojmë lidhjen.
Historiku i çështjes dhe përmbledhje e akuzave
Sipas Aktakuzës, midis 2 korrikut 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme jo të privilegjuara në
objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi u dha Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut informacion
konfidencial lidhur me dëshmitarë të Prokurorisë dhe tentoi bashkë me ta, si dhe me persona të tjerë ndaj
të cilëve nuk janë ngritur akuza, të ndikojë në dëshmitë e disa dëshmitarëve. Në aktakuzë gjithashtu
pretendohet se z. Thaçi bëri marrëveshje me z. Kuçi që ky i fundit të kontaktonte dëshmitarë të Prokurorisë
në gjykimin për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, në kundërshtim me urdhrin që ua ndalonte atyre të bënin këtë
jashtë kushteve të caktuara. Z. Kuçi pretendohet gjithashtu se kontaktoi edhe një tjetër dëshmitar të
Prokurorisë me nismën e vet.
Ndaj Hashim Thaçit janë ngritur tri akuza për vepra penale kundër rendit publik (tentim për pengim të
personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare) dhe tetë akuza për vepra penale kundër administrimit të
drejtësisë dhe administratës publike (shkelje e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës).
Ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut janë ngritur, për secilin, një akuzë për vepra penale kundër
rendit publik (tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare) dhe një akuzë për vepra
penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike (mosbindje ndaj gjykatës).
Ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe
administratës publike (mosbindje ndaj gjykatës).
Isni Kilaj u arrestua dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në
Hagë më 2 dhe 3 nëntor 2023 dhe u paraqit para Gjykatësit të Vetëm më 4 nëntor 2023. Më 3 maj 2024,
Gjykatësi i Vetëm urdhëroi lirimin e z. Kilaj në Kosovë me kushte të rrepta, për shkak të vonesave të
konsiderueshme të procesit, duke konstatuar se vazhdimi i paraburgimit të tij do të ishte i paarsyeshëm.
Pas konfirmimit të Aktakuzës, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe u transferuan në
objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 5 dhe 6 dhjetor 2024. Hashim
Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit, ndërsa Hajredin Kuçi u thirr për t’u paraqitur në
seancën e paraqitjes së parë. Të gjithë të akuzuarit u vetëdeklaruan ‘të pafajshëm’ për akuzat.
Në dhjetor 2025, Isni Kilaj u lirua me kusht në Kosovë në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm. Në shkurt
2026, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan gjithashtu me kusht.
Gjykimi filloi më 27 shkurt 2026. Më 13 mars 2026, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave.
Deri më 30 korrik 2026, të gjitha ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave.
Më 5 gusht 2026, Gjykatësi i Vetëm mbylli procedurën e paraqitjes së provave dhe caktoi datat për dosjet
gjyqësore përfundimtare, dosjet e kundërpërgjigjeve, dhe deklaratat përmbyllëse.
Më shumë informacion për çështjen gjyqësore mund të gjeni në faqen e çështjes gjyqësore Thaçi dhe të
tjerët.