Për llogaritjen e shumës maksimale të ndihmës juridike që i paguhet mbrojtësit merren parasysh:

  • faza e procesit dhe kohëzgjatja e pritshme e saj;

  • niveli i kompleksitetit të çështjes;

  • korniza e shërbimeve të nevojshme; dhe

  • shuma maksimale e ndihmës juridike përcaktuar në Rregulloren e Ndihmës Juridike.

Mbrojtësve u kompensohen shpenzime të caktuara të dokumentuara që dalin gjatë procesit, si p.sh,  shpenzimet për hetuesit, deri në një shumë të përcaktuar.

Për mbrojtësit që u caktohen viktimave, ndër kriteret për llogaritjen e shumës së honorarit të ndihmës juridike përfshihen edhe:

  • modalitetet e pjesëmarrjes së viktimave;

  • numri dhe karakteristikat e viktimave të përfaqësuara;

  • kohëzgjatja që pritet të jetë e nevojshme për të komunikuar me viktimat;

  • ekspertiza përkatëse që i nevojitet mbrojtësit;

  • nëse do të ketë viktima që do të thirren si dëshmitarë; dhe

  • shpenzimet e pritshme për ekspertët dhe/ose hetuesit.

A) Fazat e procesit

Honorari i ndihmës juridike llogaritet për çdo fazë të procesit ku përfshihen faza para aktakuzës, faza e procedurës paraprake, faza e gjykimit dhe fazat e apelit, gjegjësisht faza e apelit në shkallë të dytë dhe faza e apelit në shkallë të tretë.

B) Niveli i kompleksitetit

Honorari i ndihmës juridike llogaritet duke u bazuar edhe në nivelin e kompleksitetit të një çështjeje. Janë tre nivele të mundshme kompleksiteti: (1) standarde, (2) e vështirë dhe (3) shumë e vështirë.  Niveli i kompleksitetit të një çështjeje përcaktohet duke u bazuar në planin e veprimeve të mbrojtësit që i dorëzohet Administratores dhe planin e punës përcaktuar sipas Rregullores së Procedurës dhe të Provave. Gjithashtu merren parasysh edhe faktorët e mëposhtëm: 

  • numri dhe natyra e akuzave në aktakuzë;

  • pozita e pretenduar e të dyshuarit ose të akuzuarit në hierarkinë politike ose ushtarake;

  • shtrirja gjeografike dhe kohore e çështjes;

  • numri dhe lloji i dëshmitarëve dhe dokumenteve të çështjes;

  • numri i viktimave ose grupeve të viktimave që pritet të marrin pjesë në proces; dhe

  • kompleksiteti i argumenteve ligjore dhe faktike të çështjes, dhe nëse kanë dalë aspekte të reja.

C) Korniza e shërbimeve

Honorari i ndihmës juridike bazohet edhe në kornizën e shërbimeve (shërbime me orar të plotë ose jo të plotë), e cila varet nga faza e procesit dhe nëse ngarkesa e punës është më e pakët si p.sh., gjatë kuvendimeve të gjykatësve ose pezullimeve të përkohshme të procesit.

Në rrethana të kufizuara, si p.sh, kur mbrojtësi kujdestar caktohet për një periudhë të shkurtër për çështje urgjente, honorari i ndihmës juridike llogaritet mbi bazën e tarifës për orë pune.