Të dyshuarit ose të akuzuarit të cilët nuk kanë mjete financiare të mjaftueshme, kanë të drejtë të përfitojnë ndihmë juridike. Ndihma juridike për pagesën e mbrojtësit jepet edhe për viktimat që marrin pjesë në procese gjyqësore. Rregullorja e Ndihmës Juridike mund të lexohet këtu.

Ndihma juridike për të dyshuar ose të akuzuar

I dyshuari ose i akuzuari që bën kërkesë për ndihmë juridike duhet të provojë se nuk ka mjete financiare për të paguar përfaqësimin e vet juridik.

Në kërkesën për ndihmë juridike, të cilën e dorëzon përmes Zyrës së Mbrojtjes, parashtruesi i kërkesës duhet të bëjë të njohura disa informata, ndër të cilat:

  • mjetet financiare dhe pasuritë personale, si edhe historinë e punësimit;

  • ndihma financiare, sociale apo familjare, ose ndihma të cilat i përfiton në bazë të Ligjit të Kosovës nr. 05/L-054;

  • çfarëdo kontributesh të tjera shtetërore ose joshtetërore për përfaqësimin e vet;

  • informacion për prona të luajtshme dhe të paluajtshme dhe detyrime financiare;

  • mjetet financiare të bashkëshortit/bashkëshortes;

  • mjetet financiare të anëtarëve të bashkësisë familjare; dhe

  • mjetet financiare të personave të lidhur financiarisht me të dyshuarin ose të akuzuarin.

Zyra e Mbrojtjes kryen një vlerësim rrënjësor të shkallës së varfërisë duke u bazuar në informacionin që i është dorëzuar. Shuma që i dyshuari ose i akuzuari mund të paguajë për përfaqësimin e vet juridik, llogaritet duke zbritur shpenzimet e përafërta të jetesës nga mjetet financiare të disponueshme të të dyshuarit ose të akuzuarit. Mbi bazën e këtij vlerësimi, Zyra e Mbrojtjes i paraqet një rekomandim Administratores që vendos nëse do të miratojë ndihmë juridike dhe, në rast miratimi, nëse ndihma juridike do të jetë e plotë ose e pjesshme. 

Për të garantuar të drejtat e të dyshuarve ose të të akuzuarve, Administratorja mund të bëjë caktim të kushtëzur të mbrojtësve për të dyshuar ose të akuzuar deri në daljen e vendimin për ndihmë juridike.

Të dyshuarit ose të akuzuarit për të cilët miratohet ndihmë juridike kanë obligim që deri në pesë vjet pas fazës së fundit të procesit gjyqësor të çështjes së tyre të informojnë Zyrën e Mbrojtjes për çdo ndryshim në gjendjen e tyre financiare, që mund të ndikojë në masë të konsiderueshme në vendimin mbi ndihmën juridike.

Ndihma juridike për viktimat

Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave i parashtron kërkesë Administratores për t’i caktuar mbrojtës një grupi viktimash pjesëmarrëse. Nëse Administratorja me arsye beson se një viktimë ka mjete të konsiderueshme, atëherë Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave mund të kryejë një vlerësim të shkallës së varfërisë për të përcaktuar nëse viktima mund të kontribuojë për shpenzimet e përfaqësimit.

Ndihma juridike mund të miratohet edhe për persona të tjerë të cilët nuk janë të dyshuar, të akuzuar apo grup viktimash, të cilët gëzojnë të drejtën e përfaqësimit juridik dhe mund të provojnë varfëri të plotë ose të pjesshme.