Prokurori i specializuar është përgjegjës për hetimin dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës për krimet që përfshihen brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara dhe është i pavarur në kryerjen e detyrave të veta.

Aleks Uaiting (Alex Whiting) është Ushtruesi i Detyrës i Prokurorit të Specializuar. Ai është prokuror me kombësi franceze e amerikane dhe ka përvojë të gjerë në ndjekjet penale si në nivel vendor, ashtu edhe ndërkombëtar. Ai u emërua Ushtrues i Detyrës së Prokurorit të Specializuar më 18 nëntor 2022, pasi kishte punuar në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që nga qershori i vitit 2019, fillimisht si Udhëheqës i Hetimeve, dhe nga gushti i vitit 2020, si Zëvendësprokuror i Specializuar.
Z. Uaiting erdhi në ZPS nga Fakulteti Juridik i Harvardit, ku punoi si profesor i praktikës ligjore që nga viti 2013.
Në periudhën nga 2010 deri në 2013, z. Uaiting punoi në Zyrën e Prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) ku shërbeu fillimisht si Koordinator i Hetimeve, duke mbikëqyrur të gjitha hetimet, dhe pastaj si Koordinator i Ndjekjeve Penale, duke mbikëqyrur të gjitha ndjekjet penale.
Përpara se të punonte në GJPN, z. Uaiting dha mësim për tre vite si asistent profesor i praktikës ligjore në Fakultetin Juridik të Harvardit.
Nga 2002 deri në 2007, z. Uaiting punoi në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) ku ishte kryeprokuror në gjykimin e Fatmir Limajt, Isak Musliut, dhe Haradin Balajt, dhe kryeprokuror i çështjes në gjykimet e Milan Martiqit dhe Dragomir Millosheviqit. Përpara se të punonte në TPNJ, z. Uaiting ishte prokuror federal në SHBA, fillimisht në Seksionin Penal të Departamentit për të Drejtat Civile në Uashington DC dhe më pas Zyrën e Prokurorit Federal të SHBA-së në Boston, Masaçusets, ku u mor kryesisht me çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Z. Uaiting është diplomuar në Kolegjin e Jeilit (Yale) dhe Fakultetin Juridik të Jeilit.