-
E hënë 22 Dhjetor, 2025 14:00
Share this page
Gjykata Supreme hedh poshtë kërkesën e Kadri Veselit për lirim të përkohshëm
Më 19 dhjetor 2025, Paneli i Gjykatës Supreme i përbërë nga gjykatësit Ekaterina Trendafilova (Kryegjykatëse), Kristinë van den Vajngart dhe Daniel Fransen, hodhën poshtë kërkesën e Kadri Veselit për mbrojtje të ligjshmërisë, e paraqitur si kërkesë konfidenciale në nëntor 2025. Kërkesa kishte të bënte me një vendim të Panelit të Gjykatës së Apelit të 13 gushtit 2025, i cili konfirmoi rrëzimin nga Trupi Gjykues të kërkesës së Veselit për lirim të përkohshëm.
-
E premte 19 Dhjetor, 2025 12:10
Share this page
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: Mbyllet procedura e paraqitjes së provave; përcaktohet rendi i ditës për deklaratat përmbyllëse
Më 18 dhjetor 2025, Trupi Gjykues në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit njoftoi mbylljen e procedurës së paraqitjes së provave. Trupi Gjykues ritheksoj urdhrat e tij të mëhershëm se dosjet gjyqësore përfundimtare dhe deklarata për pasojat e krimeve të pretenduara në viktimat pjesëmarrëse duhet të dorëzohen deri më 19 janar 2026. Ai gjithashtu caktoi rendin e ditës për deklaratat përmbyllëse, që janë planifikuar për t’u paraqitur nga 9 deri 13 shkurt 2026, si dhe datat e rezervuara më 16 dhe 18 shkurt, nëse është e nevojshme.
Para këtij vendimi, Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e ZPS-së për të paraqitur kundërprova, duke konstatuar se nuk ishin plotësuar kushtet për pranimin e provave të tilla. Trupi Gjykues gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes që t’i lejojë apelimin e vendimit të mëparshëm me të cilin ishte refuzuar kërkesa për procedurë të veçantë të përcaktimit të dënimit, duke konfirmuar se çdo përcaktim i dënimit, në rast se është i zbatueshëm, do të shqyrtohet me Aktgjykimin.
-
E enjte 11 Dhjetor, 2025 11:35
Share this page
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: Vazhdohet paraburgimi i Thaçit
Pas vendimit për vazhdimin e paraburgimit të Veselit, Selimit dhe Krasniqit, siç është njoftuar më herët këtu, Trupi Gjykues urdhëroi, më 10 dhjetor, vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit.
Ashtu si në rastin e të akuzuarve të tjerë, Trupi Gjykues konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që ai mund të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra penale të tjera. -
E mërkurë 3 Dhjetor, 2025 12:20
Share this page
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: Mbrojtja përfundon paraqitjen e provave dhe argumenteve
Në pajtim me urdhrin e Trupit Gjykues të 21 nëntorit, ekipet mbrojtës të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit njoftuan Trupin Gjykues për përmbylljen zyrtare të paraqitjes së provave dhe argumenteve nga ana e tyre. Këto njoftime mund t’i gjeni këtu.
-
E premte 21 Nëntor, 2025 17:45
Share this page
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: Trupi Gjykues lëshon urdhra për hapat e ardhshëm proceduralë
Në urdhrin e lëshuar më 21 nëntor 2025, Trupi Gjykues lëshoi një numër të afateve dhe urdhrave në lidhje me përmbylljen e paraqitjes së argumenteve prej Mbrojtjes dhe fazat e mbetura të procesit.
Krahas aspekteve të tjera, Trupi Gjykues udhëzoi ekipet e Mbrojtjes së Thaçit dhe Krasniqit që të përmbyllin zyrtarisht paraqitjen e argumenteve prej tyre deri më 2 dhjetor 2025, ose më ditën e parë të punës pas lëshimit të vendimit të fundit prej Trupit Gjykues mbi kërkesat e mbetura për pranimin e provave, cilado data jetë më e hershme.
Sa i përket dosjeve gjyqësore përfundimtare dhe deklaratës për pasojat e krimeve të pretenduara në viktimat pjesëmarrëse, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e palëve për zgjatje afati dhe urdhëroi që këto parashtrime të dorëzohen deri më 19 janar 2026, vijuar nga deklaratat përmbyllëse, që janë planifikuar për t’u paraqitur nga 9 deri 13 shkurt 2026.
Trupi Gjykues shtyu për një fazë më të vonshme vendimin mbi modalitetet e procesit të mundshëm të zhdëmtimit. Ai gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes për procedurë të veçantë të përcaktimit të dënimit, duke konfirmuar se çdo përcaktim i dënimit, në rast se është i zbatueshëm, do të shqyrtohet me Aktgjykimin, dhe duke urdhëruar palët që të përfshijnë çdo parashtrim lidhur me përcaktimin e dënimit në dosjet gjyqësore përfundimtare të tyre.
-
E mërkurë 19 Nëntor, 2025 17:30
Share this page
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: anulohen seancat nëntor–dhjetor
Pas përfundimit të Konferencës për Ecurinë e Çështjes sot, ju informojmë se të gjitha seancat e caktuara më parë për nëntor dhe dhjetor në gjykimin Thaçi dhe të tjerët janë anuluar dhe janë hequr nga Kalendari i Gjykatës.
Siç është thënë gjatë Konferencës për Ecurinë e Çështjes, Trupi Gjykues synon të lëshoj një vendim më vonë këtë javë në lidhje me hapat e ardhshëm.
-
E martë 18 Nëntor, 2025 17:26
Share this page
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: Vazhdohet paraburgimi për Veselin, Selimin dhe Krasniqin
Në vendimin e fundit të rishikimit të paraburgimit të datës 18 nëntor 2025, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Trupi Gjykues konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit mund ta pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë krime të tjera.
Vendimi i fundit i rishikimit të paraburgimit të Hashim Thaçit u lëshua në tetor, dhe rishikimi i ardhshëm pritet në dhjetor. -
E martë 18 Nëntor, 2025 14:00
Share this page
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët përfundon për sot / Konferenca për Ecurinë e Çështjes mbahet nesër (19 nëntor)
Pas marrjes në pyetje nga Prokuroria dhe marrjes në pyetje përsëri nga Mbrojtja e Thaçit, dëshmitari Uesli Klark përfundoi sot dëshminë, dhe pas kësaj seanca u ndërpre.
Gjykimi do të vazhdojë nesër me Konferencën për Ecurinë e Çështjes, e cila do të fillojë në orën 14:00. -
E martë 18 Nëntor, 2025 09:55
Share this page
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: Dëshmitari Klark vazhdon dëshminë
Dëshmitari i shtatë i Mbrojtjes së Hashim Thaçit, Uesli Klark, po vazhdon dëshminë këtë mëngjes. Pas marrjes në pyetje nga ekipet e Mbrojtjes së Thaçit, Veselit, dhe Krasniqit, dëshmitari u mor në pyetje nga ZPS-ja dje, dhe kjo marrje në pyetje po vazhdon këtë mëngjes.
-
E hënë 17 Nëntor, 2025 13:00
Share this page
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: Dëshmitari i shtatë i Mbrojtjes fillon dëshminë
Uesli Klark është dëshmitari i ardhshëm i Mbrojtjes, dëshmia e të cilit filloi këtë pasdite. Sipas përmbledhjes së Mbrojtjes, dëshmitari ishte komandant suprem i aleancës së NATO-s për Evropë gjatë periudhës relevante. Ky është dëshmitari i shtatë deri tani.