• E martë 6 Tetor, 2026 11:10

    Thaçi dhe të tjerët: Trupi Gjykues konfirmon vendimin mbi procesin e zhdëmtimit

    Më 2 tetor 2026, pasi shqyrtoi kundërshtimet e paraqitura nga Mbrojtja, Trupi Gjykues II konfirmoi vendimin e mëparshëm të tij për zhvillimin e procesit të zhdëmtimit dhe lëshimin e urdhrit për zhdëmtim në çështjen Thaçi dhe të tjerët, si dhe vendimin për të mos i referuar viktimat për padi civile në Kosovë. Trupi Gjykues gjithashtu konfirmoi të njëjtat afate që kishte caktuar në Urdhrin e 16 shtatorit 2026.
    Trupi Gjykues caktoi afate shtesë për paraqitjen e provave në lidhje me procesin e zhdëmtimit. Më shumë hollësi do të gjeni në Vendim.

  • E mërkurë 30 Shtator, 2026 17:00

    Thaçi dhe të tjerët (vepra kundër administrimit të drejtësisë): Vazhdohet paraburgimi për H. Thaçin (shtator 2026)

    Në vendimin e fundit për rishikimin e paraburgimit të 30 shtatorit 2026, Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit. Gjykatësi konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që i akuzuari mund të pengojë ecurinë e procesit apo të kryejë vepra penale të tjera. 
    Gjykatësi mori parasysh gjithashtu edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e Thaçit në çështjen gjyqësore KSC-BC-2020-06 kohët e fundit dhe konstatoi se ato nuk e ndryshonin nevojën për rishikime periodike të paraburgimit të tij në çështjen aktuale, që në parim vlerësohet në bazë të faktorëve në lidhje me këtë çështje.

  • E martë 29 Shtator, 2026 17:31

    Thaçi dhe të tjerët: Zgjatet afati për dorëzimin e njoftimeve për apel; përcaktohen modalitetet për pjesëmarrjen e viktimave

    Më 29 shtator 2026, Paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht kërkesën e Mbrojtjes për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër Aktgjykimit. Paneli miratoi të njëjtën zgjatje afati edhe për ZPS-në dhe caktoi datën 27 nëntor 2026 për dorëzimin e njoftimeve për apel nga ekipet e Mbrojtjes dhe nga ZPS-ja. Më shumë hollësi gjeni në Vendim. 

    Në një vendim tjetër të lëshuar sot, Paneli i Apelit miratoi modalitetet për pjesëmarrjen e viktimave në procesin e apelit, në të cilin vendosi që të zbatohet një praktikë e ngjashme me atë që u zbatua gjatë gjykimit në shkallë të parë, me përshtatjet e nevojshme.

  • E martë 29 Shtator, 2026 14:40

    Thaçi dhe të tjerët: Caktohet Paneli i Apelit

    Pas kërkesës konfidenciale nga ekipet e Mbrojtjes së Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit për zgjatjen e afatit për njoftimet për apel, më 22 shtator 2026, Kryetarja e Dhomave të Specializuara caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit, të përbërë nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, për të vendosur mbi këtë kërkesë dhe mbi të gjitha parashtrimet e tjera në kuadër të njoftimit për apel në lidhje me Aktgjykimin në këtë çështje. 

  • E premte 25 Shtator, 2026 09:47

    Thaçi dhe të tjerët (vepra kundër administrimit të drejtësisë): Bëhet publike dosja gjyqësore përfundimtare e ZPS-së

    Më 24 shtator 2026, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të dosjes përfundimtare të saj në çështjen kundër Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit. Dosja fillimisht u protokollua si konfidenciale më 24 gusht 2026 dhe tani është e disponueshme në Dokumentacionin gjyqësor publik.
    Kjo është dosja e dytë gjyqësore përfundimtare që bëhet publike në këtë çështje, pas dosjes së Mbrojtjes së Thaçit më 22 shtator.
     

  • E mërkurë 23 Shtator, 2026 16:30

    Thaçi dhe të tjerët (vepra kundër administrimit të drejtësisë): Bëhet publike dosja gjyqësore përfundimtare e Thaçit

    Më 22 shtator 2026 Mbrojtja e Hashim Thaçit dorëzoi versionin e redaktuar publik të dosjes gjyqësore përfundimtare të saj në çështjen lidhur me akuza për vepra kundër administrimit të drejtësisë. Dosja fillimisht u protokollua si konfidenciale më 24 gusht 2026 dhe tani është e disponueshme në Dokumentacionin gjyqësor publik.

  • E mërkurë 23 Shtator, 2026 15:30

    Thaçi dhe të tjerët (vepra kundër administrimit të drejtësisë): Hiqen pjesërisht kufizimet për vizitat jo të privilegjuara

    Më 21 shtator 2026, Gjykatësi i Vetëm për gjykimin e çështjes rishikoi kufizimet e vëna për vizitat jo të privilegjuara të Hashim Thaçit dhe hoqi një pjesë të tyre që ishin vendosur në korrik 2025. Ndalimi i vizitave vazhdon të jetë në fuqi në lidhje me katër persona, ndërsa ndalimi për vizitorët e tjerë të specifikuar hiqet me efekt të menjëhershëm. Vizitat e tyre do të mbikëqyren në mënyrë aktive. 
    Gjykatësi konstatoi, ndër të tjera, se ecuria e procesit ka pakësuar ndjeshëm, në mos ka eliminuar plotësisht, rrezikun e ndikimit të dëshmitarëve në këtë çështje gjyqësore. Sidoqoftë, ai konstatoi se vazhdimi i ndalimit të vizitave nga katër individë mbetet proporcional dhe i domosdoshëm për ruajtjen e integritetin e procesit.
    Kufizimet do të rishikohen përsëri në dhjetor 2026.
     
    Në një vendim tjetër lidhur me paraburgimin në çështjen tjetër gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, që u lëshua më 16 shtator, Trupi Gjykues II pezulloi përkohësisht kufizimin e numrit të vizitave jo të privilegjuara personale të Thaçit, Veselit dhe Selimit për periudhën nga 16 deri 21 shtator 2026, duke e autorizuar Administratoren të planifikonte vizita shtesë gjatë asaj periudhe.

  • E premte 18 Shtator, 2026 11:15

    P. Shala: Kërkesa Referuese drejtuar Gjykatës Kushtetuese tani e disponueshme

    Pas zgjatjes së afatit, më 15 shtator 2026, Pjetër Shala dorëzoi për protokollim një Kërkesë Referuese drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa Referuese, që tani është e disponueshme në Dokumentacionin gjyqësor publik, u paraqit në vijim të Vendimit të Gjykatës Supreme të 25 qershorit 2026.

    Krahas kësaj, Pjetër Shala ka edhe një tjetër Kërkesë Referuese në proces shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese, sikurse është njoftuar më herët.