• E premte 21 Mars, 2025 11:25

    H. Thaçi: vizitë nën mbikqyrje në Kosovë

    Për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues dhe Gjykatësja e Procedurës Paraprake udhëzuan Zyrën Administrative të mundësojnë vizitën si i paraburgosur të Hashim Thaçit në Kosovë për të shprehur nderimet e tij dhe për të takuar familjen e ngushtë. Gjatë vizitës, i akuzuari do të vazhdojë të mbahet në paraburgim dhe nën ruajtje të Dhomave të Specializuara. Kjo është vizita e katërt e z. Thaçi si i paraburgosur në Kosovë. Deri më sot, gjykatësit e Dhomave të Specializuara kanë urdhëruar katërmbëdhjetë vizita të tilla të të paraburgosurve në Kosovë, të cilat janë menaxhuar nga gjykata.

  • E martë 18 Mars, 2025 14:00

    Deklaratë

    DHSK-ja ka pranuar disa pyetje nga gazetarë dhe nga publiku pas vdekjes së babait të Hashim Thaçit lidhur me atë se a do t'i lejohet zotit Thaçi të vizitojë Kosovën, siç iu lejua javën e kaluar kur e vizitoi babain e tij në spital, si dhe në dy raste të mëparshme.

    Të vetëdijshëm për rëndësinë e të qenit me familjen në situata si kjo, korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave në paraburgim që të bëjnë kërkesa tek gjykatësit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Gjykatësit e miratuan këtë rregull bazuar në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, duke përfshirë nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve.

    Deri më tani, gjykatësit e Dhomave të Specializuara kanë urdhëruar trembëdhjetë vizita të tilla në Kosovë për të paraburgosurit, të cilat janë menaxhuar nga gjykata, për shembull që një i paraburgosur të vizitojë një të afërm të sëmurë ose të bëjnë nderime dhe të kalojnë kohë me anëtarët e ngushtë të familjes pas vdekjes së një të afërmi.

    Kur një i paraburgosur bën një kërkesë të kësaj natyre, gjykatësi i cili merret me çështjen vlerëson të gjitha rrethanat në kohën kur është bërë kërkesa, me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata si kjo. Ata vendosin bazuar në kornizën ligjore të DHSK-së dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

    Për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjykatësit zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më detajisht. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë.

  • E enjte 13 Mars, 2025 12:15

    Hashim Thaçi: vizitë nën mbikqyrje në Kosovë

    Për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues dhe Gjykatësja e Procedurës Paraprake kanë udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikqyrje në Kosovë të Hashim Thaçit për ta takuar babain e tij. Gjatë kësaj vizite nën mbikqyrje, i akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara

  • E enjte 13 Mars, 2025 09:23

    Informimi javor për median më 13 mars

    Informimi javor i radhës për median do të mbahet të enjten, më 13 mars, në orën 14:30. Gjatë këtij informimi, zëdhënësit e DHSK-së do të japin një informacion të përditësuar mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të gjykatës. Gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Për të marrë pjesë, për çdo informim javor nevojitet regjistrimi paraprak. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik me emrin dhe mbiemrin tuaj si dhe emërtimin e medias në [email protected](link sends e-mail). Afati i fundit për regjistrimin paraprak është çdo të enjte deri në ora 12:00. Detajet e platformës Zoom do të ju dërgohen pas regjistrimit paraprak. Regjistrimet e informacioneve të ofruara gjatë informimeve javore do të vihen në dispozicion në kanalin Youtube të DHSK-së.

    Illustration for the KSC Press Briefing on 13 March 2025
  • E mërkurë 12 Mars, 2025 16:15

    H. Thaçi (administrimi i drejtësisë): publikohet vendimi lidhur me Mbrojtësin e ri

    Siç thuhet në njoftimin e Administratores, të bërë publik në fillim të këtij muaji, Sophie Menegon është emëruar si Kryembrojtëse e Hashim Thaçit në çështjen lidhur me akuzat ndaj tij, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit kundër administrimit të drejtësisë. Paraprakisht, Gjykatësja e Procedurës Paraprake miratoi tërheqjen e ish-Kryembrojtëses së Thaçit, Nina Tavakoli, dhe ky vendim mund të shihet në dokumentacionin gjyqësor publik.

  • E premte 7 Mars, 2025 17:00

    H. Shala: refuzohet kërkesa e Mbrojtjes lidhur me honorarin e ndihmës juridike

    Më 6 mars 2025, Trupi Gjykues I hodhi poshtë kërkesën e Haxhi Shalës për të rishqyrtuar vendimin e tij të mëparshëm në lidhje me honorarin e ndihmës juridike për Mbrojtjen e Shalës. Shala kundërshtoi nivelin e kompleksitetit të çështjes së tij dhe fondin e akorduar për Mbrojtjen e tij, duke i kërkuar Trupit Gjykues të rishikojë vendimin e Administratores të vitit të kaluar. Më 13 shkurt të këtij viti, Trupi Gjykues hodhi poshtë këtë kërkesë të Mbrojtjes. Më pas, Mbrojtja dorëzoi një kërkesë tjetër për rishqyrtimin e atij vendimi, por Trupi Gjykues gjithashtu e refuzoi atë sot, duke konstatuar se Mbrojtja në arsyetimin e saj nuk ka arritur të provojë ndonjë gabim të qartë që do të arsyetonte rishqyrtimin.

    Një numër parashtrimesh lidhur me këtë çështje janë bërë publike kohët e fundit dhe janë të disponueshme në dokumentacionin gjyqësor publik.

  • E premte 7 Mars, 2025 14:45

    H. Shala: Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën referuese lidhur me paraburgimin

    Më 6 mars 2025, Paneli i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti, lëshoi vendim mbi një kërkesë referuese të Haxhi Shalës, në të cilën ai ngriti pretendime për shkelje të të drejtave të tij themelore. Konkretisht, Shala argumentoi se Gjykatësi i Procedurës Paraprake nuk kishte shqyrtuar ligjshmërinë dhe themelësinë e paraburgimit të tij gjatë paraqitjes së tij të parë më 13 dhjetor 2023. Ai argumentoi se kjo ishte në shkelje të të drejtës së tij për liri dhe siguri sipas nenit 5(3) të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut.

    Paneli e konstatoi kërkesën referuese të pranueshme, por, sa i takon themelësisë së saj, arriti në përfundimin se paraqitja e parë e Shalës ishte kryer në pajtim me nenin e sipërpërmendur. Paneli theksoi se Shala u informua mjaftueshëm për arsyetimin e Gjykatësit të Procedurës Paraprake lidhur me paraburgimin dhe iu dha mundësia të shprehte mendimin e tij, si edhe, ndonëse Gjykatësi i Procedurës Paraprake mund të ishte shprehur më qartë, vendimi i tij nuk sugjeron se ai i anashkaloi aspektet e ligjshmërisë dhe të themelësisë të paraburgimit të Shalës. Për më shumë hollësi, mund të shihni vendimin e plotë të Panelit.

    Ju bëjmë me dije se kjo çështje është trajtuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme, sikurse ju kemi informuar edhe më herët.