Kryetari i Dhomave të Specializuara është përgjegjës për administrimin gjyqësor të Dhomave të  Specializuara  dhe për funksione të tjera që i akordon Ligji. Kryetari përfaqëson Dhomat e Gjykatësve.

Një nga detyrat kryesore të Kryetarit në kuadër të detyrave administrative gjyqësore është emërimi i gjykatësve nga Regjistri i Gjykatësve Ndërkombëtarë në përbërje të një trupi gjykues dhe në çështjet gjyqësore para Dhomave të Specializuara. 

Kryetarin e emëron Autoriteti Emërues në bazë të rekomandimeve të Panelit Përzgjedhës të pavarur. Për dallim nga gjykatësit e tjerë në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtare, Kryetari është i vetmi gjykatës i përhershëm. Kryetari kryen detyrën e kryegjykatësit të panelit të Gjykatës Supreme në çështjet ku merr pjesë.

Kryetare e Dhomave të Specializuara është gjykatëse Ekaterina Trendafilova.

Dr. Ekaterina Trendafilova (1953), juriste, akademike dhe gjykatëse e shquar nga Bullgaria, u emërua Kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës në dhjetor 2016, dhe morri detyrën të cilën e filloi më 12 janar 2017.

Kryetare Trendafilova ka një karrierë të spikatur juridike dhe përvojë të madhe në fushën e të drejtës dhe procedurës penale, drejtësisë penale ndërkombëtare, të drejtës humanitare dhe të drejtave të njeriut.

Nga marsi 2006 deri në mars 2015, dr. Trendafilova shërbeu si gjykatëse e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN). Gjatë mandatit të saj në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ajo shërbeu si gjykatëse në Seksionin e Procedurës Paraprake (si kryegjykatëse e Dhomës II të Procedurës Paraprake dhe Kryetare e Seksionit të Procedurës Paraprake). Gjykatëse Trendafilova ishte anëtare e Dhomës së Apelit që nxori dy aktgjykimet e para të apelit në çështjet Prokurori kundër Thomas Lubanga Dyilo dhe Prokurori kundër Mathieu Ngudjolo Chui, si dhe në një sërë apelesh të ndërkohshme.

Përpara se të shërbente si gjykatëse në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, Kryetare Trendafilova ishte këshilltare e Ministrisë së Drejtësisë për çështjen e themelimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe shërbeu si eksperte në Ministrinë e Drejtësisë dhe Kuvendin e Bullgarisë, ku kryesoi seksionin penal të Këshillit Konsultativ Legjislativ. Ajo gjithashtu kryesoi grupin e punës për reformën e Kodit të Procedurës Penale të Bullgarisë dhe harmonizimin e tij me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, për administrim efikas të drejtësisë dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut (1998-1999).

Dr. Trendafilova përfaqësoi Bullgarinë në Komisionin e OKB-së për Parandalim Krimesh dhe Drejtësi Penale (1992-1994). Ajo gjithashtu shërbeu si zëvendësprokurore e qarkut në Gjykatën e Qarkut në Sofje (1985-1989) dhe punoi si avokate e regjistruar në shoqatën e juristëve të Sofjes (1995-2006).  

Kryetare Trendafilova është fituese e bursës Humboldt (1993-1994) dhe asaj Fulbright (1997). Ajo u doktorua në vitin 1984 dhe është studiuese e njohur. Ka botuar dhe ligjëruar gjerësisht për procedurën penale, të drejtat e njeriut, dhe drejtësinë penale ndërkombëtare dhe krahasuese. Dr. Trendafilova është anëtare e shquar dhe kryetare e disa shoqatave juridike.