Dhomat kryejnё funksion gjyqёsor dhe duke qenё se pёrfaqësojnë ҫdo nivel tё sistemit gjyqësor nё Kosovё, ato pasqyrojnё strukturёn gjyqёsore tё Kosovёs. Në përbërje të Dhomave janë vetëm gjykatës ndërkombëtarë.

Përbërja e Dhomave do të jetë si vijon: gjykatës individualë të cilët kryejnë detyrat e gjykatësit të procedurës paraprake; trupa gjykues të përbërë prej tre gjykatësish (dhe një gjykatësi rezervë); panele të Gjykatës së Apelit të përbëra prej tre gjykatësish; panele të Gjykatës Supreme të përbëra prej tre gjykatësish; panele të Gjykatës Kushtetuese të përbëra prej tre gjykatësish; dhe gjykatës individualë të tjerë të nevojshëm për kryerjen e funksioneve të Dhomave të Specializuara.

Gjykatёsit emёrohen prej shefit të Misionit tё BE-sё pёr Politikё tё Pёrbashkёt tё Sigurisё dhe Mbrojtjes, (shkurtimisht, shefi i Misionit të EULEX-it), nё bazё tё rekomandimeve tё një Paneli Përzgjedhës i pёrbёrё nga dy gjykatёs ndёrkombёtarë me pёrvojё tё konsiderueshme nё fushёn e tё drejtёs penale ndёrkombёtare dhe një zyrtar i tretë ndërkombëtar. Kryetari dhe  nënkryetari emёrohen nё bazё tё propozimeve tё Panelit Pёrzgjedhёs të pavarur. Gjykatёsit përfshihen nё Regjistrin e Gjykatёsve Ndёrkombёtarë. Sipas nevojave, Kryetari do tё caktojë gjykatёs nga ky Regjistër në çështje gjyqësore.

Në përputhje me Ligjin, gjykatësit janë individë me karakter të lartë moral, të paanshëm dhe të ndershëm, dhe plotësojnë kriteret për t’u emëruar në postet më të larta gjyqësore në vendet e tyre përkatëse. Në kryerjen e detyrave të tyre ata veprojnë në mënyrë të pavarur dhe nuk kërkojnë e nuk marrin udhëzime prej asnjë qeverie ose burimi tjetër. Ata janë individë me kompetencë të dëshmuar në fushën e të drejtës dhe procedurës penale, të drejtës ndërkombëtare dhe, sipas nevojës, kushtetuese, dhe kanë përvojë të gjerë si gjykatës, prokurorë ose avokatë mbrojtës në procese penale ndërkombëtare, ose në vendet e tyre.

Në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë u emëruan këta gjykatës:

1. Kith Reinër (Keith Raynor), nënkryetar, Britani e Madhe

2. Vidar Stensland, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, Norvegji

3. Roland Dekers (Roland Dekkers), Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, Holandë

4. An Pauër-Ford (Ann Power-Forde), Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, Irlandë

5. Antonio Balsamo, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese (gjykatës zëvendësues), Itali

6. Ҫarls L. Smith (Charles Smith III), Shtetet e Bashkuara të Amerikës

7. Kristinë van den Vajngart (Christine van der Wyngaert), Belgjikë

8. Mishelë Pikar (Michèle Picard), Francë

9. Tomas Laker (Thomas Laker), Gjermani

10. Emilio Gati (Emilio Gatti), Itali

11. Mihael Bolander (Michael Bohlander), Gjermani

12. Kai Ambos, Gjermani

13. Kenet Roberts (Kenneth Roberts), Kanada

14. Mapi Feld-Folia (Mappie Veldt-Foglia), Holandë

15. Kristof Barte (Christoph Barthe), Gjermani

16. Vladimir Mikula, Republika Çeke

17. Gënel Metro (Guénaël Mettraux), Zvicër

18. Nikola Giju (Nicolas Guillou), Francë

19. Andres Parmas, Estoni

 

 

 


Gjykatësi Kith Reinër (Britani e Madhe) ka punuar si gjykatës në gjykatën e qarkut Ulliç (Woolwich) të Londrës që prej vitit 2015, ku kryeson gjykime të veprave penale seksuale, të krimeve të bandave dhe të krimit të rëndë të organizuar, të veprave penale në lidhje me drogën, mashtrimet, pastrimin e parave dhe armët e zjarrit. Ai është gjykatës që nga viti 2005. Nga viti 2004 deri më 2015, z. Reinër punoi si avokat i të drejtës penale, qoftë si avokat mbrojtës, po ashtu edhe si përfaqësues i prokurorisë në Britaninë e Madhe dhe kreu punë si mbrojtës në gjykatat ushtarake. Nga 2012 deri më 2014 shërbeu si prokuror ndërkombëtar në Dhomat e Jashtëzakonshme të Gjykatave të Kamboxhias. Më 2014 dhe 2015, ai ishte prokuror i lartë në ekipin britanik të procedimit penal të akuzave në lidhje me Irakun ku hetoi anëtarë të personelit ushtarak, të dyshuar për krime në Irak nga 2003 deri më 2009. Gjatë periudhës 1990-1994, punoi në shërbimin juridik të ushtrisë. 

Gjykatësi Reinër është diplomuar si jurist nga Universiteti i Notingem Trentit (Nottingham Trent). Më 1990, u kualifikua si këshilltar ligjor dhe më 1995 u pranua në ushtrimin e avokatisë për Anglinë dhe Uellsin.


Gjykatësi Vidar Stensland (Norvegji) ka qenë gjykatës në Gjykatën e Apelit  të Halogalandit (Haalogaland) në Tromsë (Tromsø) që nga viti 2001. Nga 2013 deri më 2016, ai punoi si gjykatës i EULEX-it, në gjykatën themelore të Mitrovicës. Nga 2007 deri më 2009, punoi si këshilltar ligjor dhe më pas si kreu i Misionit Këshillimor të Norvegjisë për Shtetin Ligjor në Gjeorgji. Nga 2004 deri më 2009, ishte anëtar i Komisionit për Rishikimin e Çështjeve Penale në Norvegji. Nga 2000-2001, ai punoi në zyrën e vetë të avokatisë. Gjatë periudhës 1985-1999, ai ka shërbyer në poste të ndryshme në Prokurorinë e Norvegjisë si kreu i departamentit për ndjekje penale/zëvendësshef i policisë, prokuror i lartë në Norvegjinë veriore dhe në Autoritetin Kombëtar të Norvegjisë për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve ekonomike dhe ambientale. Ai ka ligjëruar për të drejtën dhe procedurën penale, si edhe për të drejtat ndërkombëtare të njeriut në universitete të ndryshme në Norvegji dhe jashtë.

Gjykatësi Stensland është diplomuar si jurist nga Universiteti i Oslos (Norvegji).


Gjykatësi Roland Dekers (Holandë) shërben si gjykatës i lartë në Gjykatën e Apelit të Hertogenboshit ('s-Hertogenbosch ) nga viti 2017. Midis 2008 dhe 2017, shërbeu si gjykatës i lartë (nënkryetar) në Gjykatën e Apelit të Hagës, ku kryesoi seksionin për krime ndërkombëtare. Nga 2005 deri më 2008, gjykatësi Dekers punoi si gjykatës ndërkombëtar në Dhomën për Krimet e Luftës të Gjykatës Shtetërore të Bosnjë-Hercegovinës në Sarajevë. Para kësaj periudhe, ai shërbeu si gjykatës në seksionin penal të Gjykatës së Apelit në Amsterdam (2002-2008) dhe gjatë viteve 2001-2002, në seksionin penal të gjykatës së qarkut të Rurmondit (Roermond). Gjatë periudhës 1997-2001, ai ishte gjykatës në Gjykatën e Përbashkët të Drejtësisë për Arubën dhe Antilet Holandeze. Gjatë periudhës 1992-1997, punoi në gjykatën e qarkut në Hagë, fillimisht si jurist i lartë e më pas si gjykatës. Para kësaj periudhe ka punuar si jurist për shoqëri tregtare dhe si hulumtues i të drejtës civile në Universitetin e Utrehtit.

Gjykatësi Dekers ka qenë ligjërues i jashtëm i të drejtës penale ndërkombëtare dhe procedurës penale në disa universitete në Holandë. Gjithashtu ai është anëtar i komisionit këshillimor të fakultetit juridik të Universitetit të Mastrihtit dhe anëtar i regjistrit të ekspertëve të Seksionit për Çështje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.  Gjykatësi Dekers studioi për drejtësi në Universitetin e Utrehtit (Utrecht) dhe të Mastrihtit (Maastricht), në Holandë dhe u diplomua si jurist nga Universiteti i Mastrihtit.


Gjykatësja An Pauër-Ford (Irlandë) ishte gjykatëse e Gjykatës Evropiane për Të drejtat e Njeriut nga 2008 deri më 2014, ku shërbeu si gjykatëse raportuese në çështje gjyqësore para Dhomës dhe Dhomës së Madhe, si gjykatëse e vetme dhe si kryetare e komisionit gjyqësor. Ajo është anëtare korrespondente e  Zyrës së Avokatisë “Doti Strit” (Doughty Street) në Londër, profesoreshë e jashtme në fakultetin juridik në Universitetin e Dublinit, juriste e lartë në shoqatën e avokatëve në Dublin, dhe oratore ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe çështje të drejtësisë globale. Gjykatësja Pauër-Ford ka mbi 25 vjet përvojë mësimdhënëse në filozofi dhe jurisprudencë.

Gjykatësja Pauër-Ford ka marrë magjistraturën në filozofi nga kolegji i Trinisë i Universitetit të Dublinit dhe është regjistruar si kandidate për doktoratë në jurisprudencë, në Universitetin e Oksfordit (Britani e Madhe). Ajo u diplomua në fakultetin juridik “Kings Ins” me bursën studimore Bruk (Brooke) dhe u pranua në ushtrimin e avokatisë më 1993. Më 2006 u emërua avokate e lartë. Ajo ka botuar dhe paraqitur një sërë studimesh me tema të ndryshme, si në vendin e saj, po ashtu edhe ndërkombëtarisht.


Gjykatësi Antonio Balsamo (Itali) është që nga viti 2016, zëvendësprokuror i përgjithshëm i Gjykatës Supreme të Kasacionit të Italisë dhe profesor i të drejtës penale në fakultetin juridik të LUMSA-s në Palermo. Nga 2011 deri më 2016, ai ishte kryetar i gjykatës së qarkut në Kaltaniseta (Caltanissetta). Nga 2007 deri më 2011, u vu në shërbim të Gjykatës Supreme të Kasacionit të Italisë si gjykatës, dhe nga 1992 deri më 2007 punoi si gjykatës në gjykatën e Palermos. Nga maji 2010 deri në maj 2012, gjykatësi Balsamo shërbeu si anëtar kryesues i Panelit Shqyrtues të EULEX-it për Të Drejtat e Njeriut në Kosovë. Ai mori pjesë si ekspert dhe konsulent në projektet e BE-së për reformën e Kodit Penal të Bullgarisë, themelimin e Zyrës së Prokurorit Publik në IRJM për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe në lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore në Turqi. Gjykatësi Balsamo ka qenë anëtar i komisioneve dhe paneleve të ndryshme gjyqësore në Itali.

Gjykatësi Balsamo është diplomuar si jurist në Universitetin e Palermos (Itali) ku edhe u specializua për të drejtën e administrimit rajonal dhe lokal. Më 1991, ai u emërua praktikant për gjykatës. Ai ka botime të shumta për tema të ndryshme për të drejtën penale dhe mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut në nivel vendor dhe ndërkombëtar.


Gjykatësi Çarls L. Smith, III (Shtetet e Bashkuara të Amerikës) punon që nga viti 2014 si gjykatës për ndërmjetësim dhe arbitrazh. Nga 2010 deri më 2013, ai ishte gjykatës i EULEX-it. Gjatë këtij mandati, u bë anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës nga viti 2011 deri më 2013, dhe u zgjodh nënkryetar dhe kryetar i kuvendit të gjykatësve të EULEX-it, përkatësisht për 2011-2012 dhe 2013. Më 1990, ai u emërua gjykatës qarku në Qarkun e Katërt Gjyqësor në shtetin Aioua (Iowa), ku gjatë periudhës 1996-2010, ishte kryegjykatës dhe anëtar i Këshillit Gjyqësor të shtetit Aioua. Nga 1970 deri më 1989, ai kishte zyrën e vetë të avokatisë i specializuar për çështje penale dhe civile si dhe në të drejtën tregtare, tatimore dhe të trashëgimisë.

Gjykatësi Smith III u diplomua si jurist nga Universiteti i Krejtënit (Creighton) në SHBA, më 1970. Ai fitoi të drejtën e ushtrimit të avokatisë në shtetin e Nevadës (Nevada), në qershor 1970 dhe në shtetin Aioua, në qershor 1971.


Gjykatësja Kristinë van den Vajngart (Belgjikë) ka qenë gjykatëse e Gjykatës Penale Ndërkombëtare që prej vitit 2009. Nga viti 2003 deri më 2009, ajo ishte gjykatëse në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndërsa gjatë periudhës 2000-2002 ishte gjykatëse ad hoc në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Gjatë viteve 1991-1998, shërbeu si nënkryetare e Komisionit për Reformën e Procedurës Penale në Belgjikë (Komisioni Franshimo (Franchimont)). Gjithashtu, ajo punoi si eksperte e Bashkimit Evropian në projekte të ndryshme të së drejtës penale. Gjatë periudhës 1985-2005, ajo ishte profesoreshë në Universitetin e Antverpenit. Ajo ishte studiuese e jashtme në Qendrën Lauterpaht (Lauterpacht) në Universitetin e Kembrixhit dhe që nga viti 2001, profesoreshë nderi në Universitetin e Stelenboshit (Stellenbosch). 

Gjykatësja Van den Vajngart është diplomuar si juriste dhe ka marrë doktoratën në të drejtën penale ndërkombëtare nga Universiteti i Brukselit (Belgjikë). Gjithashtu ajo ka marrë pesë doktorata nderi nga Upsala (Uppsala) në Suedi, nga Brukseli, Kejs Uestërn Rizërv (Case Western Reserve) në SHBA, nga Mastrihti dhe Universiteti i Stelenboshit në Afrikën Jugore. Ajo ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës penale, procedurës penale, të drejtës penale krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare.


Gjykatësja Mishelë Pikar (Francë) është gjykatëse e Gjykatës së Apelit në Paris që prej qershorit 2013. Nga 2008 deri më 2013, ajo ishte gjykatëse në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Nga 2007 deri më 2008, u emërua anëtare e Panelit Këshillues për Të drejtat e Njeriut në Kosovë dhe gjatë periudhës 1996-2003 ajo kryesoi Dhomën për Të drejtat e Njeriut në Bosnjë-Hercegovinë. Më 2005, ajo u emërua eksperte e pavarur për Gjendjen e Të drejtave të Njeriut në Uzbekistan. Ajo gjithashtu punoi për Këshillin e Evropës si eksperte për projekte të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropian për të drejtat e njeriut në Maqedoni, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Gjykatësja Pikar është e diplomuar si juriste nga Universiteti i Parisit. Më 1992, ajo kreu shkollën për gjykatës në Bordo (Bordeaux).


Gjykatësi Tomas Laker (Gjermani) është kryegjykatës i Gjykatës Administrative në Hamburg (Gjermani). Aktualisht, ai është edhe kryesues i Panelit për Apele të Përbashkëta i Tribunalit Ndërkombëtar për Të drejtën Detare dhe i Panelit të Gjyqtarëve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Më 2009, ai ishte ndër gjykatësit e parë të emëruar të Tribunalit të Kombeve të Bashkuara për Kontestimet Administrative, ku shërbeu në dy mandate si kryetar (2010-2011; 2013-2014). Para kësaj periudhe dhe që prej emërimit të tij si gjykatës në gjykatën administrative të Hamburgut, ai u dërgua në Ministrinë e Drejtësisë së Hamburgut (1992-1996), në Gjykatën Administrative të Apelit të Hamburgut (1999-2000) dhe në Gjykatën për Çështje të Sigurimeve Shoqërore të Hamburgut (2005).

Gjykatësi Laker ka kaluar provimet shtetërore të së drejtës dhe mban gradën e doktorit të shkencave juridike nga Universiteti i Gëtingenit (Gjermani).


Gjykatësi Emilio Gati (Itali) punon që nga viti 2010 si prokuror publik në gjykatën e qarkut në Gjenovë (Genova). Nga vitit 2001 deri më 2008 ka qenë gjykatës për çështje penale në qarkun e Gjenovës dhe gjatë periudhës 1985-2001 ka punuar fillimisht si gjykatës për çështje penale e më pas si prokuror publik në gjykatën e qarkut të Savonës. Nga 2008 deri më 2010, ai punoi për EULEX-in në Kosovë si gjykatës për çështje penale.

Gjykatësi Gati është diplomuar si jurist në Universitetin e Gjenovës (Itali). Ai ka botuar gjerësisht në fushën e ndihmës juridike ndërkombëtare, të drejtës humanitare ndërkombëtare dhe të drejtës së trashëgimisë kulturore.

 


Gjykatësi Mihael Bolander (Gjermani) ka punuar nga viti 2015 deri më 2019 si gjykatës hetimor ndërkombëtar në Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatat e Kamboxhias. Që nga viti 2004, ai ka punuar si profesor i të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Durhamit. Gjatë periudhës 2010-2014, gjykatësi Bolander punoi si profesor i jashtëm i të drejtës penale në Universitetin e Groningenit (Holandë), dhe më 2012 dha mësim në Universitetin Al-Azhar (Egjipt), si akademik i jashtëm. Që prej vitit 2001, ai është angazhuar në trajnimin gjyqësor, ndër të tjerë, të gjykatësve të Tribunalit të Lartë të Irakut dhe në këshillimin e qeverive. Gjatë periudhës 1991-2004, z. Bolander ishte gjykatës për çështje penale dhe civile në Tyringen (Thüringen) në Gjermani. Më 1996, ai ishte jurist i jashtëm në një gjykatë të shkallës së parë dhe për hetime paraprake në Spanjë. Gjatë periudhës 1999- 2001, punoi si jurist i lartë në një nga Dhomat Gjyqësore të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. 

Gjykatësi Bolander është diplomuar dhe doktoruar si jurist nga Universiteti i Zarlandit (Saarland) në Gjermani. Ai ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe krahasuese penale.


Gjykatësi Kai Ambos (Gjermani) ka qenë kreu i katedrës për të drejtën penale ndërkombëtare dhe profesor i të drejtës penale, procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Gëtingenit (Göttingen) në Gjermani që nga maji 2003.  Më 2013, ai u emërua drejtor i Qendrës Studimore për Të drejtën dhe Procedurën Penale të Amerikës Latine (CEDPAL) në Universitetin e Gëtingenit. Gjithashtu ai ka punuar si avokat i mbrojtjes dhe konsulent  në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Që nga marsi 2006, gjykatësi Ambos ka punuar si gjykatës i përkohshëm në Gjykatën Provinciale të Saksonisë së Poshtme në Gëtingen prej së cilës u delegua në Gjykatën e Apelit të Braunshvajgut (Braunschweig) për vitin 2015.

Gjykatësi Ambos ka kryer studimet për jurisprudencë dhe shkenca politike në universitetin  e Frajburgut në Brajzgau (Freiburg im Breisgau) në Gjermani, dhe në atë të Oksfordit (Britani e Madhe), e Mynihut (Gjermani). Më 1990 kaloi provimin e parë shtetëror dhe më 1994 provimin e dytë shtetëror që i mundësoi ushtrimin e profesionit të avokatit. Më 1992, gjykatësi Ambos u doktorua dhe më 2001 fitoi aftësimin profesional si ligjërues universitar (të dyja nga Universiteti i Mynihut). Ai ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës dhe procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare.


Gjykatësi Kenet Roberts (Kanada) punon si jurist i lartë në Mekanizmim Ndërkombëtar të Paanshëm dhe të Pavarur (Siri) që nga viti 2018. Ai ka punuar si jurist i lartë në Dhomën Gjyqësore të Dhomave të Jashtëzakonshme të Gjykatave të Kamboxhias (2013-2018), në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë si zëvendëssekretar (2009-2012), jurist i lartë (2005-2009; 2012-2013), jurist (2000-2005) dhe ndihmësjurist (1998-2000). Më 2002, ai ishte kreu i njësisë për politikën ligjore i Departamentit të Drejtësisë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Gjatë periudhës 1995-1997, punoi në Organizatën për Ushqimin dhe Bujqësinë e Kombeve të Bashkuara.

Gjykatësi Roberts është diplomuar për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Torontos (Kanada), për drejtësi në Universitetin Perëndimor (Kanada) dhe është magjistër në të drejtën ndërkombëtare publike nga Universiteti për Ekonomi dhe Shkenca Politike në Londër (Britani e Madhe). Më 1997, ai u pranua në ushtrimin e avokatisë në Ontario (Kanada).


Gjykatësja Mapi Feld-Folia (Holandë) punon si gjykatëse në Gjykatën e Apelit në Hagë që nga viti 2010, ku është anëtare e Dhomave për Trafikimin e Qenieve Njerëzore dhe Krimeve Ndërkombëtare. Prej vitit 2006, ajo punoi si gjykatëse në gjykatën e shkallës së parë të Hagës, në çështje të së drejtës penale (ndërkombëtare) dhe ekstradimit. Nga 1997 deri më 2005, ajo punoi në departamentin e të drejtës penale të zyrës shkencore të Gjykatës Supreme të Holandës. Gjatë kësaj periudhe, më 2001, ajo gjithashtu u caktua në Ministrinë e Punëve të Jashtme si përfaqësuese zëvendësuese në Gjykatën Evropiane për Të drejtat e Njeriut. Ajo ka qenë mësimdhënëse e të drejtës dhe procedurës penale si edhe e të drejtës penale evropiane në Universitetin e Tilburgut dhe në Universitetin e Erasmusit në Roterdam (Holandë).

Gjykatësja Feld-Folia është diplomuar për drejtësi nga Universiteti i Tilburgut dhe ka një diplomë pasuniversitare nga Universiteti i Lirë i Brukselit (Belgjikë). Ajo u doktorua për të drejtat e njeriut dhe procedurën penale nga Universiteti i Tilburgut. Ajo ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës dhe procedurës penale si edhe të së drejtës penale evropiane dhe ka ligjëruar për të drejtën evropiane, trafikimin e qenieve njerëzore dhe të drejtën (procedurale) penale.


Gjykatësi Kristof Barte (Gjermani) është prokuror publik në Gjykatën Federale të Drejtësisë në Gjermani që nga viti 2010, ku është specializuar në procedimin penal të krimeve të luftës dhe gjenocidit. Gjatë periudhës 2009-2010, ai ishte prokuror publik në Mynih,  i  ngarkuar me çështje të së drejtës ambientale dhe të drejtës së përgjithshme penale. Më 2008-2009, punoi si gjykatës në një gjykatë lokale në Rozenhaim (Rosenheim) në Gjermani, ku kreu detyrën e gjykatësit hetimor dhe të gjykatësit të trupit gjykues. Nga 2005 deri më 2007 punoi si prokuror publik në Traunshtain (Traunstein). Gjatë periudhës 2004-2005, punoi si bashkëpunëtor shkencor pasuniversitar në Universitetin e Gëtingenit, në Gjermani. Nga 2002 deri më 2003 ishte gjykatës në gjykatën e qarkut në Bon dhe gjatë viteve 2001-2002 ishte avokat në profesion të lirë.

Gjykatësi Barte kreu studimet juridike në Universitetin e Bonit dhe atë të Lajdenit (Leiden) në Holandë. Ai u diplomua si jurist nga Universiteti i Bonit (Gjermani) dhe u doktorua për të drejtën penale ndërkombëtare në Universitetin e Gëtingenit. Gjithashtu ai është ligjërues i jashtëm në të drejtën dhe procedurën penale, të drejtën penale ndërkombëtare dhe të drejtën humanitare ndërkombëtare ndër të tjera në Rrjetin Evropian për Trajnimin Gjyqësor (EJTN) dhe në Akademinë Gjyqësore të Gjermanisë. Ai ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare dhe vendore.


Gjykatësi Vladimir Mikula (Republika Çeke) ka punuar si gjykatës i EULEX-it që prej vitit 2011. Gjithashtu, ai ka qenë gjykatës në rajonin e Bohemisë Veriore në Republikën Çeke që prej vitit 2007. Më herët ka punuar edhe si këshilltar ligjor i institucioneve financiare në Pragë.

Gjykatësi Mikula është diplomuar si jurist në Universitetin e Pragës (Republika Çeke).

 

 

 


Gjykatësi Genël Metro (Zvicër) ka shërbyer si këshilltar për shtete dhe OJQ të ndryshme në kuadër të proceseve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe në lidhje me hetime e procedime penale të krimeve ndërkombëtare. Gjykatësi Metro ka punuar si avokat mbrojtës dhe konsulent në çështje të njohura për krime lufte dhe terrorizëm në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Tribunalin Special për Libanin, Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatat e Kamboxhias dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Gjykatësi Metro është anëtar i Panelit të EULEX-it për Shqyrtimin e Të drejtave të Njeriut në Kosovë dhe profesor i të drejtës dhe procedurës penale ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit.

Gjykatësi Metro është i diplomuar si jurist në Universitetin e Lozanës (Lausanne) në Zvicër, është magjistruar në të drejtën ndërkombëtare nga Kolegji Universitar në Londër dhe është doktoruar në Universitetin për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës. Ai ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare.


Gjykatësi Nikola Giju (Francë) ka qenë që nga viti 2015, shef i kabinetit të Kryetarit të Tribunalit Special për Libanin. Që nga vitit 2012, ai u emërua prokuror ndërlidhës i Francës në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndihmoi në bashkëpunimin gjyqësor midis dy vendeve për çështje penale dhe civile, veçanërisht për kundërterrorizmin, praktikat e korrupsionit në vende të huaja dhe krimin kibernetik. Gjatë periudhës 2006-2012, gjykatësi Giju shërbeu në poste të ndryshme në Ministrinë e Drejtësisë së Francës si zëvendëskreu i seksionit për të drejtën tregtare, këshilltar për çështje penale dhe këshilltar për çështje diplomatike. Nga viti 2003 deri më 2006, gjykatësi Giju punoi si gjykatës hetimor në gjykatën e Mosë (Meaux), afër Parisit, ku trajtoi çështje të ndryshme penale si vrasje të qëllimshme, krimin e organizuar dhe krimin financiar.

Gjykatësi Giju është magjistruar në të drejtën penale ndërkombëtare dhe evropiane nga Universiteti i Sorbonës (Francë).


Gjykatësi Andres Parmas (Estoni) punon si gjykatës për çështje penale në gjykatën e qarkut në Talin (Tallinn) që nga korriku 2014. Që nga viti 2003, ai është mësimdhënës i kurseve të ndryshme në Universitetin e Tartusë (Tartu) në të drejtën penale, parimet e të drejtës penale ndërkombëtare dhe zbatimin e tyre në të drejtën vendore. Nga janari 2003 deri në qershor 2013, ai punoi si referent juridik në Gjykatën Supreme të Estonisë. Gjithashtu ai ka punuar për EULEX-in si jurist, ku nga qershori 2013 deri në qershor 2014 u caktua në Gjykatën e Apelit në Kosovë.

Gjykatësi Parmas është i diplomuar për drejtësi nga Universiteti i Tartusë në Estoni.