Më 15 dhjetor 2020, në orën 15:00, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (“DHSK") në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Nasim Haradinajt. 

Nasim Haradinaj (“z. Haradinaj”) u arrestua më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe u transferua në Hagë më 26 shtator në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar z. Haradinaj akuzohet për kryerjen e veprave penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Haradinaj zbuloi pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të tjera, të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Gjithashtu, ai bëri akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehu synimin e tij për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Haradinaj shkeli fshehtësinë e procedurës, kreu hakmarrje dhe frikësim kundër dëshmitarëve (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë pengoi punën dhe hetimet e ZPS-së. Aktakuza publike e redaktuar mund të lexohet këtu.

Paraqitja e parë e zotit Haradinaj do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake siguron respektimin e të drejtave të të akuzuarit, përfshirë të drejtën për përfaqësim ligjor dhe se i akuzuari i kupton akuzat kundër tij ose saj. Paraqitja e parë mund të përcillet përmes transmetimit në Internet në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe, me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim.

Seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit  në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjithashtu, në ndërtesën e DHSK-ja është një qendër e posaçme për median në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.

Për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së virusit Kovid-19, numri i ulëseve në galerinë publike dhe në qendrën për mediat do të jetë shumë i kufizuar dhe është i nevojshëm regjistrimi paraprak.

Për regjistrimin paraprak, ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik në [email protected] deri në orën 10:00 të së martës, 15 dhjetor 2020.

Në mesazh duhet të shënoni emrin dhe mbiemrin, datën e lindjes, shtetësinë, numrin e pasaportës/letërnjoftimit, përkatësinë tuaj (p.sh, person privat, diplomat i akredituar, OJQ/shoqëria civile) dhe të dhëna të tjera relevante. Gazetarët duhet të japin edhe emrin e organit të medias, vendin ku janë të bazuar, si edhe një skanim të kartelës së shtypit.

Do t’ju informojnë  sa më shpejt nëse ka ulëse të lira. Kërkojmë mirëkuptimi tuaj duke mbajtur parasysh kufizimet e imponuara prej masave për shëndetin publik në përgjigje të KOVID-19.

Më shumë të dhëna për vizitë në DHSK, ndër të cilat edhe të dhëna për masat në lidhje me KOVID-19, mund të gjeni këtu.

Burimi: 
Dhomat e specializuara