Subscribe to Live update from the Court
E.g., 25/04/2024
E.g., 25/04/2024
E mërkurë 3 Prill, 2024 17:15

Informimi javor për median më 4 prill

Informimi javor i radhës për median do të mbahet të enjten, më 4 prill në orën 14:30. Gjatë këtij informimi, zëdhënësit e DHSK-së do të japin një informacion të përditësuar mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të gjykatës. Gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Për të marrë pjesë, për çdo informim javor nevojitet regjistrimi paraprak. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik me emrin dhe mbiemrin tuaj si dhe emërtimin e medias në [email protected]. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është çdo të enjte deri në ora 12:00. Detajet e platformës Zoom do të ju dërgohen pas regjistrimit paraprak. Regjistrimet e informacioneve të ofruara gjatë informimeve javore do të vihen në dispozicion në kanalin Youtube të DHSK-së.

E mërkurë 3 Prill, 2024 11:15

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: dëshmitari W04739 rinis dëshminë

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Shaun Byrnes, ka rinisur dëshmia e dëshmitarit të 54-të të ZPS-së W04739, e cila filloi dje. Dëshmia po mbahet tërësisht në seancë të mbyllur.

E mërkurë 3 Prill, 2024 09:45

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: dëshmitari Byrnes përsëri në sallën e gjyqit

Këtë mëngjes, ka rinisur dëshmia e dëshmitarit të mëparshëm (të 53-të) të ZPS-së, Shaun Byrnes, në gjykimin Thaçi dhe të tjerët.

E martë 2 Prill, 2024 11:00

Gjykimi i Pjetër Shalës: përcaktohet rendi i ditës për deklaratat përmbyllëse

Më 28 mars 2024, Trupi Gjykues I përcaktoi rendin e ditës për deklaratat përmbyllëse në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, e planifikuar të mbahet nga 15 deri më 18 prill 2024.

Rendi i ditës, që mund të ketë ndryshime gjatë seancës në bazë të vendimeve të Trupit Gjykues, përcakton se deklarata përmbyllëse e ZPS-së do të mbahet më 15 dhe 16 prill, e vijuar nga Mbrojtësi i viktimave (më 16 prill) dhe Mbrojtja (më 16 dhe 17 prill). Përgjigjet dhe komentet e palëve, pyetjet nga Trupi Gjykues dhe parashtrimet në lidhje me zhdëmtime janë planifikuar të mbahen më 17 dhe 18 prill. Dita e fundit do të mbyllet me deklaratën e të akuzuarit.

Ju lutemi vini re se nuk do të ketë seancë më 19 prill, siç ishte planifikuar më herët për deklaratat përmbyllëse, përveç nëse Trupi Gjykues urdhëron ndryshe.

E martë 2 Prill, 2024 09:45

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët : fillon dëshmia e dëshmitarit të ri të ZPS-së

Këtë mëngjes, ZPS-ja thirri dëshmitarin e 54-të, të mbrojtur, me pseudonimin W04739, dëshmia e të cilit do të mbahet tërësisht në seancë të mbyllur, sipas urdhërit të trupit gjykues për mbrojtjen e dëshmitarit.

E enjte 28 Mars, 2024 17:15

Përfundon gjykimi Thaçi dhe të tjerët për këtë javë/rinis më 2 prill

Gjykimi në çështjen Thaçi dhe të tjerët përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Gjykimi do të rinis të martën, më 2 prill, në ora 09:00.

E enjte 28 Mars, 2024 15:30

Probleme teknike me transmetimin e drejtpërdrejtë

Për shkak të një problemi teknik, transmetimi i drejtpërdrejtë i seancës së sotme në çështjen Thaçi dhe të tjerët është ndërprerë rreth orës 13:30 dhe ka zgjatur për disa minuta. Kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim që mund të ketë shkaktuar për shikuesit e transmetimit tonë në internet.

Transkripti i plotë i kësaj seance bashkë me videon do të publikohen në kanalin Youtube dhe në faqen tonë të internetit, sa më shpejt të jetë e mundur.

E enjte 28 Mars, 2024 14:45

Informimi javor për median më 28 mars: transkripti

Transkripti i informimit të sotëm javor të DHSK-së për median ndodhet këtu.


Michael Doyle, zëdhënës i DHSK-së

Arkivi i të gjitha informimeve të mëparshme është i disponueshëm në këtë faqe ndërsa video incizimet mund të gjenden në kanalin tonë në Youtube

E enjte 28 Mars, 2024 13:00

Çështja Januzi dhe të tjerët: Gjykatësi i Procedurës Paraprake caktoi kalendarin për hapat e ardhshëm procedural

Më 27 mars 2024, gjykatësi Giju nxori një urdhër lidhur me afatet konkrete kohore për procedurat e mbetura paraprake në çështjen kundër Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës.

Sa i përket situatës së financimit të ekipeve të tyre, Mbrojtja urdhërohet të plotësojë dhe dorëzojë formularët dhe dokumentacionin e nevojshëm deri më 12 prill 2024 nëse synojnë të kërkojnë ndihmë juridike nga DHSK-ja. Gjykatësi urdhëroi ekipet e Mbrojtjes që të dorëzojnë parashtrimet me shkrim nëse ka ndonjë pengesë në përmbushjen e afatit për dorëzimin e formularëve të nevojshëm si dhe kërkoi nga Zyra Administrative që t'i trajtojë këto kërkesa në mënyrë urgjente.

Ndër afatet tjera kohore, gjykatësi urdhëroi gjithashtu që Mbrojtja të dorëzojë dosjen e vet paraprake deri më 7 qershor dhe caktoi 21 qershorin 2024 si datë për kalimin e dosjes së çështjes Trupit Gjykues.

Vendimin dhe më shumë detaje mund t’i gjeni këtu.

E enjte 28 Mars, 2024 12:30

Çështja Mustafa: publikohet raporti i parë i Administratores në lidhje me zhdëmtimet

Versioni i redaktuar publik i parashtrimit të Administratores lidhur me zbatimin e Urdhrit për zhdëmtim në çështjen Salih Mustafa (i dorëzuar në mënyrë konfidenciale më 24 janar të këtij viti) është i disponueshëm në dokumentacionin gjyqësor publik. Ky parashtrim pason caktimin e një gjykatësi të vetëm më 17 janar (shih njoftimin tonë këtu) për të mbikëqyrur zbatimin e urdhrit për zhdëmtim dhe për të marrë raporte nga Administratorja për çdo veprim të ndërmarrë në kuadër të Programit për kompensimin e viktimave të krimit në Kosovë.

Administratorja vuri në dukje se afati kohor i aplikueshëm për dorëzimin e kërkesave të viktimave në këtë çështje, në kuadër të Programit për kompensimin e viktimave të krimit, është brenda tre viteve nga marrja e aktgjykimit të formës së prerë, ashtu siq është përcaktuar me ligjin e ndryshuar në fuqi në Kosovë. Ajo theksoi se kjo do të bëhet në bashkëpunim me Mbrojtësin e Viktimave pasi të merren të gjitha informatat përkatëse dhe të plotësohen të gjitha kushtet, dhe saktësoi se, sipas të njëjtit ligj, këto kërkesa mund të dorëzohen vetëm pas përcaktimit të mundësisë së Mustafës për t'i kompensuar vetë tetë viktimat, tërësisht ose pjesërisht. Nëse një përcaktim i tillë kërkohet nga gjykatësi i vetëm, Administratorja deklaroi se mund të kryejë një vlerësim të shkallës së varfërisë së Mustafës duke përdorur sistemin e paraparë në Rregulloren e DHSK-së për ndihmë juridike.

Bazuar në informacionin e ofruar, Administratorja kërkon vendimin e gjykatësit të vetëm lidhur me këtë çështje.