“Interesi personal dhe të drejtat e një viktime në procese penale para Dhomave të Specializuara janë njoftimi, pranimi dhe zhdëmtimi.”

Dispozitat në lidhje me zhdëmtimin në proceset para Dhomave të Specializuara gjenden në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (Ligji nr. 05/L-053). 

Në nenin 22 të Ligjit përcaktohet se në aktgjykim, trupi gjykues mund të përfshijë një vendim mbi shkallën dhe masën e dëmit, humbjes dhe lëndimeve shkaktuar viktimave, apo në lidhje me viktimat, ose mund ta kufizojë vendimin e vet në identitetin e viktimave.

Nëse një i akuzuar shpallet fajtor, trupi gjykues mund:

  1. të lëshojë urdhër drejtpërdrejt kundër personit të akuzuar, ku e specifikon zhdëmtimin e duhur ndaj viktimave, bashkërisht ose individualisht; ose  

  2. t’i referojë viktimat për padi civile në gjykatat e tjera të Kosovës.

 

Gjithashtu, në nenin 44 të Ligjit përcaktohet se Dhomat e Specializuara mund të urdhërojnë personin e dënuar që të dëmshpërblejë ose kompensojë viktimën apo viktimat bashkërisht, ose mund të urdhërojnë konfiskimin e pronës, të ardhurave dhe të aseteve që përdoren për kryerjen e krimit dhe që rrjedhin nga kryerja e krimit dhe kthimin e tyre tek pronari i ligjshëm, si dhe shitjen dhe ndarjen mes viktimave sipas nenit 22 (“Urdhri për Zhdëmtim”).    

Çështja gjyqësore Prokurori kundër z. Salih Mustafa (KSC-BC-2020-05)

Trupi Gjykues e zhvilloi procedurën e zhdëmtimit paralelisht me procedurën penale dhe që në fazën e hershme të procesit caktoi tre ekspertë. Ekspertëve iu kërkua të përgatisnin një raport ku të sqaronin nëse gjykatat në Kosovë ofrojnë mundësi reale që viktimat e krimeve në këtë çështje gjyqësore të kërkojnë zhdëmtim. Të tre ekspertët arritën në përfundim të ngjashëm, përkatësisht se referimi i viktimave për padi civile në gjykatat e Kosovës nuk është një zgjidhje e realizueshme (lidhja me raportet). 

Më 4 shkurt 2022, Trupi Gjykues mori vendimin që në rast të shpalljes së fajësisë, nuk do t’i referonte viktimat për padi civile në gjykatat e Kosovës në bazë të nenit 22(9) të Ligjit, por do të lëshonte një Urdhër për Zhdëmtim (lidhja me vendimin).

Për të përcaktuar masën e dëmit, humbjes dhe lëndimeve, Trupi Gjykues caktoi një ekspert mjekësor dhe një ekspert financiar.

URDHRI PËR ZHDËMTIM

Urdhri për Zhdëmtim u lëshua më 6 prill 2023, pas shpalljes së fajësisë së z. Mustafa. Versioni i redaktuar publik i tij gjendet KËTU.

Në Urdhrin për Zhdëmtim, Trupi Gjykues konstatoi se shpallja fajtor dhe dënimi tashmë përbëjnë një mjet juridik për viktimat, i paraparë brenda së drejtës së pranimit.  

Trupi Gjykues urdhëroi z. Mustafa të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin shkaktuar viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

Trupi Gjykues vendosi se kompensimi individual i secilës viktimë është lloji dhe modaliteti më i përshtatshëm i zhdëmtimit dhe urdhëroi shuma të ndryshme për t’iu paguar secilës prej tetë viktimave pjesëmarrëse,  që shkojnë nga 2000 euro deri në 80.000 euro. Këto shuma u përcaktuan në përputhje me kërkesën e Mbrojtëses së Viktimave, që Trupi Gjykues i gjykoi të arsyeshme dhe që pasqyrojnë shkallën dhe përmasat e dëmit të pësuar nga viktimat.

Trupi Gjykues theksoi se juridiksioni i tij në këtë çështje gjyqësore do të përfundojë me nxjerrjen e këtij Urdhri për Zhdëmtim. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues ftoi Kryetaren e DHSK-së të caktojë një autoritet gjyqësor përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e vënies në jetë dhe zbatimit të këtij Urdhri për Zhdëmtim.

Megjithëse rikujtoi se përgjegjësinë për pagesën e kompensimit për viktimat e mban ekskluzivisht z. Mustafa, Trupi Gjykues gjithashtu vuri në dukje se z. Mustafa aktualisht nuk zotëron mjete financiare për përmbushjen e plotë të këtij urdhri. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues theksoi se për jetësimin Urdhrit për Zhdëmtim, duhet të përfshihen edhe aktorë të tjerë, veçanërisht Kosova. Në këtë kontekst, Trupi Gjykues theksoi se programi ekzistues i Kosovës për kompensimin e viktimave të krimit mund të shërbejë si  alternativë për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim, edhe pse shumat maksimale që mund të akordohen nga ky program janë më të ulëta se ato të përcaktuara në Urdhrin për Zhdëmtim.

Për këtë arsye, Trupi Gjykues ftoi Kosovën që të krijojë një mekanizëm të ri për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e DHSK-së, për të garantuar trajtimin e barabartë të viktimave me atë të të dyshuarve ose të akuzuarve në proceset e DHSK-së, mbrojtja e të cilëve financohet përmes buxhetit të Kosovës, ndërkohë që nuk parashihet asgjë për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e DHSK-së. Gjithashtu, Trupi Gjykues vëren se legjislacioni i Kosovës që trajton dëmin dhe lëndimet e pësuara në kontekstin e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, u referohet ekskluzivisht  viktimave prej forcave të armikut, që sipas mendimit të Trupit Gjykues, krijon diskriminim midis viktimave të kësaj lufte. 

Krahas kësaj, Trupi Gjykues rekomandoi krijimin e një fondi për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e DHSK-së, me nismën e DHSK-së, në rast se Kosova nuk i përmbush detyrimet e veta ndaj viktimave brenda një kohe të arsyeshme përmes krijimit të një mekanizmi për zhdëmtim. Fondi duhet të mbështetet financiarisht para së gjithash nga Kosova, si edhe nga shtete dhe donatorë të tjerë që dëshirojnë t’u ofrojnë mbështetje viktimave.