Një person fizik që beson se ka pësuar dëm fizik, material ose mendor si pasojë e drejtpërdrejtë e një vepre penale të pretenduar në një aktakuzë të konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, mund t’u bëjë kërkesë Dhomave të Specializuara për t’u pranuar si viktimë pjesëmarrëse.

Viktimat mund të bëjnë kërkesë për të marrë pjesë vetëm nëse aktakuza e konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake bëhet publike. Pas publikimit të aktakuzës, Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave e Zyrës Administrative nxjerr formularët e kërkesës dhe jep informacion të hollësishëm për kriteret e pranimit si viktimë pjesëmarrëse dhe për procesin e kërkesës për pranim. Kërkesat i duhen dorëzuar Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave në kohë të mjaftueshme përpara fillimit të gjykimit.

Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave i trajton si konfidenciale të gjitha kërkesat e viktimave dhe komunikimet me viktimat pjesëmarrëse të mundshme, si dhe me këdo që i ndihmon ato.

Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar përcakton se interesat dhe të drejtat individuale të viktimave në procedura penale janë njoftimi, miratimi i statusit si viktimë dhe zhdëmtimi. Rrjedhimisht, pas miratimit të statusit, viktimat mund të marrin pjesë në procedurat para Dhomave të Specializuara, në përputhje me procedurat e përcaktuara në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave.

Përfaqësimi përmes mbrojtësit

Për përfaqësimin e viktimave, një avokat duhet të përmbushë kriteret e parashtruara në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave dhe në Direktivën për Mbrojtësit.

Viktimat marrin pjesë si një grup i vetëm, përveç nëse një panel gjykatësish vendos krijimin e më shumë se një grupi. Në procedurat gjyqësore, një grup viktimash përfaqësohet nga mbrojtësi i caktuar nga Administratori, pasi janë marrë parasysh mendimet dhe interesat e tyre.

Lista e Mbrojtësve

Për t’u pranuar në Listën e Mbrojtësve që mbahet nga Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave, një avokat duhet të përmbushë kriteret e parashtruara në Direktivën për Mbrojtësit e cila hyri në fuqi më 6 nëntor 2017. Procesi për pranim në Listën e Mbrojtësve parashtrohet në Pjesën 6 dhe Pjesën 7 të Direktivës.

Avokati që bën kërkesë për pranim në Listën e Mbrojtësve mund të bëjë të ditur nëse është i gatshëm që brenda një kohe të shkurtër të caktohet si mbrojtës kujdestar. Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave mban një listë të mbrojtësve kujdestarë të vet, për këtë qëllim.

Formulari i kërkesës për pranim në Listën e Mbrojtësve gjendet KËTU.

Udhëzuesi në lidhje me plotësimin e formularit për pranim në Listën e Mbrojtësve gjendet KËTU.

Të gjitha pyetjet lidhur me procedurën e paraqitjes së kërkesës për pranim në Listën e Mbrojtësve dhe pjesëmarrjen e viktimave mund t’i dërgohen Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave në: vpo@scp-ks.org.

Fletinformacionin mbi pjesëmarrjen e viktimave dhe kërkesën për pranim në Listën e Mbrojtësve e gjeni KËTU.

Listat e përditësuara të Mbrojtësve mund t'i gjeni KËTU.