Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kanë detyrimin të mbrojnë të drejtat themelore të mishëruara në Kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës dhe të veprojnë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Ndonëse është pjesë e Zyrës Administrative, Avokati i Popullit vepron në mënyrë të pavarur për monitorimin, mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të personave që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Avokati i Popullit ka përgjegjësi ekskluzive për të dy institucionet (Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar).

Avokati i Popullit nuk ndërhyn në çështje gjyqësore ose procedura të tjera ligjore para Dhomave të Specializuara, përveçse në raste vonesash të paarsyeshme, por ai mund të nxjerrë rekomandime për çështje që janë pjesë e funksioneve të tij dhe ka të drejtë t’i referojë Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese çështje që lidhen me përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën e Kosovës.

Korniza ligjore

Mandati dhe funksionet zyrtare të Avokatit të Popullit përshkruhen hollësisht në amendamentin kushtetues nr. 24, në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, në rregullën 28 dhe rregullën 29 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe në rregullën 26 të Rregullores së Punës të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

Çfarë e dallon krijimin e Zyrës së Avokatit të Popullit brenda strukturës së Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar është se kjo Zyrë ofron mbrojtje shtesë të të drejtave të njeriut për personat që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Funksionet

Ndër të tjera, Avokati i Popullit mund:

  • të marrë ankesa nga persona që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilët pretendojnë shkelje të të drejtave të njeriut;
  • të kryejë hetime në lidhje me ankesa të pranueshme;
  • të hyjë në objektet e paraburgimit dhe t’i inspektojë ato, duke mbajtur parasysh rregullat dhe protokollet e zbatueshme;
  • të propozojë dhe mundësojë ndërmjetësim dhe pajtim, në varësi të rrethanave;
  • t’u paraqesë rekomandime dhe propozojë zgjidhje Kryetarit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar për çështje që janë pjesë e funksioneve të tyre;
  • t’i bëjë referime Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështje të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën e Kosovës;
  • të marrë pjesë si amicus curiae (mik i gjykatës), me ftesë prej një gjykatësi të vetëm apo një paneli.