Çfarë janë Dhomat e Specializuara të Kosovës?

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) janë një gjykatë penale e cila ka mandatin të gjykojë disa krime që pretendohet të jenë kryer gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë, ndër të cilat krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjykata u krijua në bazë të legjislacionit të Kosovës por selia e saj është në Hagë, Holandë, dhe punonjësit e saj janë shtetas të Bashkimit Evropian dhe të pesë shteteve të tjera kontribuese.

Si gjykatë penale, në qendër të vëmendjes së DHSK-së është kryerja e proceseve gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura që garantojnë të drejtat e të akuzuarve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në procese, si edhe sigurinë dhe mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të viktimave.

Dhomat e Specializuara do të mbajnë përgjegjës vetëm persona për krime të kryera prej tyre si individë, dhe nuk do të mbajnë përgjegjës grupe etnike, organizata apo komunitete.

Cila është baza ligjore për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar?

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u krijuan në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare, e njohur si Shkëmbimi i Letrave, që u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2014. Detyrimet e Kosovës sipas kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare hynë në fuqi nëpërmjet një Amendamenti Kushtetues (neni 162 i Kushtetutës së Kosovës) dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (Ligji), të cilët u miratuan nga Kuvendi i Kosovës në gusht 2015. Sipas përcaktimeve të kësaj kornize ligjore, DHSK-ja dhe ZPS-ja janë të pavarura nga institucionet e Kosovës.

A janë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar i njëjti institucion?

DHSK-ja dhe ZPS-ja janë dy institucione të veçanta. ZPS-ja kryen hetime dhe ndjek penalisht krime të pretenduara që përfshihen në juridiksionin e DHSK-së.

Dhomat e Specializuara përbëhen nga dy organe: Dhomat dhe Zyra Administrative . Dhomat përbëhen nga Kryetari dhe gjykatësit të cilët drejtojnë proceset gjyqësore. Zyra Administrative administron të gjitha funksionet mbështetëse gjyqësore të rëndësishme për punën e gjykatës, si paraburgimin, administrimin e gjykatës, ndihmën juridike, pjesëmarrjen e viktimave dhe përkthimet me shkrim dhe me gojë.

Cilat krime mund të gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës?

Dhomat e Specializuara kanë një mandat të përcaktuar për gjykimin e disa krimeve që pretendohet se janë kryer gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë.

Më konkretisht, sipas Ligjit, DHSK-ja ka juridiksion mbi krime kundër njerëzimit, krime të luftës dhe krime të tjera të parapara në legjislacionin e Kosovës, të cilat pretendohet se janë kryer midis janarit 1998 dhe dhjetorit 2000. Për t’u përfshirë në juridiksionin e gjykatës, këto krime duhet gjithashtu të jenë kryer ose të kenë filluar të kryhen në Kosovë, ose kryesi apo viktima duhet të kenë qenë shtetas të Kosovës ose të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë. Juridiksioni lëndor përcaktohet më tej në nenin 6 të Ligjit, duke iu referuar Raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.

Gjykata mund të gjykojë edhe vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, si për shembull frikësimi i dëshmitarëve, kur këto lidhen me procedurat ose punonjësit e saj.

Cila gjuhë përdoret në Dhomat e Specializuara të Kosovës?

Gjuhët zyrtare të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë shqipja, serbishtja dhe anglishtja. Të gjitha seancat në sallën e gjyqit kryhen me përkthim simultan në të tri gjuhët dhe anëtarët e publikut që i përcjellin ato nga galeria për publikun ose në Internet mund të zgjedhin t’i përcjellin ato në gjuhën shqipe, serbe ose angleze. Po kështu, i gjithë informacioni i hollësishëm që përfshihet në faqen e Internetit të DHSK-së lidhur me gjykatën dhe punën e saj, përfshirë edhe dokumentet themeluese të gjykatës, jepet në të tri gjuhët e saj.

Sa i takon dokumenteve publike të gjykatës për çështje gjyqësore të caktuara, këto nxirren në faqen e Internetit sapo të jenë bërë publike në gjuhën origjinale, që zakonisht është gjuha e punës e çështjes gjyqësore, ndërsa përkthimet vihen në dispozicion sapo të jenë gati. Ligji përcakton që gjykatësit vendosin se cila do të jetë gjuha e punës e procesit për secilën çështje gjyqësore. Në të gjitha çështjet gjyqësore që janë tani para DHSK-së, si Prokurori ashtu edhe Mbrojtja kanë kërkuar që gjuha e punës të jetë anglishtja.

DHSK-ja dhe ZPS-ja i përkthejnë të gjitha dokumentet dhe parashtrimet publike në gjuhët e gjykatës sa më shpejt që të jetë e mundshme. Duke pasur parasysh se përkthimet e dokumenteve duhet të jenë të një standardi sa më të lartë, mund të duhet një farë kohe deri sa të përfundojë përkthimi në gjuhët shqipe dhe serbe i dokumenteve të çështjeve gjyqësore në të cilat gjuha e punës është anglishtja.

Përmbledhjet e të gjitha çështjeve gjyqësore, së bashku me lidhjet përkatëse për dokumentet kryesore si aktakuzat, mund t’i gjeni në të tri gjuhët në: https://www.scp-ks.org/sq/cases.

Cilat çështje gjyqësore kanë filluar?

Përmbledhjet e të gjitha çështjeve gjyqësore që po zhvillohen në DHSK, së bashku me lidhjet për dokumentet kryesore të secilës çështje, përfshirë edhe aktakuzat, mund t’i gjeni në gjuhët shqipe, serbe dhe angleze në:https://www.scp-ks.org/sq/cases.

Gjithashtu, transkriptet e seancave publike mund t’i gjeni në të tri gjuhët në: https://repository.scp-ks.org/?lang=sqi.

A mund t’i përcjell seancat?

Të gjitha seancat publike të planifikuara gjenden në kalendarin e gjykatës. Nëse ka ndryshime apo vonesa, përditësimi  i kalendarit bëhet në Live Update. Të gjitha seancat publike transmetohen në të tri gjuhët e gjykatës dhe mund të përcillen në: https://www.scp-ks.org/sq/transmetim.

Publiku është gjithashtu i mirëpritur që t’i përcjellë seancat nga galeria për publikun e sallës së gjyqit. Megjithatë, për shkak të masave aktuale të shëndetit publik për të kufizuar përhapjen e Kovid-19, numri i vendeve në galerinë për publikun është i kufizuar dhe përcjellja e tyre nga galeria është e mundur vetëm me regjistrim paraprak.

Cilët janë hapat që çojnë në gjykim?

Kur Prokurori i Specializuar gjykon se ka prova të mjaftueshme për të ngritur akuza kundër një ose më shumë të dyshuarve lidhur me krimet që përfshihen në juridiksionin e DHSK-së, ai paraqet një aktakuzë  për t’u shqyrtuar nga një Gjykatës i Procedurës Paraprake, i cili caktohet nga Kryetari i Dhomave të Specializuara.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake shqyrton provat mbështetëse të aktakuzës për të përcaktuar nëse  ekziston dyshim i bazuar mirë kundër të dyshuarit ose të dyshuarve. Gjykatësi i Procedurës Paraprake vendos brenda gjashtë muajsh nëse do ta konfirmojë ose do ta hedhë poshtë tërësisht ose pjesërisht aktakuzën.

Në qoftë se Gjykatësi i Procedurës Paraprake e konfirmon akuzën, i dyshuari bëhet i akuzuar. Aktakuza e konfirmuar i jepet të akuzuarit në një gjuhë që i akuzuari e kupton.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake cakton datën e paraqitjes së parë të të akuzuarit brenda shtatë ditësh pasi të akuzuarit i është dhënë aktakuza. Qëllimi i paraqitjes së parë është që të sigurohet respektimi i të drejtave të të akuzuarit. Për shembull, Gjykatësi i Procedurës Paraprake siguron se është respektuar e drejta e të akuzuarit për të pasur mbrojtës. Gjykatësi i Procedurës Paraprake siguron që i akuzuari e ka kuptuar aktakuzën. Gjithashtu, i akuzuari informohet se mund të bëjë vetëdeklarimin nëse është fajtor apo i pafajshëm brenda 30 ditësh nga paraqitja e parë ose, nëse dëshiron, mund ta bëjë këtë menjëherë.

Aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para gjykatësit të procedurës paraprake. Deri sa aktakuza të bëhet publike, përmbajtja dhe dokumentet mbështetëse të saj mbeten rreptësisht konfidenciale.

Gjatë fazës paraprake, pas paraqitjes së parë dhe kur është e nevojshme, Gjykatësi i Procedurës Paraprake mban seanca për përgatitjen e procesit dhe për të marrë vendime mbi mocionet paraprake që ngrenë të akuzuarit. Prokurori i Specializuar duhet t’i japë Mbrojtjes provat mbi të cilat mbështetet aktakuza, si edhe deklaratat e të gjithë dëshmitarëve që Prokurori i Specializuar ka ndër mend të thërrasë në gjykim. Po kështu, edhe Mbrojtja duhet t’i japë Prokurorit një listë të dëshmitarëve dhe çfarëdo provash të tjera që ka ndërmend të përdorë. Ky proces quhet nxjerrje e dokumenteve.

Faza paraprake është gjithashtu periudha gjatë së cilës viktimat mund të bëjnë kërkesë të marrin pjesë në proces dhe gjykatësi merr vendim në lidhje me këto kërkesa.

Me përfundimin e përgatitjeve, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kalon dosjen e çështjes gjyqësore një paneli të përbërë nga tre gjykatës dhe një gjykatës rezervë.

Si e garanton DHSK-ja sigurinë e dëshmitarëve?

Mbrojtja e dëshmitarëve është një nga përparësitë më të rëndësishme të DHSK-së. Gjykata ka një njësi të veçantë që merret me mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve. Gjithashtu, gjykatësit mund të urdhërojnë një varg masash mbrojtëse për dëshmitarët, si për shembull caktimi i pseudonimeve apo ndryshimi i zërit dhe i pamjes. Shkeljet dhe moszbatimet e masave mbrojtëse të urdhëruara nga gjykata janë vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe ndëshkohen rreptë në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës që zbatohet në DHSK. 

A mund të marrin pjesë viktimat në gjykime në DHSK? Cili është procesi i paraqitjes së kërkesës për pjesëmarrje si viktimë?

Personat të cilët mund të demonstrojnë se kanë pësuar personalisht dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e krimeve të pretenduara në një aktakuzë të konfirmuar, mund të paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në proces. Pas marrjes së kërkesave, një gjykatës i shqyrton ato dhe merr vendim për miratimin ose jo të statusit të viktimës pjesëmarrëse në  DHSK për secilin person që ka bërë kërkesë.

Viktimat pjesëmarrëse në proceset gjyqësore në DHSK do të bëjnë pjesë në një ose më shumë grupe. Secili grup përfaqësohet nga një jurist, i cili quhet mbrojtësi i viktimave. Mbrojtësi i viktimave mund të marrë pjesë në seanca gjyqësore dhe i mban viktimat të informuara gjatë gjithë kohëzgjatjes së procesit. Mbrojtësi i viktimave do të kërkojë mendimet e viktimave, do të dëgjojë shqetësimet e tyre dhe do t’i sjellë ato në vëmendje të gjykatësve përkatës. Viktimat pjesëmarrëse në proceset gjyqësore të DHSK-së kanë disa të drejta, ndër të cilat edhe të drejtën e njoftimit, të njohjes si viktimë dhe zhdëmtimit.

Më shumë informacion lidhur me pjesëmarrjen e viktimave, përfshirë për procesin e paraqitjes së kërkesës, mund të gjeni në: https://www.scp-ks.org/sq/dhomat-e-specializuara/viktimat.

Po të drejtat e të akuzuarve?

Të drejtat e të akuzuarve para DHSK-së bazohen në Kushtetutën e Kosovës e në standardet më të larta të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe përshkruhen në hollësi në nenin 21 të Ligjit. Për shembull, i akuzuari supozohet i pafajshëm deri kur fajësia e tij të provohet jashtë dyshimit të arsyeshëm.

DHSK-ja mbron të drejtat themelore të të akuzuarit, ndër të tjera duke i mundësuar atij kohë dhe mjete të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet. I akuzuari ka të drejtë të përfaqësohet nga një mbrojtës i kualifikuar i cili përmbush kriteret e pranimit në Listën e Mbrojtësve të DHSK-së. Nëse i akuzuari nuk ka mjete të mjaftueshme për të paguar për përfaqësimin e tij, mbrojtësi paguhet nga DHSK-ja. I akuzuari ka të drejtën të gjykohet brenda një kohe të arsyeshme dhe të jetë i pranishëm në proces.

Rregullorja e Procedurës dhe e Provave (Rregullorja) është dokumenti mbi bazën e të cilit gjykatësit drejtojnë proceset gjyqësore në një mënyrë që i mbron këto të drejta në të gjitha fazat e procesit gjyqësor.

Për shembull, që në seancën e paraqitjes së parë të të akuzuarit në gjykatë, përpara fillimit të përgatitjes për gjykim, Gjykatësi i Procedurës Paraprake duhet të sigurojë se po respektohet e drejta e të akuzuarit për t’u përfaqësuar nga një mbrojtës, se i akuzuari është informuar për akuzat e ngritura kundër tij në një gjuhë që e kupton dhe se ai e kupton se mund të vetëdeklarohet fajtor ose i pafajshëm.

E drejta e të akuzuarve për t’u mbrojtur përmes një avokati mbrojtës që e zgjedhin vetë i mbron të gjithë të akuzuarit, edhe ata që nuk kanë mjetet financiare për ta paguar vetë mbrojtësin. Për garantimin e kësaj të drejte të të akuzuarve, Zyra Administrative administron një skemë transparente të ndihmës juridike në përputhje me praktikat më të mira në këtë fushë. 

Për të pasur një gjykim të drejtë, i akuzuari duhet të ketë qasje në provat ose faktet që Prokurori i Specializuar ka ndër mend të përdorë gjatë gjykimit. Kjo bëhet përmes një procesi të quajtur “nxjerrje e provave”, sipas të cilit Prokurori i Specializuar duhet t’i vërë në dispozicion Mbrojtjes  të gjitha provat në mbështetje të aktakuzës. Për më tepër, nëse Prokurori i Specializuar gjen çfarëdo informacioni që sugjeron se i akuzuari është i pafajshëm ose që lehtëson përgjegjësinë penale të të akuzuarit, Prokurori i Specializuar duhet t’ia bëjë atë menjëherë të ditur Mbrojtjes.

Nxjerrja e provave është objekt i kufizimeve vetëm nëse është absolutisht e domosdoshme dhe gjykatësi mund të urdhërojë, për shembull, redaktimin e informacionit, përdorimin e pseudonimeve, ose masa të tjera për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Një e drejtë tjetër themelore është edhe e drejta për gjykim të drejtë dhe publik. Si parim i përgjithshëm, pasi aktakuza është bërë publike, seancat gjyqësore janë të hapura për publikun dhe njerëzit mund t’i përcjellin ato në gjuhët shqipe, serbe dhe angleze në faqen e Internetit të DHSK-së. Gjykatësit mund të vendosin që pjesë të caktuara të procesit të kryhen në seancë të mbyllur, për arsye si mbrojtja e dëshmitarëve, e viktimave dhe e kujtdo tjetër që ka qenë në kontakt gjykatën.

Ndër të tjera, Rregullorja e Procedurës dhe e Provave i jep Mbrojtjes mundësinë që të bëjë pyetje, të marrë në pyetje dëshmitarët e palës tjetër, të paraqesë argumente për kundërshtimin e provave të paraqitura nga Prokurori i Specializuar, si dhe të paraqesë prova dhe të sjellë dëshmitarë në mbështetje të argumenteve të veta.

Në përfundim të gjykimit, paneli i përbërë nga tre gjykatës do të vendosë nëse fajësia e të akuzuarit në lidhje me secilën prej akuzave është provuar jashtë dyshimit të arsyeshëm. I akuzuari ka të drejtën ta apelojë vendimin para një paneli të Gjykatës së Apelit dhe, në rrethana të caktuara, edhe të drejtën e apelimit në shkallën e tretë para panelit të Gjykatës Supreme. 

Nëse janë shteruar të gjitha mjetet e tjera juridike të parapara në Ligj, personat që besojnë se gjatë procesit u janë shkelur të drejtat ose liritë e tyre themelore të garantuara në Kushtetutën e Kosovës, mund t’ia referojnë çështjen Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

Çfarë ndodh nëse i akuzuari nuk është në gjendje të paguajë për shpenzimet e përfaqësimit të vet juridik?

Të dyshuarve ose të akuzuarve në DHSK që provojnë se nuk janë në gjendje të paguajnë për mbrojtjen e tyre ose nuk marrin ndihmë juridike në mënyra të tjera, u miratohet ndihmë juridike e plotë ose e pjesshme për pagesën e një mbrojtësi që zgjedhin vetë, i cili përmbush kriteret për pranim në Listën e Mbrojtësve të DHSK-së. Ndihma juridike mbulon pagesën e mbrojtësit dhe të anëtarëve të ekipit të mbrojtësit dhe i paguhet drejtpërsëdrejti mbrojtësit.

Rregullorja e Ndihmës Juridike pasqyron praktikat më të mira të standardeve të ndihmës juridike, duke garantuar respektimin e parimeve të gjykimit të drejtë të mishëruara në Kushtetutën e Kosovës dhe në Ligj dhe njëkohësisht siguron miradministrimin financiar të burimeve të skemës së ndihmës juridike.

Shuma e ndihmës juridike llogaritet nga Administratori në këshillim me panelin kompetent dhe mbrojtësin, duke mbajtur parasysh nivelin e kompleksitetit të çështjes dhe shërbimet e ofruara prej mbrojtësit në secilën fazë të procesit. Gjithashtu, kompensohen deri në një shumë të caktuar edhe shpenzimet që mund të dalin gjatë hetimeve ose për shkak të nevojës për përkthime.

Në Rregulloren e Ndihmës Juridike përshkruhet me transparencë mënyra se si bëhet kërkesa për ndihmë juridike dhe çfarë dokumentesh duhet t’i dorëzohen Zyrës së Mbrojtjes. Më konkretisht, së bashku me kërkesën për ndihmë juridike duhet dorëzuar edhe një formular i deklarimit të mjeteve financiare. Zyra e Mbrojtjes kryen një verifikim rrënjësor të mjeteve financiare të parashtruesit të kërkesës për të përcaktuar nëse duhet miratuar ndihmë juridike e plotë ose e pjesshme. Në rast se parashtruesi i kërkesës nuk bashkëpunon ose jep informacion të rremë, kërkesa për ndihmë juridike refuzohet. Në qoftë se nuk pajtohet me vendimin e Administratores, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë ta apelojë atë vendim para një paneli gjykatësish.

Në Rregulloren e Ndihmës Juridike përcaktohen shumat maksimale për honorarin e ndihmës juridike dhe për shpenzime të tjera që mund të kompensohen pas dorëzimit të faturave. Po kështu, Rregullorja përmban edhe procedurën e mbikëqyrjes dhe monitorimit nga Zyra e Mbrojtjes të shpenzimit të ndihmës juridike.

Më shumë informacion për ndihmën juridike mund të gjeni në:https://www.scp-ks.org/sq/perfaqesimi-juridik/ndihma-juridike.

Ku mbahen të paraburgosur dyshuarit dhe të akuzuarit? Cili është protokolli për trajtimin e personave që mbahen në objektin e paraburgimit të DHSK-së?

Në bazë të nenit 34 të Ligjit, Administratori është përgjegjës për administrimin dhe funksionimin e objektit të paraburgimit. Objekti i paraburgimit i DHSK-së gjendet brenda ndërtesës së një burgu holandez në Sheveningen, Hagë, dhe administrohet nga Njësia e Paraburgimit e Zyrës Administrative.

Në objektin e paraburgimit zbatohen dhe respektohen standardet më të larta ndërkombëtare. Për këtë qëllim janë vendosur një sërë garancish, si monitorimi i brendshëm dhe i jashtëm nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe nga Avokati i Popullit i DHSK-së.

Të gjithë të paraburgosurit supozohen të pafajshëm deri sa të provohet fajësia e tyre jashtë dyshimit të arsyeshëm. Diskriminimi i çfarëdo lloji është i ndaluar.

Njësia e Paraburgimit siguron mirëqenien e të paraburgosurve në një mjedis të sigurt e të mbrojtur. Të paraburgosurit kanë mundësi çdo ditë të dalin në ajër të pastër dhe të kryejnë ushtrime fizike, si edhe mundësi të marrin pjesë në veprimtari të tjera të përshtatshme të kohës së lirë. Atyre u lejohet të kenë materiale për lexim dhe shkrim dhe kanë qasje në një bibliotekë me libra, revista dhe gazeta në gjuhën e tyre. Gjithashtu, ata mund të përcjellin programe në radio dhe televizion dhe të marrin pjesë në shërbesa fetare apo shpirtërore  që ofrohen.

Në objektin e paraburgimit, të paraburgosurve u ofrohen më së paku të njëjtat standarde të shërbimit mjekësor që ofrohen përgjithësisht në Holandë.

Më shumë informacion për administrimin e objektit të paraburgimit, duke përfshirë edhe informacion për vizitat, mund të gjeni në: https://www.scp-ks.org/sq/dhomat-e-specializuara/paraburgimi.

Cili është roli i Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara të Kosovës?

Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara monitoron, mbron dhe garanton të drejtat themelore të personi që ndërvepron me DHSK-në ose ZPS-në.

Avokati i Popullit mund:

  • të marrë ankesa dhe të shqyrtojë pranueshmërinë e tyre;
  • të kryejë hetime në lidhje me ankesat e pranueshme;
  • të hyjë në mjediset e paraburgimit dhe t’i inspektojë ato;
  • të mundësojë ndërmjetësim dhe pajtim, sipas rrethanave;
  • t’u paraqesë rekomandime Kryetarit të DHSK-së dhe Prokurorit të Specializuar; dhe
  • t’i bëjë referime Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

Çdo person që ndërvepron me DHSK-në ose ZPS-në, i cili pretendon se i janë shkelur të drejtat themelore, mund t’i paraqesë ankesë Avokatit të Popullit.

Ankuesi duhet të demonstrojë se ka ndërvepruar me DHSK-në dhe ZPS-në. Gjithashtu, ankesa duhet të ketë lidhje me një shkelje të pretenduar të të drejtave themelore të personit prej DHSK-së dhe ZPS-së.

Më shumë informacion për Avokatin e Popullit, ndër të tjera edhe për procesin e paraqitjes së ankesës, mund të gjeni në: https://www.scp-ks.org/sq/avokati-i-popullit/roli-i-avokatit-tyo-popullit.

Çfarë është Rregullorja e Procedurës dhe e Provave dhe cila është rëndësia e saj?

Rregullorja e Procedurës dhe e Provave (Rregullorja) është gjegjësja e kodeve të procedurës penale dhe rregullon në hollësi kryerjen e procedurave gjyqësore para DHSK-së. Rregullorja e Procedurës dhe e Provave u miratua në mars 2017, në Plenaren e parë të gjykatësve të Dhomave të Specializuara. Rregullorja duhet të jetë në përputhshmëri me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe të pasqyrojë standardet më të larta të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Në hartimin e Rregullores gjykatësit u mbështetën në disa nga praktikat dhe përvojat më të mira të tribunalëve të tjerë, për të garantuar që procedurat të sigurojnë një drejtpeshim midis nevojës për kryerjen e një gjykimi të shpejtë dhe dhënies së kohës së mjaftueshme për të gjitha procedurat që garantojnë proces të rregullt ligjor dhe të drejtat e të akuzuarve.

Si garanci shtesë, Ligji kërkon që Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese duhet të shqyrtojë Rregulloren dhe ndryshimet që mund t’i bëhen asaj, me qëllim që të garantojë përputhshmërinë e tyre me standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ndër të cilat edhe ato që përcaktohen në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Ndërkombëtare për Drejtat Civile dhe Politike, të garantuara me nenin 2 të Kushtetutës së Kosovës.

Pas shqyrtimit të kushtetutshmërisë nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, Rregullorja hyri në fuqi në korrik 2017, duke e bërë DHSK-në plotësisht funksionale në aspektin gjyqësor.

Si sigurohet pavarësia e gjykatësve?

Pavarësia dhe paanshmëria e gjykatësve në procedurat para DHSK-së sigurohet në një numër mënyrash.

Sa i takon procesit të përzgjedhjes së gjykatësve, Ligji kërkon që gjykatësit të jenë individë me karakter moral të lartë, të paanshëm dhe të ndershëm. Gjithashtu, ata duhet të kenë  kualifikimet e duhura në shtetet e tyre përkatëse për t’u emëruar në postet më të larta gjyqësore.

Të gjithë kandidatët vlerësohen prej një paneli të pavarur përzgjedhës, në të cilin bëjnë pjesë dy gjykatës me përvojë të konsiderueshme në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare. Procesi i përzgjedhjes ka synimin e qartë dhe kryhet në mënyrë të tillë që të sigurojë përzgjedhjen e gjykatësve tejet profesionalë dhe të pavarur që përmbushin standardet e përcaktuara në Ligj.

Gjykatësit e emëruar në Regjistrin e Gjykatësve nuk mund të marrin kurrfarë udhëzimesh dhe atyre gjithashtu u ndalohet të marrin pjesë në veprimtari që me gjasë mund të ndërhyjnë në detyrat e tyre gjyqësore ose të ndikojnë në besimin tek pavarësia e tyre.

Gjithashtu, dokumenti i parë normativ i miratuar nga gjykatësit e Dhomave të Specializuara ishte Kodi i Etikës Gjyqësore, sipas të cilit ata kanë detyrimin t’u përmbahen standardeve të larta të sjelljes. Shkelja e këtyre standardeve prej një gjykatësi shqyrtohet përmes një procedure disiplinore, e cila mund të çojë në marrjen e masave ndëshkuese kundër atij gjykatësi, sikurse përcaktohet në Kod. Ndër këto ndëshkime përfshihet edhe përjashtimi i gjykatësit nga Regjistri i Gjykatësve.

Në këtë kontekst duhet theksuar se vetëm Plenarja e gjykatësve mund të marrë vendim për përjashtimin e një gjykatësi, çka përbën një garanci shtesë për pavarësinë e gjykatësve dhe integritetin e proceseve gjyqësore para DHSK-së.

A kryejnë Dhomat e Specializuara të Kosovës veprimtari komunikimi dhe ndërgjegjësimi me njerëzit që ndikohen nga puna e DHSK-së?

Vendosja e kontakteve dhe zhvillimi në vijimësi i dialogut me njerëzit në Kosovë lidhur me mandatin dhe punën e DHSK-së ka qenë një prej shtyllave kryesore të strategjisë së komunikimit të DHSK-së që prej fillimit të punës së saj. Programi për komunikim dhe ndërgjegjësim ka marrë mendime dhe rekomandime shumë të vlefshme për veprimtaritë e komunikimit dhe ndërgjegjësimit të DHSK-së përmes Rrjetit për Informim të Gjykatës, një grup prej 15 organizatash joqeveritare nga Kosova dhe Serbia që u krijua nga DHSK-ja në vitin 2018.

Në sajë të mbështetjes bujare të Zvicrës në vitet 2018 dhe 2019, ekipi i komunikimit dhe ndërgjegjësimit arriti të shtonte numrin e veprimtarive të kryera në Kosovë dhe ishte i pranishëm në Kosovë përmes vizitave pothuaj të përmuajshme.

Gjatë këtyre vizitave, punonjësit e DHSK-së në bashkëpunim me OJQ partnere organizuan veprimtari me grupe qytetarësh nga komunitete të ndryshme anembanë Kosovës. Këto takime bënë të mundur që përfaqësuesit e DHSK-së, përfshirë edhe drejtuesit e lartë të saj, të dëgjonin pyetjet dhe shqetësimet e të rinjve, studentëve, përfaqësuesve të komunitetit, gazetarëve dhe të grupeve të tjera, dhe të jepnin përgjigje dhe informacion për DHSK-në dhe punën e saj. Që prej vitit 2018, ekipi për komunikim dhe ndërgjegjësim ka organizuar 56 veprimtari në komunitete të ndryshme anembanë Kosovës, me rreth 1500 pjesëmarrës.  

Në vitin 2020, qeveria zvicerane vendosi të vazhdojë mbështetjen e saj për programin për komunikim dhe ndërgjegjësim dhe miratoi një fond dyvjeçar për fazën e dytë të tij. Në këtë fazë të programit do të vazhdojë dialogu i rregullt përmes veprimtarive të komunikimit dhe ndërgjegjësimit, si dhe informimi i mëtejshëm i publikut të gjerë kosovar lidhur me DHSK-në përmes materialeve të shkurtra filmike në televizion dhe një angazhimi më të madh me mjetet e informimit publik.

Në prill 2020, në kushtet e masave kufizuese për udhëtimet dhe mbledhjet publike, që u vendosën për shkak të pandemisë globale, ekipi për komunikim dhe ndërgjegjësim filloi të kryente veprimtari ndërvepruese në Internet. Në vitin 2020, ekipi për komunikim dhe ndërgjegjësim organizoi mbi 20 veprimtari në Internet me pjesëmarrës nga Kosova dhe Serbia dhe pret me padurim t’u kthehet veprimtarive dhe takimeve të drejtpërdrejta sapo situata e shëndetit publik ta lejojë një gjë të tillë.

A mund t’i vizitoj Dhomat e Specializuara të Kosovës?

DHSK-ja mirëpret vizitorët që dëshirojnë të përcjellin seancat publike nga galeria e sallës së gjyqit. Gjithashtu, DHSK-ja u ofron studentëve dhe grupeve të tjera mundësinë që të vizitojnë Dhomat e Specializuara dhe të mësojnë më shumë për mandatin dhe proceset e saj. Gazetarët janë të mirëpritur të përcjellin seancat publike dhe të përdorin sallën e mediave për të punuar, ose për të shkëmbyer mendime me gazetarë të tjerë. Më shumë informacion për programin për vizitorët dhe vizitat në përgjithësi mund të gjeni në: https://www.scp-ks.org/sq/dhsk-outreach/vizitat-ne-dhsk.

A ndikoi Kovid-19 në punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës?

Gjatë pandemisë, DHSK-ja mori masa në mbarë organizatën në përputhje me rekomandimet dhe vendimet e autoriteteve përkatëse të shëndetit publik, ndërkohë që vazhdoi punën dhe funksionimin e plotë të saj. Ndër këto masa u përfshin, kur ishte e mundur, puna dhe mbledhjet nga distanca, përmes përdorimit të teknologjive ekzistuese. Me gjithë këto përshtatje në metodat e punës gjatë asaj periudhe, DHSK-ja vazhdoi të ecë përpara në përmbushjen e mandatit të saj.