• KSC-BC-2020-05/KSC-CA-2023-02
    Salih Mustafa pretendohet se ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’). Aktakuza e ngarkon atë për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në fshatin Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës. Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022 dhe deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13-15 shtator 2022. Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022: Trupi Gjykues e shpalli z. Mustafa fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim. Në këtë çështje ishin 8 viktima pjesëmarrëse. Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023: Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor. Më 2 shkurt 2023, Mbrojtja e Mustafës njoftimin (konfidencial) për apel kundër Aktgjykimit. Versioni i redaktuar i fundit i dosjes së korrigjuar të apelit të Mbrojtjes u dorëzua më 15 shtator 2023. Seanca e apelit është caktuar të mbahet më 26 dhe 27 tetor 2023.
  • KSC-BC-2020-06
    Çështja përfshin katër ish-zyrtarë të lartë të pretenduar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar. Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt. Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023. Në këtë çështje janë 141 viktima pjesëmarrëse.
  • KSC-BC-2020-07/KSC-CA-2022-01/KSC-SC-2023-01
    Çështja ka të bëjë me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, sipas nenit 15(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Sipas aktakuzës, së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj, respektivisht kryetar dhe nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm). Aktgjykimi u shpall më 18 maj 2022. Të dy të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Gucati dhe Haradinaj i dorëzuan njoftimet për apel ndërsa ZPS-ja ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të apelojë aktgjykimin e shkallës së parë. Seanca e apelit u mbajt më 1 dhe 2 dhjetor 2022. Aktgjykimi i apelit u shpall më 2 shkurt 2023: u shpall fajtor për pesë nga gjashtë pikat e aktakuzës - u dënua me 4,5 vjet burgim dhe gjobë prej 100 eurosh. Më 2 dhe 3 maj 2023, përkatësisht, Haradinaj dhe Gucati dorëzuan kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë në përputhje me nenet 48(6) to (8) të Ligjit dhe rregullën 193 të Rregullores. Më 18 shtator 2023, Paneli i Gjykatës Supreme hodhi poshtë të dy kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë.
  • KSC-BC-2020-04
    Pjetër Shala pretendohet se ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’) i stacionuar në Kukës, Shqipëri. Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së. Më 21 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I. Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023. Më 6 korrik 2023, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet. Më 21 gusht 2023, Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat. Konferenca Përgatitore e Mbrojtjes u mbajt më 24 dhe 25 gusht 2023. Më 15 shtator 2023, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme (pika 4), në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së. Paraqitja e provave prej Mbrojtjes nisi më 20 shtator 2023. Në këtë çështje janë 8 viktima pjesëmarrëse.